Janar - Qershor 2011

Muharrem Xhemajli rizgjedhet nënkryetar i Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës


Francë 13 prill 2011
Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të CEAC (Konfederata Evropiane e Veteranëve të Luftës), u zgjodhën organet drejtuese, ku kryetar i kësaj konfederate u rizgjodh Georges Cabero e gjithashtu Muharrem Xhemajli u rizgjodh nënkryetar edhe për një mandat.
Asambleja e Përgjithshme e CEAC, ka miratuar edhe një deklaratë në përkrahje të ndryshimeve demokratike në Botë, duke e konsideruar të nevojshme shmangien nga dhuna dhe duke e përkrahur ndryshimin e regjimeve përmes dialogut.
Punimet e Asamblesë janë ende duke vazhduar në Perpignon të Francës.




Reagim


Prishtinë 6 prill 2011
Në tentim të njollosjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të zbatuar planet e Serbisë në Kosovë, zyrtarët e EULEX-it po zhvillojnë një fushatë shumë aktive duke u angazhuar në “gjahun e dëshmitarëve”, e rasti i fundit i arrestimit të kryetarit të Komunës së Therandës z.Blerim Kuçi e dëshmon këtë më së miri.
Në Kosovë, ka kohë që ndërkombëtarët kanë përdorur metoda të ndryshme të joshjes së “dëshmitarëve”, duke i kërcnuar, shantazhuar, arrestuar por edhe duke iu ofruar atyre para ose jetë më të mirë në vende të ndryshme të botës. Kjo praktikë e dëshmon tendencën e tyre për barazimin e viktimës me agresorin me çdo kusht. Ne i bëjmë thirrje zyrtarëve të EULEX-it që të ndalin këto veprime sepse janë të padrejta, qëllimkëqija dhe të dëmshme për vet misionin që ka EULEX. Shprehim bindjen se qytetarët e Kosovës, në dijeni për luftën e pastër çlirimtare, nuk do të bien pre e këtyre skenareve të ndyta.
Ne edhe njëherë ia kujtojmë EULEX-it se nuk po i kryen punët për të cilat është ftuar në Kosovë, duke filluar nga vendosja e doganave në kufirin me Serbinë, funksionalizimin e gjykatave në Mitrovicë, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të shqiptarëve në territorin e Kosovës, mosarrestimin e as ngritjen e asnjë padie ndaj serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile, mosnxjerrja para drejtësisë të anëtarëve të vet misionit për kontrabandën e bërë në Kosovë e shumë të tjera.
Me shqetësim jemi duke përcjellur këto veprime të EULEX-it, e në ditët në vijim do të dalim me qëndrim rreth metodave që do t’i zbatojmë për realizimin e kërkesave tona të bëra me 29 mars 2011 në Protestën Gjithëpopullore në Prishtinë.




Reagim lidhje me deklaratën e zëdhënëses së EULEX-it Kristina Herodes


Prishtinë 30 mars 2011
“Ne jemi misioni për sundim të ligjit dhe na duhet ta vazhdojmë mandatin tonë. Kemi fuqi ekzekutive mbi rastet e krimeve të luftës, prandaj na duhet t’i kryejmë detyrat tona. Kjo nuk është një garë bukurie. Jemi këtu për çështje serioze”, ka thënë Herodes, duke shtuar se “ne e respektojmë lirinë e të shprehurit si dhe të drejtën e tyre për të protestuar”.
Kjo deklaratë e zëdhënëses së EULEX-it është deklaratë, nxitëse dhe provokuese për ushtarët e UÇK-së dhe popullin shqiptar.
Dihet se EULEX-i, deri më tani nuk ka kryer asnjë nga detyrat që ka pasur dhe ka në Kosovë, duke filluar nga vendosja e doganave në kufirin me Serbinë, funksionalizimin e gjykatave në Mitrovicë, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të shqiptarëve në territorin e Kosovës, mosarrestimin e as ngritjen e asnjë padie ndaj serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile, mos nxjerrja para drejtësisë të anëtarëve të vet për kontrabandën e bërë në Kosovë.
Si mund të kemi besim në këtë lloj drejtësie kur deri më tani ajo nuk ka treguar as të vetmin rast që është e drejtë, kur mban në burgjet e Kosovës qytetarë pa aktvendim të gjykatës edhe për 8 vite, kur arreston çlirimtarët pa fakte dhe dëshmi, liron serbët e arrestuar të cilët vijnë në Kosovë për të gjetur dëshmitarë të rrejshëm duke ju premtuar shuma të mëdha parash, për të deklaruar kundër UÇK-së.
Ne ja përkujtojmë EULEX-it se në Kosovë ka pasur luftë çlirimtare kundër pushtuesit ndërsa krime kanë policia, ushtria dhe grupet paramilitare serbe e jo UÇK-ja.
Ne, ja tërheqim vërejtjen EULEX-it dhe të gjithë atyre që thirren ne emër të drejtësisë dhe në emër të saj bëjnë padrejtësi, që të kenë kujdes me vepimet e tyre, përndryshe do te hasin ne zemërimin e luftëtarëve dhe gjithë popullit shqiptar.




Mbahet Protesta Gjithëpopullore TË GJITHË NË MBROJTJE TË VLERAVE TË LUFTËS SË UÇK-së"


Prishtinë 29 mars 2011
Nën organizim të Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, Parlamentit Studentor dhe OJQ "Koalicioni për Demokraci", mijëra qytetarë defiluan në Prishtinë nga Fakulteti Filologjik e deri te Teatri Kombëtar. Me parollat ku brohoritej për lirimin e luftëtarëve të UÇK-së dhe ndërprerjen e demonizimit të luftës së UÇK-së nga EULEX-i, protestuesit u tubuan pranë Teatrit Kombëtar.
Masës së tubuar iu drejtuan Selim Daku, kryetar i Parlamentit Studentor dhe Muharrem Xhemajli kryetar i OVL të UÇK-së. Në fund, Fadil Shurdhaj kryetar i SHIL të UÇK-së ka lexuar kërkesat e protestës.




Kërkesat e Protestës


Prishtinë 29 mars 2011
Drejtuar: EULEX-it, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të gjitha subjekteve politike shqiptare në Kosovë
Duke e konsideruar të domosdoshme mbrojtjen me ligj të vlerave të luftës dhe që spektri politik të jetë i bashkuar në këtë çështje;
Duke konsideruar se çlirimtarët janë më meritorët për ta gëzuar lirinë dhe se të gjitha proceset kundër tyre janë të motivuara politikisht, të pabaza e të pafaktuara;
Duke e përcjellur mosefikasitetin e misionit të EULEX-it, rolit të tij negativ kundrejt vlerave tona kombëtare, dështimit në kryerjen e detyrave të tij;
Të vetëdijshëm në nevojën që ka shteti i ri i Kosovës për përkrahjen ndërkombëtare;
Parashtrojmë kërkesat në vijim, që duhet të përmbushen në afatin sa më të shpejtë:
1.Kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it nga institucionet që e kanë ftuar atë
2.Lirimin e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së që akuzohen për kinse “krime të luftës”
3.Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, të miratojë ligjin e vlerave të luftës, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarët e saj do të mbrohen me ligj.
Kërkesat tona janë legjitime dhe burojnë si kërkesa të të gjithë kombit shqiptar, i cili përkrah dhe mbron vlerat e veta. Ne do të vazhdojmë përpjekjen për realizimin e kërkesave, me të gjitha mjetet e mundshme demokratike.




Fjalimi i plotë i z.Muharrem Xhemajli në Protestë


Prishtinë 29 mars 2011
Të nderuara familje të dëshmorëve
Invalidë e veteranë të UÇK-së
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj proteste
Javën e kaluar, të gjitha sheshet e Kosovës kumbuan njëzëri, duke vërtetuar përkrahjen e gjerë popullore për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në mënyrë dinjitoze ne shprehëm bindjen tonë për pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kundërshtimin tonë të fuqishëm për ata që po tentojnë ta njollosin. Edhe sot, u tubuam në Prishtinë, si vazhdimësi e përpjekjeve tona, për ndërprerjen e demonizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kundërshtimin e fushatës së ashpër të EULEX-it të orkestruar nga Serbia dhe bashkëpuntorët e saj shqipfolës, fushatë kjo që po intensifikohet në kohën e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, me qëllim për ta forcuar pozicionin e Beogradit zyrtar në bisedime, duke diskredituar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe personalitetet më të njohura të kësaj lufte.
Persekutimi i luftëtarëve të UÇK-së filloi menjëherë pas largimit të forcave të okupatorit sllav. Luftëtarët u ballafaquan me aktakuza të ndryshme, u mbajtën padrejtësisht nën arrest, u dënuan me dënime të ashpra, që treguan haptazi se politika e Serbisë vazhdohej nga misioni ndërkombëtar asokohe i UNMIK-ut, i cili për këtë qëllim kishte angazhuar gjykatës e prokurorë special. Ende pa u shëruar plagët e luftës, UNMIK-u filloi gjahun e shtrigave, duke bërë padrejtësi të njëpasnjëshme për të goditur çlirimtarët e Kosovës.
Shumë luftëtarë të UÇK-së kaluan nëpër procese të montuara politike që nga Tribunali i Hagës e deri tek gjykatat e UNMIK-ut. Asnjëherë nuk u ndjekën kriminelët e vërtetë, ata që dëbuan dhe masakruan popullatën civile, ata që vranë mbi 12.000 civilë në mesin e të cilëve shumë gra, fëmijë e pleq, ata që dhunuan femrat shqiptare, që dogjën e shkatërruan gjithçka u doli përpara. Këto krime serbe kundër njerëzimit çuan edhe në intervenimin e NATO-s, në pranverë të vitit 1999. Këtë e di e gjithë bota përparimtare, por nuk e di EULEX-i, i cili ka marrë në mbrojtje kriminelët serb, duke qëndruar indiferent ndaj veprimeve të tyre dhe duke mos marrë asnjë nismë për hulumtimin dhe dënimin e tyre.
Në tentim për të barazuar kriminelin me viktimën, qindra veteranë të luftës dhe familjet e tyre, iu nënshtruan vuajtjeve dhe persekutimit të vazhdueshëm, me të vetmin faj, sepse ishin pjesëmarës në luftën çlirimtare.
Tri vite pas pavarësisë së Kosovës dhe pas ardhjes së EULEX-it, ndjekja ndaj luftëtarëve veqse është egërsuar. Arrestimet në Rahovec, Drenicë, Gjakovë, Prizren e argumentojnë ashpërsinë e këtij misioni kur janë në pyetje luftëtarët e UÇK-së. Para dy javësh u arrestuan edhe 9 luftëtarë të dalluar si në luftë ashtu edhe në rolin e tyre për mbrojtjen e popullatës civile në Malet e Berishës. Kjo është një porosi shumë e keqe për të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Ne pyesim: Kush e ka radhën tani? A do të ndalet EULEX-i me këto arrestime? A dallojnë këto procese gjyqësore nga ato që i organizonte Serbia?
Në anën tjetër, për tri vite të prezencës së EULEX-it, ky mision nuk e kreu asnjë nga detyrat e tij. Jemi dëshmitarë të mosfunksionimit të doganave në veri të Kosovës, aktivitetin e lirshëm të strukturave shtetërore serbe në Kosovë, krimin ekonomik të grupeve të organizuara kriminale serbe e shumë e shumë të tjera. Ishim dëshmitar edhe të kontrabandës së organizuar nga vet pjesëtarët e EULEX-it dhe shumë shkeljeve që i bën vet pjesëtarët e misionit.
Por, misioni i EULEX-it u tregua i zellshëm vetëm në një pikë: në zbatimin me devotshmëri të agjendës serbo-ruse, duke u vënë në shërbim të qarqeve antishqiptare dhe duke dhënë kontribut të madh në goditjen e vlerave kombëtare shqiptare. Nëse EULEX-i nuk e kupton moralin, guximin dhe gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur me çdo kusht lirinë, pa e ndarë nga vlerat e luftës dhe pa e ndarë kurrë nga UÇK-ja si mbivlerë kombëtare, atëherë do të ballafaqohet me zemërimin e luftëtarëve të lirisë dhe të gjitha forcave liridashëse të Kosovës.




Protesta gjithëpopullore në Prishtinë të marten me 29 mars


25 mars 2011
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Parlamenti Studentor dhe OJQ Koalicioni për Demokraci, në takimin e sotëm u dakorduan se do të jenë bashkëorganizator në Protestën e 29 marsit në Prishtinë.
Protesta është gjithëpopullore dhe fillon në ora 12:00. Vendtakimi i protestuesve do të jetë tek Fakulteti Filologjik. Nga aty, me moton: “TË GJITHË NË MBROJTJE TË VLERAVE TË LUFTËS SË UÇK-së”, do të marshohet deri te Teatri Kombëtar, ku do të bëhet tubimi protestues.
Duke falenderuar të gjithë qytetarët që na mbështetën në Protestën e 23 marsit në 26 qendra të Kosovës, i ftojmë që masovikisht të bashkëngjitën edhe protestës gjithëpopullore në Prishtinë.
Protestuesit ftohen që të protesojnë të qetë dhe të dinjitetshëm.
Këshilli Organizues i Protestës Prishtinë 25 mars 2011




Të mërkuren ora 12:00, Protesta në 26 qendra të Kosovës


22 mars 2011
Degët e OVL, SHFD dhe SHIL të UÇK-së kanë bërë përgaditjet e duhura për Protestën e 23 marsit. Protesta do të mbahen në 26 qendra të Kosovës dhe atë në: Besianë, Burim, Dardanë, Deçan, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Han i Elezit, Kaçanik, Kastriot, Klinë, Lypjan, Malishevë, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Sharr, Shtime, Skënderaj, Therandë, Viti dhe Vushtrri.
Protesta është gjithëpopullore dhe ftohen të gjithë qytetarët që me pjesëmarrjen e tyre ta mbështesin protestën.
Për zhvillimet e mëtutjeshme opinioni do të informohet me kohë.




REAGIM ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë Edmond Haxhinasto


19 mars 2011
OVL të UÇK-së është shumë e zhgënjyer me deklaratat e papërgjegjshme të kryediplomatit të Republikës së Shqipërisë Haxhinasto. Deklarimi i tij në Prishtinë kundër bashkimit kombëtar nuk i bën nderë as ministrit e as qeverisë që ai përfaqëson dhe është në kundërshtim me përpjekjet shekullore të kombit shqiptar.
Ne i rikujtojmë ministrit Haxhinasto, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte në themelet e saj çlirimin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Neve nuk na nderon as vizita e tij në varrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, derisa është në kundërshtim të plotë me idealin e Komandantit Legjendar dhe mijëra dëshmorëve që dhanë gjak për një Komb, një Atdhe, një Gjuhë e një Flamur.
Ne mbesim me shpresë se qëndrimet e tij nuk e përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe tërheqim vërejtjen se për çështje të tilla nuk vendosin politikanët, por vendos vet kombi shqiptar.
Të udhëhequr nga ideali i Dëshmorëve të Kombit, ne ftojmë të gjitha subjektet politike e organizatat në të gjitha trojet shqiptare, të orientohen drejtë dhe të zhvillojnë politikë kombëtare, e të mos vendosin asnjë interes, mbi interesin dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Vetëm të bashkuar ne mund të bëjmë realitet ëndrrën shekullore dhe kërkesën legjitime të kombit shqiptar për çlirim e bashkim.




KOMUNIKATE: Me 23 mars Protesta ne te gjitha qytetet e Kosoves


18 mars 2011
Të shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend, Kryesia e OVL të UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur me datën 18 mars 2011, diskutoi për arrestimet e luftëtarëve të UÇK-së dhe për bisedimet Kosovë-Serbi.
Përkitazi me arrestimet, Kryesia vendosi që të mërkurën me 23 mars 2011 në ora 12:00, të mbahen protesta në të gjitha qytetet e Kosovës. Në protesta, do të kundërshtohet demonizimi i luftës çlirimtare nga misioni i EULEX-it dhe do të paraqiten kërkesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve rreth rolit të këtij misioni.
Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, OVL të UÇK-së kërkon që si temë e bisedimeve të futet edhe Kosova Lindore (Presheva, Medvegja dhe Bujanoci). OVL të UÇK-së kërkon që të gjitha të drejtat që i njihen minoritetit serb në Kosovë, të vlejnë edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore.




PROTESTË në MALISHEVË


17 mars 2011
Sot me 17 mars 2011 ora 12:00, në qendër te Malisheves "Sheshi i Deshmorëve", mbahet protestë kundër arrestimit nga ana e EULEX-it të luftëtarëve të UÇK-së.
Protesta organizohet nga degët e Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së në Malishevë.




Reagim kundër arrestimit të veteranëve të luftës


16 mars 2011
Jemi tepër të indinjuar me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së UÇK-së nga Malisheva dhe Lypjani. Ritheksojmë se veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në asnjë mënyrë nuk pajtohen me këto veprime antishqiptare dhe konsiderojmë se ky mision, e ka devalvuar veten në sytë e qytetarëve të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj janë të njohura ndërkombëtarisht. Demonizimi i luftës së UÇK-së nga misioni i EULEX-it, tregon bashkëpunimin që ka ky mision me Serbinë gjenocidale dhe me argatët e saj brenda Kosovës.
UÇK-ja nuk është formuar për të kryer krime por për të ndalur krimin shtetëror serb dhe për t’i dhënë fund okupimit 86 vjeçar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka dhënë shembuj të shumtë në mbrojtjen e popullatës civile siç vlen të ceket mbrojtja e 85.000 civilëve në Malet e Berishës, ashtu siç ishte e suksesshme edhe në betejat e saja kundër një armiku shumëfish më të armatosur.
Duke qenë dëshmitarë të veprimit të grupeve kriminale serbe edhe më tutje brenda territorit të Kosovës, një pjesë e të cilave struktura janë edhe përgjegjëse për gjenocidin e bërë gjatë luftës, ne kërkojmë që gjahu kundër luftëtarëve të UÇK-së të ndërpritet menjëherë, e të ndjeken kriminelët e vërtetë.
Në ditët në vijim, do të informojmë opinionin për masat tona të mëtutjeshme të cilat do të jenë në kontribut të ndërprerjes së fushatës së EULEX-it kundër UÇK-së. Prishtinë 16 mars 2011, Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së




Komunikatë


3 mars 2011
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shprehë indinjatë të thellë, kundër proceseve të montuara politike ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së, nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare siç janë rastet: dënimi i bashkëluftëtarëve tanë në rastin e familjes Hajra, të cilët janë të dënuar pa kurrfarë prova materiale; fillimi i gjykimit ndaj veteranëve Sabit Geci dhe Rrezak Imeri e shumë raste të burgosjeve dhe dënimeve, me prova të fabrikuara nga pushtuesi e argatët e tij.
OVL të UÇK-së, përkrah protestën e sotme, të organizuar kundër mbajtjes në burgje të veteranëve Burim e Arsim Ramadani dhe Arben Kiçina, rithekson se është kundër mbajtjes në burgje, të të gjithë veteranëve si dhe kërkon që të lirohen sa më parë sepse po mbahen padrejtësisht në burgje.




NJOFTIM per varrimin e Deshmorit te Kombit SMAJL BAZAJ


3 mars 2011
Pas identifikimit te trupit te Deshmorit te Kombit SMAJL BAZAJ, ju njoftojme se varrimi i tij do te behet ne Varrezat e Deshmoreve ne Prekaz, me 6 mars 2011 ne ora 11:00.
Smajl Bazaj i lindur me 31 maj 1980 ne Terstenik te Drenasit, kishte marre pjese ne luftimet e Epopese se UÇK-se 5-7 mars 1998, duke i dalur ne ndihme Komandantit Legjendar Adem Jashari, me ç'rast ra heroikisht ne nje nga betejat me te lavdishme te luftes çlirimtare.
Ju ftojme qe me pjesemarrjen tuaj masive ta nderojme luftetarin e lirise Smajl Bazaj, i cili ende pa i mbushur 18 vjet, sakrifikoi jeten e tij per çlirim.




Leter e hapur Kuvendit te Kosoves (rreth kandidatit per president z.Pacolli)


19 shkurt 2011
Drejtuar: Kryetarit, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
LETËR E HAPUR
Duke përcjellur në vazhdimësi zhvillimet në skenën politike të Kosovës, krijimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke qenë të vetëdijshëm se është i domosdoshëm funksionalizimi i shtetit të Kosovës, ne jemi të detyruar që për hirë të vlerave që përfaqësojmë, t’i drejtohemi Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zgjidhen të hënën me 21 shkurt, njëkohësisht edhe deputetëve të këtij legjislacioni. Ne konsiderojmë se është e domosdoshme që në rend të ditës, para zgjedhjes së Presidentit, kandidati për këtë post, z.Behxhet Pacolli, të jap sqarime para deputetëve dhe popullit të Kosovës, në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore.
Deklaratat që i kemi lexuar, i konsiderojmë antikombëtare, të papërgjegjshme dhe të padenja për një njeri që pretendon të jetë përfaqësues i popullit:
1. Kënd e konsideron z.Pacolli nënë të Kosovës: Serbinë apo Shqipërinë?
2. Çfarë don të thotë z.Pacolli me fjalën: do të jem Tito i Kosovës?
3. Në cilin kontest z.Pacolli e gjen vëllazërinë e popujve shqiptar dhe serb, në kontest etnik, fetar, kulturor apo gjuhësor?
4. Cili është qëndrimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ishte roli i tij në takimet me Millosheviqin gjatë kohës së luftës? Çfarë ju sygjeroi z.Pacolli politikanëve shqiptarë në shtëpinë e tij në Hajvali gjatë kohës së luftës, si zgjidhje të çështjes së Kosovës?
Ne, do t’i përcjellim me kujdes zhvillimet e ditëve në vijim, dhe reagimi ynë do të jetë në përputhshmëri me Programin dhe Statutin e OVL të UÇK-së, dhe nëse nuk do të ketë përgjigjie në pyetjet e parashtruara, për ne do të jetë i papranueshëm dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar një president të tillë.




Peticioni i dorezohet Sekretarit te Pergjithshem te AP te KE-se


25 janar 2011
Delegacioni i Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, kryesuar nga Muharrem Xhemajli, janë takuar në Strazburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Evropës, dhe i kanë dorëzuar atij peticionin me nënshkrimet e mbi 230.000 qytetarëve.
Delegacioni ka zhvilluar edhe takime me grupe të ndryshme deputetësh, nga të cilët është kërkuar kundërshtimi i raportit të pabazë të Dick Marty-t.
Sot, kryetari Muharrem Xhemajli, Xhavit Jashari dhe bashkëpunëtorët, do të marrin pjesë edhe në protestën e bashkatdhetarëve që do të fillojë në ora 12.




KOMUNIKATE


24 janar 2011
Jemi të shqetësuar me disa ngjarje që ndodhën kohën e fundit dhe që e përforcojnë bindjen tonë të shprehur edhe më herët se, ka një agjendë serbo-ruse të përgaditur shumë mirë, kundër kombit shqiptar.
Ne asnjëherë nuk kemi pritur drejtësi nga gjykatat serbe, dhe me vendimin e tyre për dënimet drakonike të pjesëtarëve të UÇK-së, ato treguan se janë vazhdimësi e gjykatave të Millosheviqit. Dënimi i luftëtarëve, vjen në kohën kur pritet të shqyrtohet raporti i Dick Marty-t, dhe si i tillë është pjesë e ofenzivës së ashpër, që tenton të paraqes shqiptarët si kriminelë e serbët si të viktimizuar. Në këtë situatë, kërkohet pjekuri politike dhe unifikim i faktorit politik në Kosovën Lindore, dhe popullata shqiptare atje të jetë këmbëngulëse, të qëndrojë në trojet e veta, të cilat do të shohin dritën e lirisë.
Në vazhdën e akuzave kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëheqësve dhe themeluesve të saj, ditët e fundit bashkohen edhe disa gazeta evropiane, që në këtë kohë shumë delikate, ripërsërisin akuza të cilat u hodhën poshtë si të pasakta dhe u përmbyllën qysh para shumë vitesh.
Ne shprehim keqardhje për humbjen e jetëve në Tiranë dhe ngushëllojmë sinqerisht familjarët e tyre. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, kërkojmë që shteti shqiptar të jetë unik dhe që protestat popullore që kanë filluar atje, të jenë të qeta, të ruhet stabiliteti dhe të arrihet një marrëveshje mes forcave politike.
Ne përshëndesim qëndrimin dinjitoz të anëtarëve shqiptar në Këshillin e Evropës dhe jemi të kënaqur që të gjithë shkojnë në Strazburg me qëndrime të përbashkëta dhe të qarta. Shpresojmë që raporti i Dick Marty-t të hidhet poshtë si i pavlerë, pasiqë i njëjti asnjëherë nuk do të mund të faktohet. Në pritje të lajmeve të mira nga Strazburgu ne besojmë se si komb, do të arrijmë të tejkalojmë edhe këtë sfidë që e kemi përpara.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të kryej pjesën e vet të punës, duke vazhduar të synojë unifikimin e qëndrimit të shqiptarëve si komb.
Kryesia e OVL të UÇK-së




Ne Peticion nenshkruhen 230.523 qytetare nga te gjitha trojet shqiptare


21 janar 2011
Një delegacion i Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, i përbërë nga Muharrem Xhemajli, Xhavit Jashari dhe bashkëpunëtorë të tjerë, do të nisen sot për në Strazburg, ku në Këshillin e Evropës do të dorëzojnë kërkesën që të mos miratohet Raporti i z.Dick Marty. Kërkesës i është bashkëngjitur edhe Peticioni i nënshkruar nga 230.523 qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së, falenderojnë të gjithë qytetarët që kanë nënshkruar Peticionin, si dhe falenderon të gjithë veteranët dhe aktivistët e tjerë që u angazhuan në mbledhjen e nënshkrimeve.
Delegacioni i Organizatave, mes takimesh të shumta që do zhvillojnë në Strazburg, do të marrin pjesë edhe në protestën e organizuar nga bashkëatdhetarët me 25 janar 2011 ora 12, para Selisë së Këshillit të Evropës.




Peticioni nenshkruhet deri me 15 janar


5 -15 janar 2011
Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-se, falenderojne te gjithe qytetaret qe ne vazhdimesi e perkrahen dhe nenshkruan peticionin kunder raportit te Dick Martyt.
Ju njoftojme se nenshkrimi i peticionit zgjat deri te shtunen me 15 janar.
Njeheresh, kerkojme falje nga bashkatdhetaret me qendrim te perkohshem ne Diaspore, qe nuk patem mundesi te ju ofrojme dokumentin per nenshkrim, perkunder kerkesave te shumta.
Pase parasysh se mbledhja e Asamblese Parlamentare te KE-se, do te mbahet nga 24-29 janar, do te ju njoftojme paraprakisht per daten se kur do te mbahen protestat. Njera ne Prishtine, njera ne Tirane dhe protesta ne Strazburg para selise ku do te mbahet takimi.
Ju bejme ftese bashkatdhetareve qe te marrin pjese masovikisht ne protesten ne Strazburg.
Protesta ka karrakter paqesor.
Ju faleminderit per mirekuptim




REAGIM kundër artikullit të Halil Matoshit, botuar në “Koha Ditore” 6 janar 2011 fq.10-11


Prishtinë 6 janar 2011
Edhe në fillim të vitit 2011, OVL të UÇK-së dhe udhëheqësia e saj, sulmohen me deklarata të ndryshme të mbeturinave të cilat na i la pas okupatori shekullor. Kësaj radhe i ra hise edhe Halil Matoshit, i njohur dhe i përmendur çdoherë në kontest negativ sa i përket çështjes kombëtare.
Ne i rikujtojmë matrapazit Halil Matoshi se, kur një grup të rinjësh morën iniciativën për pajtimin e gjaqeve në vitin 1990, ai vazhdimisht me artikuj të ndryshëm ka kundërshtuar këtë iniciativë si dhe procesin e pajtimit të gjaqeve në përgjithësi.
Ne i rikujtojmë Halil Matoshit se, kur ishte kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, pat deklaruar se: “Çështja e Kosovës mund të rregullohet vetëm përmes Beogradit”. Me atë rast, kjo deklaratë pat hasur në reagim të fuqishëm të faktorëve të atëhershëm politikë, me pasojë edhe shkarkimin e tij nga kreu i PPK-së.
Sa i përket Albin Kurtit, që në këtë rast Halil Matoshi luan rolin e avokatit të tij, ne i sqarojmë opinionit se ai nuk ka qenë kurrë zëdhënës i UÇK-së. Ai ka qenë sekretar teknik i zyrës së Adem Demaçit në Prishtinë, dhe është marrur vetëm me punë teknike, përkthime dhe daktilografi.
Rreth Albin Kurtit, OVL të UÇK-së ka edhe argumente të tjera, të cilat për shkak të procesit zgjedhor dhe situatës në përgjithësi, nuk do t’i cekim, por këtë punë do ta vazhdojmë në të ardhmen e afërt.
Ne e pyesim Halil Matoshin: Çfarë ka qenë roli i tij dhe ku ka shërbyer ai gjatë luftës çlirimtare? Ku është patriotizmi i tij? Ku e merr guximin ai që të sulmojë aq ashpër Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe bartësit e saj, vazhdimisht që pas përfundimit të luftës? Çka e pengojnë shtatoret e përmendoret e Dëshmorëve të Kombit? Me çfarë të drejte është hedhur si mbështetës i idesë së krijimit të kombit kosovar? Ne dijmë që shqiptar nuk e quan veten, por edhe i garantojmë se komb kosovar nuk do të ketë. Kryesia e OVL të UÇK-së, përpiqet që në politikë të mos jetë e njëanshme. Në rastin e fundit reagimi jonë ka ardhur si pasojë e tentimit të zhvlerësimit të luftës çlirimtare dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që përfaqësojmë vlerat më sublime të kombit shqiptar. E sa i përket Muharrem Xhemajlit, ai përfaqëson të gjithë veteranët e UÇK-së. Deklarimet e tij publike, janë deklarata që mbështeten nga të gjithë veteranët e UÇK-së, e nuk janë deklarata personale. Shpresojmë të jetë hera e fundit që dikush drejton gishtin nga OVL të UÇK-së. Përndryshe do t’i demaskojmë me fakte të gjithë individët dhe grupet që marrin një guxim të tillë.
Kryesia e OVL të UÇK-së




Fillon peticioni kundër raportit të Dick Martyt


5 janar 2011
Te merkuren me 5 janar 2011, ne te gjitha trojet shqiptare, ka filluar nenshkrimi i Peticionit kunder raportit te Dick Martyt. Peticioni do t'i drejtohet Asamblese Parlamentare te Keshillit te Evropes.
Ne Kosove, ne çdo qender komunale, në pika të posaçme, te gjithe qytetaret do te kene mundesine qe permes nenshkrimit te tyre te kundershtojne kete raport fyes per kombin shqiptar.
Gjithashtu peticioni ka filluar edhe ne SHqiperi, Kosove Lindore dhe Maqedoni.
Peticioni eshte organizuar nga Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-se, dhe ka hasur ne perkrahje te spektrit politik shqiptar, organizatave studentore dhe shoqerise civile anekend trojeve shqiptare.
Teksti i arsyetimit te peticionit: Ne, qytetaret e indinjuar, e nenshkruajme kete Peticion si reagim ndaj Raportit te z.Dick Marty, me te cilin ai tenton te njollose kombin, vendin dhe luften tone te drejte per liri dhe pavaresi nga regjimi pushtues e totalitar i Serbise, e zhvilluar ne perputhje te plote me normat nderkombetare dhe zakonet e luftes.
Reagojme fuqishem ndaj tendencave qe populli yne te paraqitet si udhtrues i krimeve, te denigrohen vlerat tona kombetare e morale dhe te zvetenohet lufta jone e drejte dhe ne perputhje te plote me normat nderkombetare dhe zakonet e luftes.
Reagimi yne eshte edhe angazhim qe Asambleja Parlamentare e Keshillit te Evropes te mos e miratoje nje raport te tille qe cenon rende imazhin tone para botes demokratike, por edhe rolin e vet Asamblese Parlamentare.
Ky peticion eshte shprehje demokratike e mospajtimit tone dhe indinjates ndaj deklaruesve te tille qe kane per qellim shtremberimin e te vertetes e te historise se popullit tone dhe ndaj nxitesve e shkaktareve te lufterave ne rajon dhe ne Kosove. Populli dhe vendi yne ka qene cdo here ne anen e drejte, i ka ndihmuar drejtesise dhe ka punuar per drejtesine, tek ne dhe ne bote. Lufta e drejte e UÇK-se e mbeshtetur nga NATO-ja dhe bota demokratike, ka bere qe te triumfoje e drejta, liria dhe demokracia ne Kosove e rajon, dhe keto perpjekje do te cilesohen perhere si vlera sublime per kombet e lira e demokratike te botes.





OVL të UÇK-së 2000 - 2010