| |
Qershor 2009
Mbahet mbledhja e dytë e Këshillit Drejtues
Likoc 27 qershor 2009
Pas homazheve në varrezat e Jasharajve në Prekaz, në Likoc të Skënderajt, në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i zhvilloi punimet Këshilli Drejtues, organi më i lartë i OVL të UÇK-së mes dy kuvendeve. Pas leximit, diskutimit dhe miratimit të raportit të punës dhe atij financiar, Këshilli Drejtues vendosi për themelimin e Sektorit të Punësimit, mbrojtjes juridike dhe shëndetësore, si dhe Togut të Nderit. Gjithashtu në Këshill, u diskutuan dhe u morën vendime e rekomandime të nevojshme për çështje të ndryshme, me të cilat preokupohet Kryesia e Organizatës dhe zyret e degëve.
Grupi punues qeveritar nis punën për ndryshimin e Ligjit për vlerat e luftës
Prishtinë 26 qershor 2009
Me qëllim të modifikimit dhe finalizimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02 – L/2 për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës, sot ka nisur punën Grupit punues qeveritar, i cili synon që së shpejti ta dërgojë në Kuvend projektligjin me ndryshime, në mënyrë që si i tillë të jetë i zbatueshëm dhe sa më afër kërkesave të Organizatave të Luftës së UÇK-së. Grupi punues u formua në bazë të një marrëveshje mes OVL të UÇK-së dhe kryeministrit Thaçi, në fund të prillit 2009. Në këtë grup punues përveç 3 antarëve që vijnë nga OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, marrin pjesë edhe 2 përfaqësëues nga ZKM dhe 7 përfaqësues nga ministritë: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Energjetikës dhe Minierave, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Arsimit. Kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli, shprehu optimizmin e vet se ky grup pune, në afatin sa më të shpejt kohor, do të paraqes para Kuvendit një draft i cili do të përmbajë kërkesat e OVL të UÇK-së.
Reagim kundër arrestimit të Agim Çekut
Prishtinë 25 qershor 2009
Kryesia e Organizatës, ka bërë një reagim kundër arrestimit të Agim Çekut nga autoritetet bullgare. Në reagim thuhet: Arrestimi i Agim Çekut, ish shef i SHP të UÇK-së, është një veprim i pakuptimtë, që nuk e kemi pritur të ndodh nga një shtet që e ka pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Kërkojmë që të mos bëhen këso lojëra me luftëtarët e UÇK-së, pasiqë është e papranueshme të arrestohen në bazë të akuzave që i ka lëshuar një regjim kriminal e gjenocidal, regjimi i Millosheviqit, kundër të cilit ne kemi luftuar dhe që i njëjti është gjykuar e dënuar edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Ne ju bëjmë thirrje autoriteteve bullgare që sa më shpejtë ta lirojnë Agim Çekun, duke shpresuar që institucionet e vendit të bëjnë të pamundurën, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar, që këto raste të mos përsëriten.
Kryesia e Organizatës takon kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj
 Prishtinë 24 qershor 2009
Një delegacion i Kryesisë së Organizatës, kryesuar nga Muharrem Xhemajli, zhvilluan një takim me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, në selinë e kësaj partie. Në takim u bisedua rreth avansimit të ligjit për veteranët e luftës, me ç'rast kryetari Muharrem Xhemajli kërkoi mbështetjen e deputetëve të AAK-së në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu u bisedua rreth projektit të ndërtimit të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në anën tjetër z.Haradinaj, shprehu mbështetjen e plotë të tij dhe AAK-së, për veteranët e luftës, si për amandamentimin e ligjit ashtu edhe për projektin e Varrezave të Dëshmorëve. Gjithashtu, z.Haradinaj, theksoi se është më së e nevojshme që statusi i veteranëve të luftës së UÇK-së të jetë i rregulluar me ligj dhe që përkrahja institucionale të shtrihet si në nivel qendror ashtu edhe nëpër komunat e Kosovës. Z. Haradinaj dhe z. Xhemajli u dakorduan që veteranët e UCK-së mundën dhe kanë kapacitete për të ofruar ndihmën e tyre në procesin e zhvillimit dhe avancimit të shtetit të pavarur.
Komunat e Kosovës, festojnë ditët e çlirimit
Kosovë 12 - 20 qershor 2009
Me rastin e 10 vjetorit të çlirimit të Kosovës, nëpër komuna janë duke u mbajtur manifestime për këtë përvjetor jubilar. Delegacione të OVL të UÇK-së, po marrin pjesë nëpër këto manifestime, në shumë komuna edhe si bashkëorganizues. Me 12 qershor, manifestimet për ditën e çlirimit u mbajtën në Ferizaj, Prizren e Shtime. Në Shtime u ndanë medalet për luftëtarët e UÇK-së. Me 14 qershor manifetimi u mbajt në Drenas, ndërkaç me 16 qershor në Pejë, Malishevë e Deçan. Manifestime për ditën e çlirimit do të mbahen deri më 20 qershor, e më 17 qershor do të mbahet në Vushtrri.
OVL të UÇK-së falenderon NATO-n me rastin e 10-vjetorit të hyrjes në Kosovë
Prishtinë 11 qershor 2009
Me rastin e 10 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së çmon kontributin e Aleancës Veriatlantike, e cila në kohët më të vështira, ishte përkrah popullit shqiptar.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfundoi me fitore dhe me dëbimin përfundimtar të forcave jugosllave nga Kosova. Ndihma e dhënë nga aleatët, erdhi në kohën e duhur. Goditjet nga ajri, që në një masë të madhe shkatërruan infrastrukturën e prapavijën e armikut, lehtësuan realizimin e operacioneve tokësore të UÇK-së.
Ne nderojmë angazhimin e këtyre forcave në ruajtjen e paqes dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në trajnimin e kapaciteteve vendore. Popujt liridashës të vendeve aleate, do të kenë përkrahjen e popullit liridashës shqiptar. thuhet në falenderimin e Kryesisë së Organizatës.
OAK dhe OVL të UÇK-së dakordohen për bashkëpunim Prishtinë 9 qershor 2009
Drejtuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës, kryesuar nga Musa Dragusha, kanë zhvilluar një takim me kryesinë e Organizatës. Avokatët e Kosovës, përgëzuan zgjedhjen e Kryesisë së Organizatës dhe shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim, në çështje me rëndësi për të dyja palët. Palët u dakorduan edhe në nënshkrimin e shpejtë të një memorandumi mirëkuptimi, nga i cili avokatët do të përfshiheshin në procesin e finalizimit të ligjit për kategoritë e luftës së UÇK-së. Në takim u bisedua për organizimin e trajnimeve për studentët e juridikut që ju takojnë kategorive e luftës, ku OAK shprehu mbështetje të plotë. Drejtuesit e OAK, shprehën gadishmërinë e tyre edhe në mbrojtjen e veteranëve të luftës, në procese gjyqësore, nëse e kërkon nevoja edhe në mënyrë të organizuar.
Kryesia e Organizatës takohet me ministrin Sadri Ferati Prishtinë 8 qershor 2009
Një delegacion i Kryesisë së Organizatës, kryesuar nga nënkryetari Smajl Elezaj, zhvilloi një takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit lokal z.Sadri Ferati. Nënkryetari Smajl Elezaj, në takim përshkroi organizimin e OVL të UÇK-së dhe strukturën e saj organizative. Gjithashtu ai foli për problemet e veteranëve të luftës, duke filluar nga gjendja e rëndë ekonomike-sociale e deri tek problemet shëndetësore. z.Elezaj theksoi se këto probleme duhet të trajtohen sa më parë me një ligj, i cili do të duhet të përkujdeset për veteranët e UÇK-së. Nënkryetari Smajl Elezaj gjithashtu kërkoi nga Ministri Ferati, që të ushtrojë ndikimin e tij tek komunat, në mbështetjen financiare për zyret e degëve të Organizatës.
Ministri Sadri Ferati theksoi se veteranët janë kategori që me të drejtë presin përkrahje nga institucionet. Z.Sadri Ferati premtoi se do ta ushtrojë ndikimin dhe autoritetin e tij tek kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, që të kenë çasje më të mirë për veteranët.
Piknik i Luftëtarëve në Kaçanik Kaçanik 7 qershor 2009
Në organizim të Degës së OVL të UÇK-së në Kaçanik, luftëtarët e Kaçanikut, u mblodhën në një piknik në fshatin Ivajë, ku u evokuan kujtime nga lufta çlirimtare. Ishte ky një takim, ku ishin të ftuar të gjithë luftëtarët e kësaj komune, e pjesëmarrja ishte mjaft e kënaqshme. Me luftëtarët e Kaçanikut, qëndruar edhe musafirët: Rrustem Mustafa - komandant Remi, Alush Shala dhe Sefedin Morina.
Me aktivitete të ndryshme në 4 komuna, nderohet vepra e dëshmorëve të UÇK-së Klinë, Mitrovicë, Pejë dhe Deçan 6 qershor 2009
Në Qabiq të Klinës u bë hapja e manifestimit tradicional për nder të Dëshmorit të Kombit Mujë Krasniqi - Komandant Kapuçi, ndërsa në qendër të Klinës, u zbulua shtatorja e tij. Këto aktivitete i paraprinë Festivalit Folklorik "I këndojmë lirisë", që tradicionalisht organizohet në Klinë, për nder të Mujë Krasniqit. Ndërsa në Mitrovicë, me homazhet që u bën në Kompleksin Memorial në Shipol, nisi shënimi i "Ditës së Dëshmorëve të komunës së Mitrovicës", që vazhdoi me manifestimin qendror në Palestrën e Sporteve. Në Ruhot të Pejës, u përkujtua Dita e Çlirimit të fshatërave Ruhot, Trefis dhe Arbanë. Pas nderimeve në Varrezat e Dëshmorëve, u ngrit flamuri në qendër të fshatit Ruhot, në dhjetëvjetorin e ngritjes së tij në vitin 1999, kur këto 3 fshatëra u shpallën zonë e lirë. Në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit, u bën homazhe tek vari i Dëshmorit të Kombit Jeton Dedushaj nga Peja, në dhjetëvjetorin e rënies së tij.
Përkujtohen Dëshmorët e Kombit Ibrahim Mazrekaj, Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu dhe Milaim Beha Prishtinë 2 qershor 2009
Në 10-vjetorin e rënies heroike të Dëshmorëve të Kombit Ibrahim Mazrekaj, Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu dhe Milaim Beha, Organizata e Veteranëve të UÇK-së i përkujtoi në një akademi përkujtimore. Ibrahimi, Ejupi, Kujtimi dhe Milaimi ishin luftëtarë të Brigadës 121 Kumanova, në njësinë speciale "Arbri", dhe ranë heroikisht në mbrojtje të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Varroset veterani i luftës Besim Mehmetaj Trubuhovc 1 qershor 2009
Në Trubuhovc të Burimit, në prani të qindra bashkëluftëtarëve e qytetarëve, iu dha lamtumira e fundit veteranit të luftës Besim Mehmetaj. Besimi pas luftës çlirimtare kishte qenë i angazhuar edhe në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Nga bashkëluftëtari, me nga një fjalë rasti u ndanë, Adem Grabovci dhe Naim Gjuraj. Ne emër të OVL të UÇK-së, foli kryetari i degës së Burimit Halil Blakaj. Pas vdekjes tragjike një ditë më herët, Besimi u varros me nderime të larta ushtarake, nga Togu i Nderit të Organizatës, në fshatin e tij të lindjes.
Përkujtohet GjeneralNënkolonel Rasim Kiçina Prishtinë 1 qershor 2009
Në një akademi përkujtimore, në 10-vjetorin e rënies heroike, u përkujtua Gjeneral Nënkolonel Rasim Kiçina. Për jetën dhe veprën e tij, folën kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli dhe kryeministri i Republikës z.Hashim Thaçi. Gjithashtu, presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, ka dekoruar Rasim Kiçinën, me urdhërin "Hero i Kosovës". Me këtë akademi u përmbyllën aktivitetet për kujtimin e Gjeneral Nënkolonel Rasim Kiçinës, që u mbajtën gjatë javës së fundit në Drenas.
|
|
| | |