| |
Tetor - Dhjetor 2009
Shënohet Dita e Veteranit
Prishtinë 31 dhjetor 2009 veteranët e UÇK-së, shënuan ditën e tyre, kësaj radhe në kryeqytetin e Kosovës. Nga Pallati i sporteve, rreth 600 veteranë të UÇK-së të uniformuar, marshuan përgjatë rrugës Luan Haradinaj, sheshit Nëna Tereze dhe rrugës Agim Ramadani, për t'u tubuar në Sallën 1 tetori, ku u mbajtën fjalime rasti dhe kokteji me rastin e kësaj feste. Të pranishmëve iu drejtuan Muharrem Xhemajli kryetar i OVL të UÇK-së, Adem Demaçi ish Përfaqësues i Zyres së UÇK-së në Prishtinë dhe Bashkim Jashari, i biri i Dëshmorit të Kombit Hamzë Jashari. Pas një programi artistik, të pranishmëve iu ofrua një koktej rasti.
NJOFTIM
Prishtinë 14 dhjetor 2009 Në 11 vjetorin e rënies së Komandantit Mujë Krasniqi - Kapuçi, organizohet Akademi Përkujtimore, ku do të përkujtohen 165 dëshmorët e Brigadës 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe 41 dëshmorët e rënë në kufi me 14 dhjetor 1998. Akademia mbahet të hënën me 14 dhjetor 2009, ora 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Pjesëmarrja juaj nderon Luftën e UÇK-së dhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit.
Kryesia e OVL të UÇK-së pret delegacionin e Veteranëve të Kroacisë
Prishtinë 12 dhjetor 2009 Kryesia e OVL të UÇK-së, ka pritur në takim delegacionin e veteranëve të Kroacisë. Delegacioni i cili shoqërohej nga shefi i zyres se TMK-se Gjeneral Brigade Shaban Shala, përbëhej nga Koloneli në pension Ivica Panxha - Orkan, Kolonel Drazhen Vodopija, këshilltar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacise dhe Xhavit Demiqi vullnetar i luftës në Kroaci. Delegacioni i cili më herët kishte vizituar familjen e Dëshmorit të Kombit Bekim Berisha - Abeja, bisedoi me Kryesinë e Organizatës, për tema me rëndësi të veçantë për të dyja palët.
Kryesia e OVL të UÇK-së përjashton Gani Gecin
Prishtinë 10 dhjetor 2009 Kryesia e OVL të UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur me 10 dhjetor 2009, ka marrë vendim për përjashtimin e Gani Gecit nga Organizata. Teksti i vendimit është me sa vijon: 1.Përjashtohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gani Geci, i lindur me 20 janar 1968 në Llaushë Komuna e Skënderajt. Kryesia e ka marrë këtë vendim në bazë të kompetencave të saj, që ia jep Statuti i Organizatës, neni 15 alinea 2. Arsyetimi: I lartëcekuri, ka bërë shkelje të rëndë të tri pikave të Statutit të OVL të UÇK-së, dhe atë të nenit 15 alineja 1, pikat a, b dhe e, që janë: a)Shkelja e Programit, Statutit, rregulloreve, vendimeve, apo akteve tjera të organizatës b)Shkelja dhe njollosja e vlerave të luftës së UÇK-së e) Vendosja e interesave partiake, apo interesave tjera mbi interesat e organizatës 2. Kryesia e OVL të UÇK-së, ua tërheq vërejtjen të gjithë anëtarëve të Organizatës, që t’u përmbahen: Programit, Statutit të OVL të UÇK-së dhe Kodit të Etikës së Veteranit.
Deklaratë e Kryesisë së OVL të UÇK-së në një konferencë për media
Prishtinë 7 dhjetor 2009 I. I bëjmë thirrje Kryetarit të Kuvendit Z. Jakup Krasniqi, të mos lejoj që foltorja e Kuvendit të përdoret për çështje private e të fushatës zgjedhore e aq më pak të sulmohet UÇK dhe udhëheqja e saj. Me datën 05.12.2009, deputeti Gani Geci pa fije turpi, publikisht e mohon luftën e UÇK-së duke thënë: ‘se nuk ka pasur luftë por puç kundër Ibrahim Rugovës dhe se kur ka krisur një plumb ne kemi ikur tri katunde larg’. Ja kujtojmë deputetit Geci dhe të gjithë atyre që mendojnë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bër puç ndaj Ibrahim Rugovës se: - Vendi ynë ka qenë i robëruar nga pushtuesi serb dhe për këtë qëllim është bërë luftë çlirimtare ku nga radhët e saj kanë rënë 2500 luftëtarë-dëshmorë, 2654 kanë mbetur invalidë ndërsa nga radhët e pushtuesit me mijëra policë, ushtarë dhe mercenarë janë vrarë dhe plagosur; - UÇK, si ushtri çlirimtare është njohur nga bota demokratike që nga 28 qershori 1998. II. I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë, që të kryejnë punën e tyre e të mos ketë ndërhyrje nga jashtë, njerëzit me ndikim dhe nga politika ashtu siç ka ndodhur deri më tani. III. Klasës politike të Kosovës, i bëjmë thirrje që gjatë fushatës zgjedhore të prezentojnë programet për zhvillimin e vendit e mos të përdorin fjalorë me gjuhën e urrejtjes dhe ndarjes.
Delegacioni i veteranëve të Kosovës qëndroi në Tiranë për festat e Nëntorit
Tiranë 28-30 nëntor 2009 Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjës së Republikës së Shqipërisë dhe OBVL të Shqipërisë, një delegacion i veteranëve të Kosovës qëndroi në Tiranë për festat e Nëntorit. Delegacioni përbëhej nga veteranët e UÇK-së, si dhe veteranët e LANÇ, dhe kryesohej nga kryetari i OVL të UÇK-së Muharrem Xhemajli. Gjatë qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, delegacioni shoqërohej edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z.Gazmend Pula.
Delegacioni e filloi ditën e 28 nëntorit, duke vendosur kurora lulesh tek busti i Komandantit Legjendar Adem Jashari në 54 vjetorin e lindjes së tij. Gjithashtu, u bën homazhe të Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe tek monumenti "Nënë Shqipëri". Veteranët e Kosovës, morën pjesë edhe në të gjitha aktivitetet e tjera të organizuara nga shteti shqiptar me rastin e festave të nëntorit.
Urim për 28 nëntorin
27 nëntor 2009 Me rastin e 97 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, daljes publike të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i uron kombit shqiptar 28 Nëntorin, me dëshirën që së bashku të ruajmë vlerat e larta dhe lavdinë që e sjellë kjo festë. Kjo ditë përkujton luftërat e parreshtura për çlirim nga pushtuesit, që kanë bërë shqiptarët gjatë historisë.. Historia jonë e lavdishme na bënë të ndihemi krenar, dhe të vazhdojmë përpara me po të njëjtën krenari, sepse nesër edhe ne do të jemi pjesë e kësaj historie të lavdishme, dhe pasardhësit tanë do të na kujtojnë, siç i kujtojmë ne paraardhësit tanë: me mburrje dhe përulje. Urime festa e Flamurit, 28 Nëntori!
Urim për Kurban Bajramin
26 nëntor 2009 Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë besimtarëve ua uron këtë ditë të madhërishme, me dëshirën që të kenë mirëqenje dhe harmoni në familjet e tyre.
Zbulohet busti i Komandant Kumanovës
Prishtinë 25 nëntor 2009 Nën patronatin e OVL të UÇK-së Dega Malishevë, të shtunën me 28 nëntor 2009, në shkollën fillore "Ismet Jashari - Kumanova", në fshatin Temeqinë të komunës së Malishevës, në ora 11, zbulohet busti i Dëshmorit të Kombit Ismet Jashari - Komandant Kumanova.
NJOFTIM
24 nëntor 2009 Në Banjë të Malishevës, të marten me 24 nëntor 2009, ora 13, bëhet varrimi i Kadri Limaj, babai i Fatmir Limaj Komandant Çelikut, ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Kosovës. Në Graboc të Pejës, të marten me 24 nëntor 2009, ora 14, bëhet varrimi i Fahrije Berisha, nëna e Dëshmorit të Kombit, Bekim Berisha, epror i lartë i UÇK-së.
OVL të UÇK-së pranohet në Federatën Botërore të Veteranëve
Prishtinë 23 tetor 2009 Kryetari i OVL të UÇK-së z.Muharrem Xhemajli, nënkryetari Fatmir Shurdhaj si dhe Udhëheqësi i zyres për çështje të veteranëve dhe këshilltari i kryeministrit z.Faik Fazliu, janë duke marrë pjesë në Asamblenë e përgjithshme të 26-të të Federatës Botërore të Veteranëve, e cila po mbahet ne Kopenhagen të Danimarkës prej 19-23 tetor, me pjesëmarrjen e veteranëve nga 65shtete. OVL të UÇK-së ishte pranuar si vëzhguese në Asamblenë e përgjithshme të 25-të në Kuala Lumpur, ndërsa që nga sot, 23 tetor 2009 është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Veteranëve .Pranimi ishte paraparë që të bëhej në ditën e dytë të konferencës, por për shkak të kundërshtimeve nga ana e delegacionit të Sërbisë dhe me arsyetimin se Kosova ende nuk është anëtare e OKB, pranimi i Kosovës ishte shtyre për Asamblenë e ardhshme e cila do të mbahet pas tre vitesh. Pas kësaj delegacioni nga Republika e Kosovës, mori iniciativë dhe hasi në mirëkuptim të disa delegacioneve nga mbarë bota si: Kroacia, Shqipëria, Turqia, Pakistani, Sllovenia, Maroko, Argjentina, Palestina, Izraeli etj, të cilat edhe nënshkruan një memorandum me të cilin kërkuan që edhe njëhere gjatë kësaj seance të vihet në diskutim pranimi i Kosovës në WVF.Pas kësaj Bordi Exekutiv në takimin e tij të mbrëmjes me datën 22 tetor, mori vendim që të futet në votim dhe njëherësh rekomandoi që Kosova, përkatësisht OVL të UÇK-së të pranohet anëtare në WVF. Gjate votimit Kosova u pranua me shumicë absolute, në të cilin kundër ishin Serbia dhe Bosnja (e cila sot përfaqësohej nga serbët e Bosnjës), ndërsa abstenuan Rusia, Danimarka dhe Bullgaria. Delegacioni i Kosovës i falënderoi të pranishmit dhe poashtu u zotua se do të jap kontribut në ruajtjen e vlerave mbarënjerzore dhe do kontribojë për paqe. Delegatët e Asamblesë dhe Udhëheqja poashtu u falënderuan në emër të gjithë veteranëve të Luftës së UCK dhe gjithashtu edhe në emër te Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Delegacioni i OVL të UÇK-së, niset në Asamblenë e Federatës Botërore të Veteranëve
Prishtinë 17 tetor 2009 Delegacioni i OVL të UÇK-së, është nisur sot nga Prishtina drejt Danimarkës, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së 26-të të Federatës Botërore të Veteranëve. Delegacionit të përbërë nga kryetari Muharrem Xhemajli dhe nënkryetari Fatmir Shurdhaj, i është bashkëngjitur edhe këshilltari i kryeministrit për Çështjet e Veteranëve, Faik Fazliu. Ky delegacion, pritet të lobojë për pranimin e OVL të UÇK-së, si anëtare e barabartë e Federatës Botërore të Veteranëve. Organizata, që nga viti 2006 është anëtare e Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës, dhe pranimi në Federatën Botërore, do të ishte një fitore e madhe për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Deklaratë për rastin Kiçina
Prishtinë 13 tetor 2009 Siguria dhe stabiliteti i një shteti varet nga domosdoshmëria e aplikimit dhe zbatimit të drejtë të drejtësisë dhe eliminimit të politikës në punët dhe vendimet e gjyqësorit. Ky parim në ç’do shtet është i shenjtë, që nga kohërat më të lashta. Aty ku politika ndikohet, apo gjykatat janë nën trysninë e saj nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me zbatimin e normave ligjore – por me krijimin e precedentit juridik që është jo vetëm anakronizëm i zbatimit të drejtësisë dhe ligjeve por kjo krijon një praktikë tepër të fortë të dukurisë së arbitrarizmit dhe subjektivitetit të gjyqësorit. Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin shqetësimin, për vazhdimin e praktikave të UNMIK-ut në Kosovë. Për një dekadë me radhë, pas çlirimit të vendit, administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të “drejtësisë”, vazhdimisht ka organizuar komplote për demonizimin e luftës së pastër çlirimtare të UÇK-së dhe sakrificës së kombit shqiptar për liri. Dënimin e këtyre bashkëluftëtarëve e konsiderojmë si akt politik, i cili pos tjerash bazohet edhe në deklaratat e rrejshme apo të nxjerrura me trysni ose premtime nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Kërkojmë që këto praktika të marrin fund, e në Kosovë të vendoset një sistem i drejtësisë i cili do të ndjekë kriminelët, e jo të ndjekë ata që sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit.
Uzurpimi nga ana e Malit të Zi të një pjese të territorit të Kosovës, është shkelje e rëndë e integritetit territorial
Prishtinë 9 tetor 2009 Uzurpimi nga ana e Malit të Zi të një pjese të territorit të Kosovës, është shkelje e rëndë e integritetit territorial. Edhepse Mali i Zi e ka njohur shtetësinë dhe sovranitetin tone në kufijtë ekzistues, tregon se autoritetet malazeze, ende ushqehen me idetë shoviniste të së kaluarës. Ne, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk do të qëndrojmë duarkryq, përball këtyre provokimeve, pavarësisht se nga kush vijnë. Jemi të vetëdijshëm për pretendimet territoriale të Malit të Zi ndaj Kosovës, por ne i rikujtojmë fqinjëve tonë se ata mbajnë nën okupim shumë pjesë të tokës etnike shqiptare, Hotin, Grudën, Plavën, Gucinë, Ulqinin e Tivarin. Ne iu bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, që të reagojnë dhe që të largojnë simbolet e Malit të Zi nga territori i Kosovës, deri në demarkacionin zyrtar të kufirit. Gjithashtu, ftojmë ata që kanë në përgjëgjësi sigurinë e Kosovës, që të reagojnë ashpër ndaj këtij provokimi të rëndë. Në të kundërtën, OVL të UÇK-së, do të mobilizojë veteranët e UÇK-së, në mbrojtje të kufinjve të Kosovës. Asnjë pëllëmbë tokë nuk do t’i falet as Malit të Zi e askujt tjetë nga fqinjtë tonë të cilët me shekuj zhvilluan politikë grabitqare ndaj territoreve tona.
Reagim kundër dënimit të bashkëluftëtarëve
Prishtinë 2 tetor 2009 Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së shprehin shqetësimin e tyre, për vazhdimin e praktikave të UNMIK-ut në Kosovë, nga ana e EULEX-it. Për një dekadë me radhë, administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të “drejtësisë”, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftës çlirimtare të UÇK-së dhe sakrificës së kombit shqiptar për liri. Dënimin e bashkëluftëtarëve tanë Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, e konsiderojmë si akt politik, i cili pos tjerash bazohet edhe në deklarata të rrejshme. Aty ku politika ndikohet, apo gjykatat janë nën trysninë e saj nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me zbatimin e normave ligjore – por me krijimin e precedentit juridik që është jo vetëm anakronizëm i zbatimit të drejtësisë dhe ligjeve por kjo krijon një praktikë tepër të fortë të dukurisë së arbitrarizmit dhe subjektivitetit të gjyqësorit. Të gjykohen dhe dënohen në emër të popullit, ata që luftuan për lirinë e tij; të gjykohen dhe dënohen me direktiva dhe dosje të përpiluara nga pushtuesi, ata që luftuan atë dhe krimin e organizuar nga ai; është absurde. Një presedan i tillë ndodhë vetëm në Kosovë. Ne, kërkojmë që këto praktika të marrin fund dhe në Kosovë të vendoset një sistem i drejtësisë i cili do të ndjekë dhe dënoj kriminelët, e jo të ndjekë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit tonë. Thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së, SHIL të UÇK-së dhe SHFD të UÇK-së.
|
|
| | |