| |
Korrik - Shtator 2009
Kryesia e OVL të UÇK-së dhe kryetarët e Degëve reagojnë kundër nënshkrimit të protokolit EULEX-Serbi
Prishtinë 14 shtator 2009
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas takimit të Kryesisë me kryetarët e degëve edhe njëherë, shprehë indinjatë të thellë, lidhur me nënshkrimin nga EULEX-i, të marrëveshjes me Serbinë. Ne mbajmë të njëjtin qëndrim kundërshtues, duke kërkuar që çdo marrëveshje ndërkombëtare, duhet së pari të jetë e nënshkruar dhe e ratifikuar vetëm nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Si pasojë, protokoli i nënshkruar EULEX-Serbi, do të konsiderohet i paligjshëm dhe i pazbatueshëm në Kosovë.
I rikujtojmë EULEX-it, se misioni i tyre është i përkohshëm dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të përkujdeset me të gjithë mekanizmat që i disponon, që ky mision të jetë sa më i shkurtër dhe që sa më shpejt të largohet nga Kosova. Kosovës, nuk i është dashur UNMIK-u e as ndonjë mision që sot po provon të luajë rolin vasal të tij.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i bën thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, që të mos bashkëpunojnë në zbatimin e protokolit EULEX-Serbi dhe i njëjti, të mbetet vetëm në letër.
Kryesia e OVL të UÇK-së i drejtohet me letër të hapur EULEX-it
Prishtinë 4 shtator 2009
Në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë me 4 shtator 2009, Kryesia e OVL të UÇK-së, iu drejtua me një letër të hapur misionit të EULEX-it dhe shefit të saj Yves de Kermabon. Përmbajtja e letrës është me sa vijon:
Pas përfundimit të krizës ndërkombëtare në Kosovë, e tërë diplomacia botërore, në rend të parë OKB-ja dhe BE-ja, bindshëm deklaroi se u krijuan kushtet për stabilitet politik në tërë Evropën Juglindore. Filluan të zhvillojnë me të madhe nevojën e afirmimit të tolerancës si filozofi të paqes së përhershme, prosperitetit dhe stabilitetit si imperativ i koekzistencës në këto territore. Të gjithë popujt e Evropës Juglindore kanë qenë viktima të një sistemi dhe ideologjie shtetërore, tragjike për të gjithë. Veçanërisht kjo tragjedi kombëtare reflektoi për shqiptarët jashtë shtetit amë.
Nisur nga ky fakt, Bashkësia Evropiane, në fillim të viteve 2000, nisi iniciativën për krijimin e Paktit të Stabilitetit të cilin është dashur ta nënshkruajnë të gjitha shtetet e Evropës Juglindore. Por, siç dihet ish Jugosllavia, e më pas Serbia, ishin kundërshtar të këtij pakti me të vetmin qëllim që të pengojnë Kosovën, që juridikisht t’i fitojë elementet shtetërore. Edhe pse Evropa vet e inicoi këtë veprim, kurrë nuk e realizoi këtë obligim.
Evropa përmes ca makinacioneve të termave të jurisprudencës ndërkombëtare, kinse me të ashtuquajturat marrëveshje teknike dhe protokole, po tenton që Kosovën ta konsiderojë ende si territor të Serbisë, duke eliminuar të drejtën në nënshkrimin e Paktit të Stabilitetit në Evropën Juglindore.
Lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, Kryesia e OVL të UÇK-së shpreh këto qëndrime:
- OVL të UÇK-së është kategorike në mosrespektimin e cilitdo protokol eventual EULEX-Serbi
- OVL të UÇK-së nuk pajtohet që për shtetin e pavarur të Kosovës, të vendosë tjetërkush në vend të institucioneve legale e kushtetuese të saj.
- OVL të UÇK-së nuk pranon asnjë akt të Bashkësisë Evropiane, që dëmton çështjen shtetërore të Kosovës e që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk pranon asnjë akt juridik që nuk përputhet e që nuk është në harmoni me nenin 17 të Kushtetutës së Kosovës.
- OVL të UÇK-së është kundër politikës dyanësore të EULEX-it kur janë në pyetje shqiptarët dhe serbët, siç qe rasti i demonstratave të “Vetëvendosjes” dhe ndërtimeve në Kroin e Vitakut në Mitrovicë.
- OVL të UÇK-së konsideron se EULEX, nuk ka të drejtë të thirret në rezoluten 1244, pasiqë ky akt nuk është i BE-së, por i OKB-së, nisur nga fakti se shumica dërmuese e shteteve të BE-së e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës
- OVL të UÇK-së është e paluhatshme në qëndrimet e saj, sepse përfaqëson interesat kombëtare të luftës së UÇK-së. Nëse këtë nuk e kuptoni dhe mirëpritni, dijeni se kundër vullnetit tonë, Ju po i stimuloni tribunët nacionalist e fashist të Serbisë, të cilët mezi presin që sërish Evropën Juglindore të fusin në një labirinth të ndër revanshizmave, i cili do të jetë vërtetë humnerë e civilizimeve botërore.
KMDVL shuan aktivitetin
Prishtinë 24 korrik 2009
Me 24 korrik 2009, Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e përfaqësuar nga nënkryetarët Smajl Elezaj dhe Fatmir Shurdhaj, sekretari Faton Klinaku dhe anëtari i Kryesisë Daut Ilazi, zhvilloi një takim me disa bashkëluftëtarë të kryesuar nga Xhevdet Qeriqi dhe Vesel Aruqi, të cilët vitin e kaluar kishin themeluar KMDVL. Ky këshill, kishte organizuar një grevë urie në muajin prill, si dhe disa protesta, në të cilat kishin kërkuar avansimin e të drejtave të veteranëve e invalidëve të luftës. Protesta e fundit që u mbajt nga ky këshill, më 15 e 16 korrik 2009, kishte eskaluar me veprime të dhunshme, por fatmirësisht pa viktima. OVL të UÇK-së, si e vetmja përfaqësuese e të gjithë luftëtarëve, në vazhdimësi kishte bërë apel, që ende nuk janë harxhuar mundësitë që çështja e avansimit të ligjit të vlerave të luftës, të zgjidhet në mënyrë institucionale. Duke u nisur nga ky fakt, OVL të UÇK-së, kishte kërkuar që të mos bëhen greva e protesta, të paktën pa u provuar të gjitha mundësitë ligjore. Pas takimeve me krerët e institucioneve dhe partive kryesore politike në Kosovë, një komision qeveritar ku përfaqësohen edhe veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve, kishte filluar punën në përgaditjen e draftit që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Në takimin e 24 korrikut, në mes bashkëluftëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, Kryesinë e OVL të UÇK-së, është dakorduar, që KMDVL të shpërbëhet dhe të shuajë aktivitetin e vet. Është shprehur besim i plotë i KMDVL, që Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po i mbron në mënyrë dinjitoze të drejtat e kategorive të luftës, si dhe përkrahja e tyre e plotë që do t’i japin Organizatës në të ardhmen. I pranishëm në takim, ishte edhe këshilltari i kryeministrit për çështjet e veteranëve, z.Faik Fazliu, i cili kishte përshëndetur në emër të qeverisë, marrëveshjen e arritur, duke theksuar se në mënyrë institucionale, çështjet e kategorive të luftës, do të zgjidhen ashtu siç është më së miri.
Përkujtohet Gjeneral Major Agim Qelaj Prishtinë 20 korrik 2009
Në 11 vjetorin e rënies, sot në Prishtinë në një akademi përkujtimore u përkujtua Dëshmori i Kombit Agim Qelaj. Akademia u mbajt nën patronatin e kryeministrit Thaqi, ndërsa për jetën dhe veprën e Gjeneral Major Agim Qelaj, folën Adem Grabovci ish anëtar i SHP të UÇK-së, Mujë Rugova bashkëveprimtar dhe Fatmir Shurdhaj bashkëluftëtar. Nënkryetari i OVL të UÇK-së Fatmir Shurdhaj derisa fliste për veprimtarinë e Agimit tha se Me rënien e tij, u bë shembull se si duhet të jetohet e vdiset për Atdhe. Gjeneral Major Agim Qelaj i lindur në Pejë, pasi kishte stërvitur njësitë elite të UÇK-së në Negroc e Kleçkë, kishte udhëhequr operacionet në ZO të Pashtrikut, më ç'rast bie heroikisht në Betejën e Rahovecit.
Fillon rigjykimi i eprorëve të UÇK-së Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti
Prishtinë 6 korrik 2009
Një ditë para fillimit të rigjykimit të Gjeneral Rrustem Mustafa - Remi ish komandant i ZO të Llapit dhe eprorëve të kësaj zone, Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe të ndjerit Naim Kadriu, kryetari i Organizatës, Muharrem Xhemajli, mbajti një konferencë me mediat elektronike dhe te shkruara. Z.Xhemajli, paraqiti mendimin e OVL të UÇK-së, se veprime të tilla kundër luftëtarëve të UÇK-së, konsiderohen si akte politike, të bazuara në deklarata të rrejshme të dëshmitarëve. Aty ku ndikohet gjykatat ndikohen nga politika, nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me drejtësi tha ndër tjerash kryetari Muharrem Xhemajli. Duke folur për pastërtinë dhe karrakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së, tha se shpreson që EULEX, nuk do të përsëris gabimet e qëllimshme të UNMIK-ut. Organizata, do të përcjell këtë proces në vazhdimësi, duke besuar plotësisht në pafajësinë e bashkëluftëtarëve dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.
|
|
| | |