Maj 2009

Përkujtohet Xhemajl Fetahaj


Pejë 27 maj 2009
Me rastin e 10 vjetorit të rënies heroike dhe 45 vjetorit të lindjes së eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dëshmorit të Kombit XHEMAJL METË FETAHAJ, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe KK i Pejës mbajtën një Akademi Përkujtimore, në Kino Teatrin "Jusuf Gërvalla".
Për jetën e veprën e Xhemajl Fetahajt, të pranishmëve iu drejtuan: Ramush Haradinaj ish komandant i ZO të Dukagjinit, Ali Berisha kryetar i Komunës së Pejës, Fazli Veliu ish udhëheqës shumëvjeqar i LPK-së, Alush Shala nga SHP i UÇK-së, Muharrem Xhemajli kryetar i OVL të UÇK-së dhe Adem Grabovci zv.ministër në Qeverinë e Kosovës, bashkëveprimtar i Xhemajl Fetahaj.
Gjithashtu u mbajt edhe një program artistik, me këngë e poezi.




Kryesia e OVL të UÇK-së takohet me presidentin Sejdiu


Prishtinë 25 maj 2009
Një delegacion i Kryesisë së OVL të UÇK-së, kryesuar nga kryetari Muharrem Xhemajli, u takua me presidentin e Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu. Në takim u bisedua rreth statusit të veteranëve të luftës dhe gjendjen e rëndë të tyre. Presidenti Sejdiu u zotua se do të jetë në përkrahje të vlerave të luftës dhe u dakordua se çështja e veteranëve duhet të zgjidhet sa më shpejtë me ligj.




Mirëseardhje për z.Biden


Prishtinë 20 maj 2009
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i shpreh mirëseardhje në Kosovë nënpresidentit amerikan Joseph Biden. Ardhja e tij në Kosovë, është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, duke pasur parasysh përkrahjen e vazhduar të z.Biden, ndaj çështjes sonë kombëtare.
OVL të UÇK-së shpreson që përkrahja e shtetit mik amerikan nuk do të mungojë as në të ardhmen, e kjo vizitë shpresojmë të shënojë avansimin e raporteve mes dy popujve, shqiptarë e amerikan.




Përkujtohen Bahri Fazliu dhe Agron Rahmani


Prishtinë 18 maj 2009
Me rastin e 11 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, u mbajt një Akademi përkujtimore. Në emër të OVL të UÇK-së, për kontributin e Bahriut dhe Agronit, foli Faton Klinaku sekretar. Kujtime për Bahriun dhe Agronin, evokuan edhe bashkëveprimtarët e tyre Smajl Latifi, Rexhep Morina dhe Brahim Mehmetaj. Gjithashtu u mbajt një program i pasur artistik.




Shënohet Dita e Çlirimit të Shqiponjës


Shqiponjë 17 maj 2009
Në Shqiponjë të Gjakovës, në një manifestim jubilar, është shënuar 10-vjetori i çlirimit. Të pranishmëve iu drejtuan Pal Lekaj kryetar i komunës së Gjakovës, Muharrem Xhemajli kryetar i OVL të UÇK-së, deputeti Nait Hasani si dhe ish-komandanti i ZO te Dukagjinit Ramush Haradinaj.
Gjatë fjalimeve, përveç se u kujtua kontributi i fshatit Shqiponjë në luftën e UÇK-së dhe dëshmorët e kombit, u shpreh shqetësimi edhe për gjeneral Lahi Brahimaj që padrejtësisht po mbahet në Hagë, pas një procesi të montuar politik.
Në këtë manifestim u mbajt edhe një program i pasur artistik.




Me nderime të larta varroset atdhetari Smajl Haradinaj


Gllogjan 15 maj 2009
Mijëra qytetarë ishin mbledhur në Gllogjan për t'i dhënë lamtumirën e fundit atdhetarit Smajl Haradinaj. Nderime u bënë edhe në shtëpinë e tij, ku u themeluan celulat e para të LNÇKVSHJ-së. Gjithashtu në këtë shtëpi ishte themeluar dhe kishte vepruar Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së.
Në ceremoninë e varrimit, fjalë rasti mbajtën kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Ramiz Alia, deputeti Hydajet Hyseni, ish-komandanti i ZO të Dukagjinit Ramush Haradinaj si dhe Rasim Selmanaj.




Përkujtohet Dëshmori i Kombit Qamil Ilazi - Bardhi


Prishtinë 14 maj 2009
Në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Kaçanikut z.Xhabir Zharku, u përkujtua komandanti i Brigadës 162 "Agim Bajrami", Qamil ILAZI - BARDHI. Në akademi u vlerësua lartë kontributi i komandant Bardhit, në 10 vjetorin e rënies së tij heroike. Të pranishmëve iu drejtuan Xhabir Zharku ish epror i lartë i UÇK-së si dhe Shukri Buja komandant i ZOnës Operative të Nerodimes.
Në emër të Organizatës, një fjalim rasti mbajti kryetari Muharrem Xhemajli, i cili mes tjerash theksoi: Lufta dhe angazhimi i luftëtarëve të UÇK-së rezultoi me krijimin e shtetësisë së Kosovës që është vetëm një pjesë e amanetit të dëshmorëve. Pas këtyre të arriturave, angazhimi për çështjen kombëtare nuk përfundon këtu, bile sot kërkohet angazhim shumë më i madh sepse jemi në rrethana shumë më të favorshme, për t’i dhënë shije dhe kuptim lirisë. Gjithashtu u mbajt edhe një program i pasur artistik.




Përkujtohet Dëshmori i Kombit Nikollë Dodaj


Gjakovë 11 maj 2009
Në Pallatin e Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, u mbajt Akademia Jubilare, me rastin e 10 vjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit Nikollë Dodaj. Të pranishmëve, iu drejtuan Pal Lekaj kryetar i KK Gjakovë, Naim Maloku ish epror i UÇK-së dhe Fatos Salihaj bashkëluftëtar i Dëshmorit.
Në emër të Organizatës, një fjalim rasti mbajti kryetari i Degës së Gjakovës, Sadri Hoxha, i cili foli për lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendjen e kategorive të dalura nga lufta. Gjithashtu u mbajt edhe një program i pasur artistik.




Përkujtohet Beteja e Llapushnikut


Llapushnik 9 maj 2009
Me rastin e 11 vjetorit të betejës së Llapushnikut, në fshatin Llapushnik të Drenasit u mbajt një manifestim, ku morën pjesë mijëra qytetarë. Në emër të Organizatës, të pranishmëve iu drejtua kryetari Muharrem Xhemajli, i cili foli për rëndësinë që kishte Beteja e Llapushnikut, në luftën çlirimtare.
Në Lapidarin e Dëshmorëve dhe Martirëve, u vendosën kurora lulesh dhe u bën homazhe, duke përkujtuar kështu lavdinë dhe fitoren e madhe të UÇK-së, kundër forcave jugosllave, maj të vitit 1998.




Ndërroi jetë atdhetari Smajl Haradinaj


Prishtinë 7 maj 2009
Të martën, më 5 maj 2009, në Suedi, pas një sëmundje të gjatë, si pasojë e torturave të përjetuara në burgjet jugosllave, në moshën 66-vjeçare ka ndërruar jetë atdhetari i përmasave gjithëkombëtare, mësuesi SMAJL (XHEMAJL) HARADINAJ (1943), nga Gllogjani i Deçanit.
Smajl Haradinaj është njëri prej ideologëve dhe organizatorëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare të viteve ’70-’80-të, bashkëveprimtar i Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës etj., kryetar i Komitetit të Vendit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare nën ish-Jugosllavi (LNÇKVSHJ) në Deçan dhe për një periudhë edhe kryetar i të gjitha Komiteteve të Rretheve të LNÇKVSHJ-së që vepronin brenda në Kosovë. I dënuar në gusht të vitit 1981 me 14 vjet burgim për veprimtari atdhetare. Është njëri prej të burgosurve politikë më të torturuar e më të keqtrajtuar në burgjet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, por që kurrë nuk u nënshtrua para dhunës jugosllave.
Në veprimtarinë ilegale të kohës i aktivizoi edhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, tre djemtë dhe dy vajzat, të cilët kush më pak e kush më shumë u burgosën e persekutuan nga regjimi i kohës. Mësuesi Smajl Haradinaj, me shembullin e tij edukoi breza të tërë se si duhet qëndruar e luftuar për atdhe.
Për kohën e varrimit, opinioni do të informohet me kohë, ndërsa ngushëllimet në familjen Haradinaj fillojnë nga dita e enjte, 7 maj 2009.




Aktivitetet e delegacionit të OVL të UÇK-së në Tiranë


Tiranë 5-6 maj 2009
Në ditën e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, delegacioni i Organizatës i kryesuar nga kryetari Muharrem Xhemajli, bëri homazhe tek Monumenti "Nënë Shqipëri" dhe Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Gjithashtu, kurora me lule u vendosën edhe pranë bustit të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Tiranë.
Me 6 maj, në Pallatin e Brigadave, delegacionin e Organizatës e priti Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bamir Topi. Në takim u bisedua për çështje me rëndësi për të dyja palët dhe u dakordua që të vazhdojë bashkëpunimi mes OVL të UÇK-së dhe Presidencës, në respektimin dhe kultivimin e vlerave kombëtare. Delegacioni i Organizatës në këtë takim shoqërohej edhe nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, z.Gazmend Pula.
Delegacioni i OVL të UÇK-së, u takua edhe me veteranë të LANÇ-së, takim në të cilin u evokuan kujtime për heronjtë dhe dëshmorët e të dyja luftërave çlirimtare të viteve 1939-1944 dhe 1998-1999. Ishte një takim vëllezëror në mes të dy brezave të luftëtarëve.


Po ashtu, me 6 maj, në orët e pasditës, delegacionin e Organizatës i cili shoqërohej nga z.Gazmend Pula, e priti edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z.Sali Berisha. Kryeministri Berisha shprehu nderimin e thellë për trimërinë, vetmohimin dhe heroizmin e luftëtarëve të UCK-së, duke nënvizuar se shqiptarët përjetësisht u detyrohen atyre, të cilët u treguan të pamposhtur, duke mbrojtur dinjitetin e kombit. Kryetari Muharrem Xhemajli falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, duke e uruar njëkohësisht për antarësimin e Shqipërisë në NATO. Delegacioni i OVL të UÇK-së gjithashtu vlerësoi lart rolin që do të ketë rruga Durrës-Morinë, në lidhjet dhe shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Kosovës.




I ipet lamtumira e fundit Komandant Gjonit


Jezerc 6 maj 2009
Aksidentalisht, në moshën 40 vjeqare u nda nga jeta veterani i UÇK-së Hysni Guta - Komandant Gjoni. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me nderimet më të larta i dha lamtumirën e fundit, njërit nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së. Mbledhja Komemorative u mbajt në shkollën e fshatit Jezerc, e varrimi u bë në të njëjtin fshat, nga trupat uniformuar të Organizatës.
Me mijëra bashkëluftëtarë e qytetarë nga e tërë Kosova ishin mbledhur në Jezerc për të nderuar jetën e veprën e Hysniut, e i fundit që u nda nga bashkëluftëtari, ishte Daut Ilazi - Shpati, anëtar i Kryesisë së Organizatës.




Shënohet 5 Maji Dita e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar


Tiranë 5 maj 2009
Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, një delegacion i OVL të UÇK-së, kryesuar nga Muharrem Xhemajli, po qëndron në Tiranë. Delegacioni i Veteranëve të UÇK-së, do të marrë pjesë në të gjitha manifestimet që organizohen nga shteti shqiptar, me rastin e kësaj dite të madhe.
Gjatë vizitës, delegacioni i Organizatës, do të zhvillojë takime me udhëheqës të ndryshëm shtetëror, duke përfshirë edhe presidentin e Republikës së Shqipërisë z.Bamir Topi.
Manifestime me rastin e 5 majit, do të mbahen edhe në Kosovë dhe Maqedoni.




OVL të UÇK-së 2000 - 2008