Arkivi i lajmeve Gusht, SHtator dhe Tetor 2005

Mbahet takimi me luftëtarë në Viti

Viti, 27 tetor 2005
Në Shtëpinë e Kulturës në Viti u mbajt takimi i Kryesisë së Organizatës me luftëtarë. Morën pjesë nga Kryesia e Organizatës: Sherif Krasniqi kryetar, Afrim Kuleta nënkryetar, Faton Klinaku sekretar, Xhavit Dauti anëtar i kryesisë, si dhe Faik Fazliu kryetar i SHIL të UÇK-së
Fjalën e rastit e mbajti kryetari Sherif Krasniqi, ku ndër të tjerash tha: Takimi i sotëm, është vazhdimësi e takimeve që Kryesia e Organizatës ka vendosur t’i zhvillojë në tërë territorin e Kosovës. Ngjarjet e kohëve fundit kërkojnë nga ne që të realizojmë takimet me bazën tonë, si dhe me qytetarët e Kosovës, në një tempo më të shpejt. Zhvillimi i ngjarjeve politike ka marrë formë më të qartë dhe është duke ecur me një dinamizëm shumë më të theksuar, e deri më tani, ngjarjet kanë marrë kahje të gabuar, duke e vënë kombin shqiptarë në përgjithësi në një situatë tepër të rrezikshme, pasiqë po veprohet në kundërshtim me vullnetin e popullit.
Më pas të pranishmit patën rastin që të informohen për aktivitetet e Organizatës, si dhe qëndrimet e saja.



Subjektet e dalura nga Lufta e UÇK-së dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale harmonizojnë qëndrimet rreth projektligjit

Prishtinë, 27 tetor 2005
Kryetarët e tri Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së, Sherif Krasniqi (OVL), Faik Fazliu (SHIL) dhe Xhavit Jashari (SHFD), u takuan në Prishtinë me z. Ibrahim Selmanaj ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në takim u bisedua rreth vërejtjeve që subjektet e luftës më herët i dërguan në këtë ministri, rreth projektligjit për statusin dhe të drejtat e kategorive të luftës.
Pas takimit, ministri Selmanaj dhe kryetarët e subjekteve të luftës deklaruan se janë harmonizuar qëndrimet mes ministrisë dhe subjekteve të luftës dhe kërkuan që ligji sa më parë të dërgohet për miratim në Parlamentin e Kosovës.Njëherit u kërkua që grupet parlamentare dhe partitë politike ta përkrahin miratimin e këtij ligji.



Bisedimet për Statusin e Kosovës – Robëri e re për Shqiptarët

Prishtinë, 26 tetor 2005
Kryesitë e tri subjekteve të dalura nga lufta e UÇK-së, lëshuan një komunikatë për opinion ku shprehen shqetësimet e kategorive të luftës, me rastin e filimit të bisedimeve për Statusin e Kosovës.
Teksti i plotë i komunikatës gjendet në rubrikën e komunikatave



Mbahet takimi me luftëtarë në Arllat

Arllat, 21 tetor 2005
Në shkollën fillore “Abedin Bujupi” në Arllat u mbajt takimi i Kryesisë së Organizatës me luftëtarë. Morën pjesë nga Kryesia e Organizatës: Sherif Krasniqi kryetar, Afrim Kuleta nënkryetar dhe Faton Klinaku sekretar
Fjalën e rastit e mbajti nënkryetari Afrim Kuleta, ku ndër të tjerash tha: Sot, flitet për pavarësinë e kushtëzuar. Të nderuar pjesëmarrës. Pavarësia e kushtëzuar don të thotë një luftë e re në Kosovë. Një kulaç i gatuar në kuzhinat e Beogradit, i përkrahur nga ndërkombëtarët, në kurriz të popullit shqiptarë. Ne ju bëjmë me dije të gjithë atyre që sot flasin në emër të të ashtuquajturave “institucione” të Kosovës, se askush nuk ka mandat të nënshkruajë robërinë e Kosovës.
Pas fjalimit, u zhvillua një debat shumë konstruktiv i udhëhequr nga Zymer Krasniqi, arsimtar.



Subjektet e dalura nga Lufta e UÇK-së, reagojnë ashpër kundër veprimeve të dhunshme të pjesëtarëve të SHPK-së

Prishtinë, 20 tetor 2005
Në një komunikatë të përbashkët, OVL të UÇK-së, SHIL të UÇK-së dhe SHFD të UÇK-së, reagojnë ashpër me rastin e përdorimit të dhunës nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së në protestën e organizuar nga “Lëvizja Vetëvendosje”.
Arrestimet e aktivistëve të “Lëvizjes Vetëvendosje” si dhe gazetarëve, janë shkelje flagrante të demokracisë që aq shumë trumbetohet në Kosovë sipas “ STANDARDEVE “ thuhet ndër të tjerash në deklaratë.



Gjendja ekonomike e kategorive të luftës është dëshpëruese

Prishtinë, 18 tetor 2005
Në një intervistë dhënë gazetës “Express”, Faton Klinaku sekretar i OVL të UÇK-së, ka deklaruar se gjendja ekonomike e kategorive të luftës është dëshpëruese.
" Gjendja ekonomike e tyre është aq dëshpëruese saqë në mungesën e përkujdesjes Institucionale, për shkaqe ekonomike Veteranët bëjnë edhe vetvrasje. Deri më tani ka dhjetëra raste të tilla" tha z.Klinaku për të vazhduar më tutje se " Thirrjet dhe kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme dhe publike që Parlamenti i Kosovës të nxjerr një Ligj për njohjen e statusit të Veteranëve, Invalidëve, Dëshmorëve dhe familjeve të tyre gjë që do të mundësonte realizimin e të drejtave të këtyre kategorive në mënyrë Institucionale, por fatkeqësisht ende nuk është miratuar një Ligj i tillë. Përveç kësaj çështjeje(mosnxjerrjes së Ligjit), në Qeverinë e Kosovës jemi të zhgënjyer shumë edhe për atë se nuk i përfaqëson dhe mbron interesat e popullit"



Mbahet takimi me luftëtarë e qytetarë në Skënderaj

Skënderaj, 17 tetor 2005
Në vazhdën e takimeve që po mbahen anekënd Kosovës me luftëtarë dhe qytetarë, u mbajt takimi në Skënderaj. Morën pjesë nga Kryesia e Organizatës: Sherif Krasniqi kryetar, Afrim Kuleta nënkryetar, Faton Klinaku sekretar dhe Hysni Gucati anëtar i Kryesisë.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari Sherif Krasniqi, ku ndër të tjerash tha: Në kohën kur politikanët deklarohen se nuk do të ketë negociata për statusin e Kosovës, formohet me miratim të Kuvendit një grup për bisedime. Ky grup është i dështuar qysh në start, pasiqë është në mision të gabuar. Mund të kenë mandat për jetësimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, por nuk kanë mandat që ta negociojnë lirinë e popullit.
Pas fjalimit, u zhvillua një debat shumë konstruktiv për rrjedhat e fundit politike në Kosovë.



Subjektet e Luftës reagojnë ashpër kundër deklaratave të ministrit të jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj

Prishtinë, 13 tetor 2005
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqata e Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashpër reagojnë kundër deklaratave të pamatura të ministrit të jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj.
Tekstin e plotë e keni te rubrika Komunikata



Kryesia e Organizatës filloi takimet me veteranë dhe qytetarë

Prishtinë, 11 tetor 2005
Në fshatin Sharban të Komunës së Prishtinës, u mbajt takim i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së me luftëtarët e kësaj treve. Nga kryesia e OVLUÇK morën pjesë Kryetari Sherif Krasniqi, nënkryetari Afrim Kuleta, sekretari Faton Klinaku dhe anëtarë të Kryesisë: Fatmir Shurdhaj, Nexhmi Lajçi, Hysni Ngucati. Gjithashtu ishte prezent edhe kryetari i SHIL të UÇK-së Faik Fazliu.
Në këtë takim ishin të pranishëm rreth 100 luftëtarë të dy batalioneve: Kështjella-26 të brig. 151 Zahir Pajaziti dhe Buna 26 të brig.153 Hyzri Talla të ZOLL-it.
Takimi u hap me një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve të kombit dhe më pas Kryetari i OVL të UÇK-së Sherif Krasniqi pasqyroi qëndrimet e Kryesisë të përmbledhura në një fjalim, qëndrime këto që janë të ditura për opinionin si psh: Kundërshtimi i standardeve, kundërshtimi i decentralizimit, kundërshtimi i negociatave për statusin politik të Kosovës etj, si projekte të dëmshme për kombin shqiptar. Pas fjalës së Kryesisë u bashkëbisedua me luftëtarë rreth gjendjes aktuale politike në Kosovë dhe rreth saj.
Këto debate me moton “AMANETI I DËSHMORËVE, OBLIGIMI YNË” organizohen me qëllim që veteranët dhe populli të jenë në gjendje mobile për ta kundërshtuar ç’do kompromis apo ç’do zgjidhje të statusit politik të Kosovës që do të jetë në kundërshtim me luftën çlirimtare dhe vullnetin e popullit.
Debati i ardhshëm do të mbahet me veteranët dhe qytetarët e Skënderajt, të hënën me 17 tetor 2005 ora 14:00, në Shtëpinë e Kulturës Hasan Prishtina.



Përkujtohet rënia e Dëshmorit të Kombit Abedin Rexha - Sandokani

Prishtinë, 8 tetor 2005
Në shtatvëjetorin e rënies u përkujtua Dëshmori i Kombit Abedin Rexha – Sandokani. Abedin Rexha ishte luftëtarë i orëve të para të UÇK-së, që u vra tradhëtisht nga dora e kolaboracionizmit.
Në fjalimin përkujtimor me këtë rast kryetari i Organizatës, Sherif Krasniqi mes të tjerash theksoi: Kjo luftë popullit tonë i ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur për një kohë të gjatë. Në saje të kësaj lufte dhe gjakut të mijëra dëshmorëve u larguan forcat pushtuese serbe. Djemtë si Abedin Rexha ishin dhanë shembull se si duhet të luftohet dhe vdiset për Atdheun.
Po të njëjtën ditë u vizitua familja e dëshmorit si dhe u bën homazhe tek varri i dëshmorit.



Kryesia e OVL të UÇK-së përshendet Kongresin e Tretë të PDK-së

Prishtinë, 8 tetor 2005
Të shtunen në mëngjes u mbajt pjesa solemne e Kongresit të Tretë të PDK-së. Në emër të OVL të UÇK-së të pranishmit i përshëndeti Faton Klinaku sekretar.Mes të tjerash Faton Klinaku tha: Ne shpresojmë fuqishëm se ky Kuvend do të qartësoj rrugën e vënjes në jetë të qëndrimit të fundit të PDK-së dhe do të zgjedhen njerëzit më të devotshëm që ta udhëheqin me guxim këtë projekt. Ky objektiv është rezultant i të gjitha objektivave, në të kundërt Kosova do të rrëshqas andej prej ku do ta kemi shumë të vështirë ta nxjerrim dhe do të duhet një luftë edhe më e përgjakshme se ajo që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.



KFOR-I Turk viziton familjet e Dëshmorëve në Sharr

Sharr, 29 shtator 2005
Një delegacion i KFOR-it Turk në përbërje: Kapiten Yavuz Ersan nga Batalioni i KFOR-it turk me qendër në Prizren, kapiten Xhevdet Kalafat përfaqësues i KFOR-it Turk në Sharr dhe kapiten Shenol Ergin përfaqësues i SIMIK Turk, së bashku me delegacionin e OVL të UÇK-së nga Sharri bënë një vizitë familjeve të dëshmorëve të kësaj treve. Me këtë rast nga batalioni Turk i KFOR-it iu dhuruan familjeve të dëshmorëve nga një pako me gjëra ushqimore, veshmbathje dhe paisje shkollore. Vizita e këtij delegacioni është bërë me iniciativën e Kapiten Yavuz Ersan i cili me këtë rast në vizitë ka theksuar se kontributi i dëshmorëve të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës është i pazëvendësueshëm dhe se familjet e tyre duhet të kenë një përkujdesje më të madhe nga institucionet e Kosovës.
Vizita e delegacionit nga KFOR–i Turk nuk bëhet për herë të parë. OVL e UÇK-së në Sharr ka një bashkëpunim të mirë me KFOR-in Turk.



Në Ferizaj shënohet Dita e Dëshmorëve të UÇK-së

Ferizaj, 28 shtator 2005
Me manifestime të shumëllojshme, të mërkurën në Ferizaj është shënuar Dita e Dëshmorëve - 28 shtatori. Qytetarët të shumtë, anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të pushteti lokal, të subjekteve tjera vendëse e ndërkombëtare, morën pjesë në manifestimet që i kushtoheshin shënimit të kësaj dite si dhe në homazhet që u mbajtën në varrezat e dëshmorëve të Ferizajt.
Një manifestim është mbajtur në kazermën "Epopeja e Jezercit" në të cilin folën komandanti i SHP të TMK-së, gjeneral Agim Çeku, Nehat Mustafa-Mali, nënkryetar i OVL-së së Ferizajt i cili ka prezentuar në manifestimin qëndror referatin tematik që i kushtohet "Epopesë së Jezercit". Kryetari i OVL të UÇK-së, Sherif Krasniqi ndër të tjerash tha: E ardhmja e Kosovës sot po mbahet peng nga të huajt dhe nga vendorët e shantazhuar, nga ata që kanë qëllime të ndryshme e të kundërta me ne, kanë sajuar disa dokumente kundër nesh me qëllim të lidhjes edhe me pushtuesit tanë. Ata janë në përpjekje për të mohuar luftën tonë, gjakun tonë, lirinë tonë. Ata thonë të burgosemi ne pse luftuam, thonë të vritemi pse s’dëgjojmë e s’dëgjuam. Investohet mbi këto parime në mungesën e organizimit tonë dhe kështu hapen edhe më plagë në trupin edhe ashtu të gjymtuar të atdheut tonë.
Në këtë manifestim një fjalë rasti kanë mbajtur edhe gjeneral major Shukri Buja, kreu i Ferizajt Faik Grainca si dhe përfaqësuesi i Shoqatës për Bashkim Kombëtar, Sahit Salihu.



Publicisti gjerman Dr. Ernst Kohler vizitoi Selinë Qendrore të OVL të UÇK-së

Prishtinë 27 shtator 2005
Publicisti gjerman Dr. Ernst Kohler vizitoi Selinë Qendrore të Organizatës ku zhvilloi bisedë me kryetarin Sherif Krasniqi dhe sekretarin Faton Klinaku. Dr. Kohler u interesua për funksionimin, shtrirjen dhe gjendjen e Organizatës dhe antarëve të saj si dhe për qëndrimet e veteranëve të luftës rreth situatës aktuale politike në vend. U shkëmbyen mendime edhe rreth asaj se a është Kosova në gjendje dhe e aftë ta qeverisë vetveten, si shtet i pavarur. Së shpejti pritet që Dr.Kohler të botojë librin e tij me tematika rreth Luftës së UÇK-së.



Përfaqësues të KFOR-it finlandez takuan Kryesinë e OVL të UÇK-së

Prishtinë 27 shtator 2005
Në selinë Qendore të Organizatës, përfaqësuesit e BSHQ së KFOR-it, përkatesisht nga KFOR-i finlandez, Lasse Keihanen dhe Teemu Rimpilainen, u takuan me Kryesinë e OVL të UÇK-së. Përfaqësuesit e KFOR-it u interesuan për funksionimin e Organizatës si dhe për qëndrimet e saj rreth situatës aktuale politike në Kosovë.



Përkujtohet dëshmori Fatos Krasniqi

Fatos 26 shtator 2005
Në odën në të cilën për disa javë kishte vepruar Shtabi i Përgjithshëm në fshatin Fatos (ish Negroc), u përkujtua Fatos Krasniqi. Të pranishëm ishin përfaqësues të Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së si dhe kryetari i komunës së Drenasit Gani Syla me stafin e tij. Në përkujtim u theksua nevoja e organizimit dhe koordinimit më të mirë ne mes të faktorëve të dalur nga Lufta e UÇK-së.



Në shtatëvjetorin e rënies përkujtohen 13 dëshmorët dhe 55 martirët e Abrisë

Prishtinë 26 shtator 2005
Në Abri të Epërme të Drenasit janë përkujtuar dhe nderuar 13 dëshmorët dhe 55 martirët e këtij fshati, si dhe masakra ndaj familjes Deliu. Xhavit Jashari kryetar i SHFD të UÇK-së theksoi faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë kujdes për familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.



Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, 5 vite aktivitet

Prishtinë 23 shtator 2005
Me 23 shtator 2000 është dita kur është themeluar Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Gjatë 5 viteve të ekzistencës kjo organizatë tuboi në gjirin e saj të gjithë luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe ndikoi në avansimin e çështjes kombëtare në drejtim të realizimit të betimit të dhënë në luftë. Prej Kuvendit të Dytë, u miratua Statuti i ri dhe Organizata shtrihet në çdo komunë të Kosovës, ku ka strukturat e veta organizative dhe zyret në të cilat zhvillohet aktiviteti i përditshëm në shërbim të veteraneve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe çështjes kombëtare në përgjithësi.



Shënohet Dita e Dëshmorëve të Brigadës 114 Fehmi Lladrovci

Prishtinë 22 shtator 2005
E organizuar nga Zona e Parë Mbrojtëse e TMK-së, u përkujtuan në Prishtinë Dëshmorët e Brigadës 114 Fehmi Lladrovci. Akademia Përkujtimore u mbajt në ora 17:00, në Teatrin Kombëtar. Adem Demaçi, gjatë fjalimit të tij, ka vlerësuar kontributin e ish luftëtarëve të UÇK-së për të ndikuar pozitivisht në proceset që po ndodhin në Kosovë, e në anën tjetër Sherif Krasniqi kryetar i OVL të UÇK-së ka ritheksuar qëndrimin e Organizatës të cilën e drejton se kompromisi do të luftohet pa kompromis dhe që Veteranët e Luftës nuk do të lejojnë një robëri të re për Kosovën.



Mundësi rehabilitimi për veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve

Prishtinë 20 shtator 2005
Pas një takimi me delegacionin e OVL të UÇK-së, Qendra Mjekuese Rehabilituese "MIGUN Ballkan" Prishtinë, me drejtor Arton Duriqi, ofroi mundësi për trajtim mjekësor falas, të antarëve të Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, që kryesisht kanë probleme me boshtin kurrizor.



Drejtuesit e Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së pritën përfaqësuesit e PDK-së

Prishtinë 20 shtator 2005
Drejtuesit e Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së: Sherif Krasniqi, Faik Fazliu, Xhavit Jashari dhe Afrim Kuleta, pritën në Selinë Qendore, përfaqësuesit e PDK-së: Jakup Krasniqi sekretar i përgjithshëm dhe Bedri Halimi. Në takim u bisedua për situatën politike në vend dhe rreth Projektligjit për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së. Jakup Krasniqi deklaroi se PDK do të mbështes në Kuvend, miratimin e Ligjit, versioni i propozuar nga organizatat e dalura nga lufta.



Delegacioni i Organizatës takohet me KK Fushë Kosovë dhe drejtorin e Aeroportit të Prishtinës

Prishtinë 20 shtator 2005
Delegacioni i OVL të UÇK-së, i përbërë nga Faton Klinaku sekretar, Fatmir Shurdhaj anëtar i Kryesisë dhe Sadik Konjusha kryetar i Organizatës për Fushë Kosovë, u takua me z.Skender Zogaj, kryetar i KK Fushë Kosovë. Në takim u bisedua për sigurimin e një zyre për Organizatën në Fushë Kosovë si dhe u kërkua që Drejtoria për Kulturë e KK Fushë Kosovë të evidentojë të gjitha monumentet që lidhen me Luftën e UÇK-së dhe të jenë në përkujdesje të komunës.
Ndërsa në takim me drejtorin e Aeroportit të Prishtinës, z.Adem Gashi, u bisedua rreth kërkesës së Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, për emërtimin e aeroportit me emrin e Komandantit Legjendar Adem JASHARI. Gjithashtu u kërkua që kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së të lirohen nga taksa hyrëse e aeroportit.



Ministri Selmanaj vizitoi selinë e SHIL të UÇK-së

Prishtinë 19 shtator 2005
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Ibrahim Selmanaj vizitoi selinë e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, ku u prit nga kryetari Faik Fazliu. Në takim u bisedua rreth Projektligjit për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së. Selmanaj dëgjoi vërejtjet e bëra nga Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së dhe premtoi se të njëjtat do të pasqyrohen në tekstin përfundimtar të Projektligjit. Faik Fazliu falenderoi ministrin për ndihmën e dhënë ndaj Invalidëve të Luftës për pushimet verore dhe në sigurimin e teksteve për fëmijët e Invalidëve dhe Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.



Kryesia e OVL të UÇK-së u takua me Gazmend Muhaxherin partisë ORA

Prishtinë 19 shtator 2005
Gazmend Muhaxheri i ORA-s në selinë e kësaj partie në Prishtinë priti delegacionin e Kryesisë së Organizatës, në përbërje Afrim Kuleta e Fatmir Mehmeti nënkryetar dhe Faton Klinaku sekretar. Në takim u bisedua për situatën politike në vend dhe rreth Projektligjit për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së. Përfaqësuesit e Organizatës shprehën pakënaqësinë për fillimin e negociatave, me frikë se ato do të sjellin ndonjë kompromis i cili do ta destabilizonte situatën në vend.



Kryesia e OVL të UÇK-së u takua me zyrtarët e AAK-së

Prishtinë 16 shtator 2005
Përfaqësuesit e AAK-së: Ahmet Isufi, Ibrahim Selmanaj dhe Ramiz Lladrovci, pritën delegacionin e Kryesisë së Organizatës, në përbërje Afrim Kuleta nënkryetar, Faton Klinaku sekretar dhe Fatmir Shurdhaj anëtar i Kryesisë. Në takim u bisedua për situatën politike në vend dhe rreth Projektligjit për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së.



Në Prizren shënohet Dita e Dëshmorëve

Prizren 15 shtator 2005
Në organizim të OVL të UÇK-së Prizren, u shënua Dita e Dëshmorëve të Prizrenit. Prej orës 10 e deri ora 13 u bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, ndërsa në ora 14 në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, u mbajt Akademia Përkujtimore. Sherif Krasniqi kryetar i OVL të UÇK-së në mes të tjerash tha: “Duke dëshiruar që të vazhdojmë drejt rrugëtimit tonë, drejt realizimit të aspiratës shekullore, betimit të UÇK-së, edhe një herë kërkojmë nga Neokolonialisti i ashtuquajtur UNMIK dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, të rishqyrtojë politikën e vet ndaj Kosovës e posaqërisht ndaj luftës së drejtë që e bëri UÇK-ja, dhe mos të merret me kompromiset e gatuara në kuzhinat e Beogradit e të përkrahura nga satelitët e tij në Prishtinë, përndryshe paknaqësa e akumuluar në popull e ka arritur kulminacionin dhe do të jetë vështirë të kontrollohen veprimet e mëtutjeshme, që mund të jenë me pasoja për tërë rajonin”.
Në ora 17 u mbajt Ora Letrare kushtuar dëshmorëve.



Kryesia e OVL të UÇK-së priti udhëheqjen e LKÇK-së

Prishtinë 31 gusht 2005
Kryesia e Organizatës priti në Selinë Qendore, drejtuesit e LKÇK-së: Smajl Latifi kryetar, Fatmir Humolli nënkryetar, Shaban Beka sekretar dhe Xhevdet Sadrija anëtar i Kryesisë. Në takim u bisedua për situatën politike në vend dhe rreth Projektligjit për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së. Të dy palët u dakorduan se nuk duhet të negociohet për statusin politik të vendit, pasiqë në Kosovë ka pasur Luftë Çlirimtare, frytet e së cilës duhet të realizohen.



Shënohet Dita e Dëshmorëve të Brigadës 121 Kumanova

Kleçkë 25 gusht 2005
Me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 121 Kumanova, që përkon me rënien e dëshmorit Ismet Jashari – Komandant Kumanova, në Kleçkë u mbajt Tubimi përkujtimor kushtuar dëshmorëve të Brigadës. Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve u bë inaugurimi i ndërtimit të Kompleksit Memorial në Kleçkë. Kompleksi ndërtohet me iniciativën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i përkrahur nga KK Lypjan.
OVL të UÇK-së 2000 - 2006