Janar - Mars 2010

Komunikatë rreth gjykimeve politike


Prishtinë 29 mars 2010
Kryesia e Organizatës, ka lëshuar një komunikatë për media, ku është prononcuar rreth gjykimeve politike që po mbahen në Kosovës dhe rreth mbajtjes në burg të shumë veteranëve të UÇK-së, me akuza të pabaza. Mes të tjerash në komunikatë thuhet: "OVL të UÇK-së, kërkon nga Kryesia e Parlamentit të Kosovës që të shtrojë këtë çështje në séance parlamentare dhe të cilësohet lufta jonë si luftë çlirimtare dhe kapitulli UÇK të mbyllet njëherë e përgjithmonë.".
Tekstin e plotë e lexoni në rubrikën Komunikata.




Përkujtohen Dëshmorët e Zonës së Dukagjinit


Gllogjan 24 mars 2010
Në Gllogjan të Deçanit, në 12 vjetorin e Betejës së Gllogjanit, u përkujtuan Dëshmorët e Zonës Operative të Dukagjinit. Delegacioni i Organizatave të Luftës, kryesuar nga Muharrem Xhemajli, Xhavit Jashari dhe Fadil Shurdhaj, bën homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Kompleksin e UÇK-së në Gllogjan.
Më pas u mbajt një manifestim ku folën personalitete të ndryshme, mes të cilëve edhe ish Komandanti i ZO të Dukagjinit Ramush Haradinaj. Ramush Haradinaj, duke evokuar kujtime të betejes së 24 marsit 1998, theksoi vlerën e kësaj beteje në masovizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përhapjen e luftës për liri anekënd Kosovës. Këtë tubim e përshëndeti edhe Rifat Jashari si dhe Islam Lauka ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.
Në fund të manifestimit, ku morën pjesë qindra pjesëmarrës, u mbajt një program i pasur me këngë e valle popullore.




Përkujtohen Dëshmorët Asllan, Mehdi e Milazim Fazliu


Gradicë 23 mars 2010
Në Gradicë të Drenasit, u përkujtuan Dëshmorët e Kombit Asllan, Mehdi e Milazim Fazliu. Në maifestimin me ç'rast u zbulua edhe lapidari i dëshorëve, morën pjesë përveç bashkëluftëtarëve e familjarëve të dëshmorëve edhe personalitete të rëndësishme të jetës politike e shoqërore, Sami Lushtaku kryetar i Komunës së Skënderajit, Lulëzim Adem Jashari, Muharrem Xhemajli, Sherif Krasniqi e të tjerë. Fjalë rasti në emër të Organizatës mbajti nënkryetari Smajl Elezaj, i cili mes të tjerash tha: "Sot, duke nderuar Asllanin, Mehdiun e Milazimin, ne nderojmë sakrificën e shumë burrave e grave të Drenicës e Kosovës, që me dekada të tëra, mbanin ndezur zjarrin e kryengritjes, me synimin që ne të jemi të zotët e vetvetes"..




Përkujtohen Dëshmorët e 17 marsit


Kosovë 17 mars 2010
Me rastin e gjashtëvjetorit të demonstratave gjithëpopullore të 17 marsit, u përkujtuan luftëtarët e UÇK-së që u vranë nga dora gjakatare e UNMIK-ut. Në Fierzë, në prani të qindra qytetarëve, u bën homazhe dhe nderime për Dëshmorin e Kombit Esat Tahiraj, anëtar i Këshillit Drejtues së Degës së Organizatës në Pejë. Gjithashtu u nderuan edhe vëllezërit Elshani në Drenas, të cilët u vranë poashtu nga UNMIK-u me 17 mars 2004. Në një konferencë për media të Degës së Organizatës në Pejë, u në mes tjerash u tha se: "Sot, dy vite pas pavarësisë, EULEX, që trashëgoi lëndët e paraardhësit të vet, po e vazhdon avazin e njëjtë, duke mbajtur padrejtësisht në burgje luftëtarët e lirisë, të dënuar nga UNMIK-u në procese politike. Për Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mbajtja në burg e Idriz Balës, Arben Kiçinës, Gjelosh Krasniqit e shumë luftëtarëve të tjerë, si dhe moszbardhja e realitetit të 17 marsit 2004, gjithmonë do të jetë e papranueshme. Në këtë përvjetor të Esatit, ne kërkojmë që të zhvillohet një gjyq i paanshëm ku do të dënohej vrasësi e jo viktima, dhe kërkojmë lirimin e të gjithë luftëtarëve, që edhe ata të gëzojnë lirinë së bashku me bashkëluftëtarët e tyre. ".




Nënshkruhet Marrëveshja e bashkëpunimit mes Veteranëve të Marokut dhe Kosovës


Prishtinë 8 mars 2010
Kryetari i OVL të UÇK-së Muharrem Xhemajli dhe Komisionari i Lartë i Veteranëve të Mbretërisë së Marokut, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të përkrahjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe shkëmbimit të përvojave mes veteranëve të të dyja shteteve.
Para kthimit për në vendin e tij, Dr. Mustafa el Ktiri, falënderoi OVL të UÇK-së për mikëpritjen si dhe zhvilloi një takim me Ministrin Fatmir Limaj. Ministri Limaj kërkoi mbështetjen e shtetit maroken për njohjen e Kosovës nga vendet arabe.




Mbahet Manifestimi EPOPEJA E UÇK-së


Kosovë 5-7 mars 2010
Me rastin e 12 vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes Jashari, nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës u mbajt manifestimi tradicional EPOPEJA E UÇK-së.

5 mars

Në ora 12:00 në qendër të Prishtinës në sheshin "Skenderbeu" Garda e Nderit të FSK-së, nderoi krerët e lartë të shtetit dhe ish luftëtarët. Të pranishmëve iu drejtuan me fjalime rasti Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Bekim Jashari, i biri i heroit kombëtar Hamzë Jashari.
Në ora 14:00 Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në hotel Grand organizoi ceremoninë me rastin e shpalljes Anëtar Nderi të Organizatës së El Mustafa El Ktirit Komisionar i Lartë i Veteranëve të Marokut dhe Astrit Lekës ish luftëtar i LNÇ-së dhe këshilltar në Federatën Botërore të Veteranëve.

6 mars

Nga ora 10:00 delegacioni i OVL të UÇK-së dhe shoqatave të luftës i përbërë nga Muharrem Xhemajli, Xhavit Jashari, Faik Fazliu, Fatmir Shurdhaj, Smajl Elezaj, Daut Ilazi si dhe anëtarët e nderit Mustafa el Ktiri e Astrit Leka, bën homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, për të vazhduar varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Kleçkë e Reçak. Delegacione tjera të Organizatave të Luftës, vizituan varrezat dhe familjarët e Dëshmorëve anekënd Kosovës.
Në ora 18:00, në Sallën e Kuqe u mbajt Akademia Solemne, ku mbajtën fjalime Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Akademik Rexhep Qosja. Gjithashtu Filarmonia e Kosovës, mbajti një program artistik.
7 mars

Delegacioni i Veteranëve së bashku me antarët e nderit, vizituan Familjen Jashari ku qëndruan tek Rifat Jashari si dhe te Musa Jashari. Në mbrëmje ora 18:00, kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli hapi manifestimin Nata e zjarreve, ku u bë ndezja e zjarrit në Prekaz dhe në vendet e fushëbetejave të UÇK-së. Gjithashtu u mbajt edhe një program artistik në Prekaz.




Urimi për Ditën e Pavarësisë


Prishtinë 16 shkurt 2010
Me rastin e 2 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i OVL të UÇK-së Muharrem Xhemajli ka ururar të gjithë kombin shqiptar për këtë ditë të gëzuar. Në urimin e kryetarit thuhet:
Duke nderuar sakrificen e brezave si dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë përvjetor, i urojmë të gjithë kombit shqiptar, përparim, zhvillim dhe bashkim sa më të shpejtë. Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ishte një moment historik, që do të hapte rrugën e lirisë dhe bashkimit të tërë kombit shqiptar. është detyrë e të gjithë bartësve të politikës shqiptare, që të jenë unik drejt realizimit të kësaj aspirate.




Nënshkruhet Memorandumi me Odën e Avokatëve të Kosovës


Prishtinë 12 janar 2010
OVL të UÇK-së dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me qëllim të përkrahjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Pikat kryesore të memorandumit konsistojnë në ndihmësat legjislative, këshillave juridike si dhe avansimin profesional të kategorive të luftës.
Me këtë rast u organizua një solemnitet rasti, në ambientet e OAK-ut.




OVL të UÇK-së 2000 - 2010