Prill 2009

Reagim ndaj dënimit të veteranit të luftës Gjelosh Krasniqi


Prishtinë 30 prill 2009
OVL të UÇK-së përmes një reagimi për mediat elektronike dhe të shkruara, ka shprehur indinjatë të thellë rreth aktgjykimit kundër veteranit të luftës Gjelosh Krasniqi. Organizata e konsideron aktgjykimin si tërësisht i montuar politikisht, dhe vazhdimësi e politikës kriminale që UNMIK-u me direktivat e Beogradit, bënte kundër bartësve të luftës.
OVL të UÇK-së konsideron se EULEX po i vazhdon këto lojëra politike, duke dënuar luftëtarët e lirisë, me ligjet serbe që nuk kanë asnjë vlerë juridike në Kosovë.
Reagimi i plotë është në rubrikën KOMUNIKATA.




Hapet zyra e Degës së Organizatës në Artanë


Artanë 29 prill 2009
Në ambientet e Kuvendit Komunal të Artanës (ish-Novobërda), Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, hapi zyren e Degës së Artanës. Në hapjen solemne, morën pjesë krerët e OVL të UÇK-së, kryetari i komunës së Artanës dhe zyrtarë të tjerë. Me këtë rast, u shpërndanë edhe kartelat për veteranët e kësaj dege, si dhe nikoqirët kishin përgaditur një drekë për pjesëmarrësit.




Shënohet 10 vjetori i Batalionit Atlantiku


Prishtinë 27 prill 2009
Në një akademi solemne në Prishtinë, u shënua 10 vjetori i Batalionit Atlantiku, batalion ky i përbërë nga shqiptarët e SHBA-ve, që në prill 1999 iu përgjigjën ftesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim. Me këtë akademi u përmbyllën aktivitetet e këtij njësiti, që filluan një javë më herët. Akademinë e përshëndeti edhe kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli, i cili mes tjerash tha se Batalioni Atlantiku ishte imazhi perëndimor i UÇK-së.
Pjesëtarët e "Atlantikut", gjatë javës së fundit, kanë vizituar disa herë Selinë Qendrore të Organizatës, ku janë pajisur me kartelat e veteranit dhe gjithashtu, njësitit i është dhënë një mirënjohje e kontributit nga ana e e Kryesisë së OVL të UÇK-së.




Kryeministri Thaçi priti delegacionin e OVL të UÇK-së


Prishtinë 27 prill 2009
Kryeministri Hashim Thaçi, priti në takim një delegacion të Organizatës të kryesuar nga kryetari Muharrem Xhemajli. Takimi u zhvillua sipas agjendës së paraparë, ku u shqyrtuan shqetësimet e OVL të UÇK-së në disa pika të ndryshme, me interes për kategoritë e luftës.
Në takim palët u dakorduan që të vazhdojë bashkëpunimi i mëtutjeshëm, në shumë drejtime, e sidomos në amandamentimin e Ligjit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së, sipas kërkesave të OVL të UÇK-së. Mes tjerash, kryeministri Thaçi deklaroi se: Veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, janë në kategorinë e kuptimit të angazhimeve afirmative të qeverisë që udhëheq unë.. Ndërsa kryetari Xhemajli potencoi se: Me kryeministrin u pajtuam që të krijohet një komision brenda qeverisë në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve, që të bëhet rishikimi i ligjit dhe amandamentimi i tij.




Përkujtohet fillimi i luftës në Pashtrik


Drenoc - Rahovec 26 prill 2009
Në Drenoc të Rahovecit, u shënua 11 vjetori i fillimit të luftës çlirimtare në ZO të Pashtrikut. Në prani të mijëra bashkëluftëtarëve e qytetarëve, përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit lokal, në emër të OVL të UÇK-së, fjalë rasti mbajti edhe kryetari Muharrem Xhemajli. z.Xhemajli duke përkujtuar rëndësinë e zgjerimit të frontit të luftës dhe masovizimit të UÇK-së, kërkoi nga të pranishmit që të jenë të gjithë së bashku, në drejtim të realizimit të qëllimit dhe idealeve të luftës së UÇK-së.




Nderohet Dëshmori i Kombit Leonard Palucaj


Klinë 21 prill 2009
Në Klinë, në dhjetëvjetorin e rënies u nderua Dëshmori i Kombit Leonard Palucaj. Me këtë rast u mbajt Akademi Përkujtimore ku morën pjesë familjarë të dëshmorëve, bashkluftëtarë dhe përfaqësues komunal. Për jetën dhe veprën e Dëshmorit folën Sokol Bashota kryetar i Komunës së Klinës (ish anëtar i SHP të UÇK-së) dhe Smajl Elezaj nënkryetar i OVL të UÇK-së. Në emër të bashkëluftëtarëve, foli Pren Marashi, ish komandant batalioni në Brigadën 138 Agim Ramadani.




Kryetari Muharrem Xhemajli po merr pjesë në Asamblenë e KEVL


Paris 21 prill 2009
Kryetari Muharrem Xhemajli po qëndron në Asamblenë e rregullt të Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës, e cila është duke u mbajtur në Paris. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është anëtare me të drejta të barabarta e KEVL që nga 26 prill 2006.




NJOFTIM: Organizohet Manifestimi: Ditët e Krenarisë


Prishtinë 18-23 prill 2009
Dega e OVL të UÇK-së në Prishtinë, në bashkpunim me Selinë Qendrore të Organizatës dhe nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, organizon Manifestimin "Ditët e Krenarisë".
Agjenda e Manifestimit:
18 prill 2009:
Ora 10:00 Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë
Ora 10:30 Aksioni për dhurimin e gjakut në Entin e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë
Ora 12:00 Homazhe në Viti të Marecit
Ora 14:00 Homazhe në Mramor
Ora 15:00 Homazhe në Makoc
Ora 15:45 Homazhe në Sharban
Ora 17:00 Akademia Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë Prishtinë
19 prill 2009
Ora 10:00 në bashkpunim me Federatën e Shenjëtarisë së Kosovës, organizohet Kupa e Krenarisë në Shenjëtari
Ora 11:00 Vizitë në të gjitha familjet e Dëshmorëve të Kombit
20-23 prill 2009
Ora 17:00 fillon turneu i futbollit Kupa e Krenarisë në Futboll.




Gjeneral Kudusi Lama viziton Kryesinë e OVL të UÇK-së


Prishtinë 16 prill 2009
Gjeneral Kudusi Lama, ka bërë një vizitë sot, në Selinë Qendrore të Organizatës, ku u prit nga kryesia e ngushtë e OVL të UÇK-së. Në takim u bisedua për rrjedhat dhe angazhimet e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, drejt mbrojtjes dhe kultivimit të vlerave të luftës së UÇK-së, si dhe u këmbyen mendime me rëndësi për të dyja palët.
Gjenerali Lama, ndër të tjerash theksoi: Luftëtarët nuk luftuan për të mira materiale, por për Atdheun e Lirë. Ata janë pronarët e Atdheut.Familjet e Dëshmorëve, kanë përgjegjësinë që ta respektojnë rrugën dhe ta mbajnë të pastër emrin e bijve të tyre që e dhanë jetën për Atdheun. Gjenerali Lama, propozoi që të gjithë aktivistët e familjarët e tyre, që nga nga viti 1912 e deri në luftën e UÇK-së, të bashkohen në një organizatë të vetme, e cila do të mbrojë dhe kultivojë vlerat kombëtare.
Kryesia e Organizatës, vlerësoi lartë kontributin e Gjeneralit Lama, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjithashtu edhe të gjithë luftëtarëve e dëshmorëve të kombit që nga të gjitha trojet shqiptare, iu përgjigjën thirrjes së Atdheut dhe kontribuan në çlirimin e Kosovës. Kryesia e Organizatës u dakordua me gjeneralin Lama, se bashkëpunimi i mëtutjeshëm do të jetë i ngushtë dhe i rregulltë.




I ashtuquajturi KMDL nuk e përfaqëson askend


Prishtinë 14 prill 2009
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, OVL të UÇK-së, SHIL të UÇK-së dhe SHFD të UÇK-së, shprehën qëndrimin e tyre rreth grevës së disa personave pranë qeverisë së Kosovës. Organizatat e Luftës së UÇK-së u përfaqësuan në konferencë me Muharrem Xhemajlin kryetar i OVL të UÇK-së, Xhavit Jashari kryetar i SHFD të UÇK-së dhe Fadil Shurdhaj u.d. i kryetarit të SHIL të UÇK-së.
z.Xhemajli bëri thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve që të mos bien pre e manipulimeve të të ashtuquajturit KMDL, pasiqë i njëjti nuk e përfaqëson askend përveç vetvetes. Xhemajli foli për angazhimin e OVL të UÇK-së dhe Organizatave të Luftës në drejtim të realizimit të të drejtave të kategorive të luftës, me ligj dhe në mënyrë institucionale. Muharrem Xhemajli, theksoi se greva e urisë nuk është mjet në realizimin e qëllimeve, sepse këto kategori kanë sakrifikuar mjaft për Kosovën. Gjithashtu ai u shpreh se nëse është nevoja, Organizata do të përdor të gjitha mjetet statutare për realizimin e kërkesave e nevojave të veteranëve siç janë: kërkesat publike, protestat, demonstratat, peticionet, marshimet dhe lobimin.
z.Jashari tha se në grevë nuk ka familjarë të Dëshmorëve dhe se nuk janë të vërteta thëniet e disa grevistëve se fëmijët e dëshmorëve janë në gjendje shumë të rëndë. Xhavit Jashari përmendi benificionet e shumta të fëmijëve të dëshmorëve si dhe pensionin familjar prej 235 €, që e gëzon çdo familje e Dëshmorit. z.Jashari tregoi se në takimin e fundit me kryeministrin është dakorduar se ky pension të rritet me 12.5%.
Fadil Shurdhaj përfaqësues i SHIL të UÇK-së theksoi se invalidët e luftës marrin pensionet dhe gëzojnë disa benificione, me tendencë që të rriten, pasi që Kuvendi të amandamentojë ligjin dhe kur i njëjti fillon të zbatohet.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, z.Xhemajli theksoi se OVL të UÇK-së ka 23.179 antarë të regjistruar, ka strukturë që shtrihet nëpër të gjitha komunat dhe organet drejtuese qendrore. Kështuqë të vetmit përfaqësues të veteranëve janë Kryesia dhe organet e tjera drejtuese që burojnë nga Kuvendi Zgjedhor.
Xhavit Jashari tha se pasi kemi identifikuar disa grevistë dhe kemi konstatuar se kanë gjendje shumë të mirë materiale, dyshohet që pas këtij organizimi qëndron ndonjë parti politike dhe bëri apel që partitë politike mos të përpiqen që të manipulojnë me kategoritë e luftës për qëllime të politikës ditore.




Përkujtohen Dëshmorët e Komunës së Burimit


Burim 12 prill 2009
Në Burim u përkujtuan Dëshmorët e Kombit të kësaj komune, përkatësisht të Brigadës 133 Adrian Krasniqi. Nën organizim të Organizatave të Luftës së UÇK-së, në ora 14:30 u vendosën lule tek lapidari i Dëshmorëve të Kombit në Burim, e në ora 15:00 u mbajt një akademi përkujtimore.
Delegacioni i Organizatës kryesohej nga kryetari Muharrem Xhemajli. Në akademinë përkujtimore, në emër të bashkluftëtarëve foli Naim Gjuraj, ish epror i Brigadës 133 Adrian Krasniqi, e me një fjalë rasti akademinë e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Burimit Fadil Ferati. Në emër të OVL të UÇK-së, foli Smajl Elezaj nënkryetar. Më pas historiani Januz Januzaj, mbajti një fjalim rreth periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kaloi komuna e Burimit. Në fund. Fikret Shatri në emër të familjeve të Dëshmorëve të Brigadës, falenderoi të pranishmit.
Pas pjesës foljore, u mbajt një program i pasur artistik.




I ipet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së Shaban Viqa


Greme - Ferizaj 10 prill 2009
Pas ndarjes nga jeta, të luftëtarit të UÇK-së Shaban Viqa-BACI, në Shtëpinë e Kulturës "Hivzi Sylejmani" në Ferizaj u mbajt Mbledhja Komemorative, e pas saj u bën nderimet e fundit për luftëtarin e UÇK-së dhe furnizuesin kryesor të UÇPMB-së dhe UÇ Kombëtare. Më pas përcjellur nga Togu i Nderit i OVL të UÇK-së, trupi i të ndjerit u drejtua përmes qendrës së qytetit Ferizaj, drejt vendlindjes së tij Greme, ku edhe u bë varrimi i tij me nderime të larta.
Në këtë manifestim delegacioni i OVL të UÇK-së kryesohej nga kryetari Muharrem Xhemajli. Në prani të mijëra bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve anekënd viseve shqiptare, me Bacin, u nda me një fjalim rasti sekretari i Organizatës Faton Klinaku, i cili mes tjerash theksoi: Shabani ishte kalitur në flakët e luftërave kundër pushtuesve të tokës sonë. Kjo humbje dhe zbraztësi e madhe, do të thellohet jo vetëm për familjen por edhe për ne të gjithë sepse Ai, nuk i kishte takuar asnjëhërë vetëm familjes së tij por fatin e vet dhe angazhimin e tij e kishte ndarë me familjen tonë të madhe-kombin dhe atdheun. Ai do të mbetet përjetë në kujtesën tonë..




Vendoset pllaka në Shtabin e Parë Lokal në Komunën e Pejës


Buçan - Pejë 10 prill 2009
Në fshatin Buçan, u bën nderime për Dëshmorët e Kombit, e me këtë rast në shtëpinë ku ishte formuar shtabi i parë lokal i UÇK-së në Komunën e Pejës, u vendos pllaka përkujtimore. Në aktivitet mori pjesë delegacioni i Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, kryesuar nga Smajl Elezaj nënkryetar.
Pllakën e zbuloi ish komandanti i ZO të Dukagjinit Ramush Haradinaj, kryetari i komunës së Pejës Ali Berisha dhe Nazmi Gashi ish komandant i shtabit lokal. Pas rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sulmit policor në Gllogjan të Deçanit, edhe komuna e Pejës nga prilli 1998, filloi formimin e njësive të UÇK-së, Mbrojtjes Civile Territoriale si dhe shtabeve lokale nëpër fshatëra, që ndikoi në shtrirjen e vijës së zjarrit dhe masivizimin e luftës për liri.




Përkujtohen Dëshmorët e Koshares


Koshare 8 prill 2009
Në dhjetëvjetorin e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare të Gjakovës, u bën nderime për Dëshmorët e Kombit. Një delegacion i Organizatës, i kryesuar nga nënkryetari Smajl Elezaj, bëri homazhe para varreve të Dëshmorëve dhe qëndroi me familjarët e dëshmorëve, në kujtim të kësaj dite të shënuar për kombin shqiptar.
Disa ditë pas thirrjes për mobilizim të përgjithshëm, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, kishte organizuar Operacionin Shigjeta, me ç'rast kufiri shqiptaro-shqiptar ishte sulmuar në shumë pika strategjike. Më 8 prill 1999, Brigada 138 e ZO të Dukagjinit, arriti të dëbojë forcat elite të Ushtrisë pushtuese jugosllave nga karaulla e Koshares, duke e hapur kështu kufirin shqiptaro-shqiptar, pas disa dekadash.




Ndërron jetë Luftëtari i UÇK-së Shaban Viqa - BACI


Dubai 6 prill 2009
Me 6 prill në ora 23, në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ka ndërruar jetë ish luftëtari i UÇK-së Shaban Viqa-BACI. Shabani ka qenë furnizuesi kryesor i dy ushtrive shqiptare: UÇPMB dhe UÇ Kombëtare. OVL të UÇK-së shpreh ngushëllimet e veta familjes dhe të gjithë bashkluftëtarëve.




Në pesëvjetorin e vrasjes përkujtohet Kapiten Shaqir Krasniqi


Klinë 6 prill 2009
Një Akademi Përkujtimore u mbajt në Klinë me rastin e pesëvjetorit të vrasjes së luftëtarit të UÇK-së, dhe eprorit të TMK-së Shaqir Krasniqi. Gjithashtu u promovua libri "Shaqir Krasniqi komandant në luftë, kapiten në liri" i Dr. Asllan Krasniqit. Tubimit iu drejtuan kryetari i Klinës Sokol Bashota dhe kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli. Kryetari Xhemajli duke përkujtuar luftën e lavdishme të UÇK-së dhe duke dënuar rastet e burgosjeve e vrasjeve të luftëtarëve të saj pas luftës, mes tjerash theksoi: Të nderuar pjesëmarrës, jemi të pakënaqur me zhvillimin e ngjarjeve të pas luftës. Jemi të indinjuar shumë sepse bashkëluftëtarët tanë u vranë, u burgosën dhe po dënohen me procese të montuara politike, ndërkaç kriminelët e vërtetë, as nuk zbulohen e as nuk zhvillohen hetime ndaj tyre. Të gjithë ata që kanë goditur dhe godasin vlerat e shenjta të kombit, do t’i dënojë gjaku i derdhur e mbi të gjitha do t’i dënojë historia.
Homazhet për Shaqir Krasniqin u bën në Varrezat e Dëshmorëve të Klinës.




Përkujtohet Dëshmori i Kombit Hajredin Bajrami


Lypjan 2 prill 2009
Në dhjetëvjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit, Hajredin Bajrami, të enjten me 2 prill 2009 në Lypjan u mbajt një Akademi Përkujtimore. Në Akademi, ku ishin të pranishme strukturat udhëheqëse të Organizatës si dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike e institucionale, u shfaq filmi dokumentar "Jeta dhe Vepra e Hajredin Bajramit".




OVL të UÇK-së 2000 - 2008