Arkivi i lajmeve Nëntor - Dhjetor 2005

Mbahet manifestimi “Dita e Veteranit”

Prekaz, Skënderaj 30 dhjetor 2005
OVL të UÇK-së organizoi manifestimin Dita e Veteranit. Dita e Veteranit në bazë të Statutit të Organizatës mbahet në ditën kur forcat serbe zhvilluan sulmin e parë kundër familjes Jashari në Prekaz, me 30 dhjetor 1991.
Në kuadër të këtij organizimi u zhvillua një marsh i rreth 300 luftëtarëve të UÇK-së të uniformuar me uniformat e përdorura në luftë, prej Kompleksit Memorial në Prekaz, e deri në qendrën e Skenderajit. Luftëtarët ishin caktuar nga zyret komunale të Organizatës, nga të gjitha ish zonat operative të UÇK-së
Pas marshimit u mbajt Akademia Përkujtimore, me ç’rast u përkujtua sulmi i parë te Jasharajt, si dhe 5 vjetori i themelimit të OVL të UÇK-së. Në mes të tjerash fjalë rasti mbajtën edhe Jakup Krasniqi ish zëdhënës i UÇK-së, si dhe Fatmir Limaj ish komandant i Zonës së Dytë Operative të UÇK-së.



REAGIM kundër arrestimit të Veteranit të Luftës së UÇK-së Agron Shaban Krasniqi

Prishtinë, 13 dhjetor 2005
OVL të UÇK-së reagon ashpër kundër arrestimit të Veteranit të Luftës së UÇK-së Agron Krasniqi, i cili është arrestuar në Cyrih të Zvicrës me 29 nëntor 2005 dhe është ekstraduar në Burgun e Dubravës në Kosovë. Arrestimi është bërë me urdhër të prokurorit ndërkombëtar të UNMIK-ut, me datën 9 dhjetor 2005 është ekstraduar dhe i është caktuar paraburgimi për 30 ditë.
Agron Krasniqi është nga fshati Dejë, komuna e Rahavecit dhe ka qenë luftëtarë i dalluar i Brigadës 124 Gani Paçarizi të Zonës Operative të Pashtrikut.
OVL të UÇK-së konsideron se ky arrestim është vazhdimësi e përndjekjes së luftëtarëve të UÇK-së, bazuar në Kodin Penal të ish Jugosllavisë. UNMIK-u edhe më tej po vazhdon me avazin e vjetër, duke e bërë argatin e Serbisë, kundër luftëtarëve më të dalluar të UÇK-së.
OVL të UÇK-së kërkon sqarim zyrtar nga UNMIK-u rreth këtij arrestimi si dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të Agron Krasniqit, i cili po mbahet në burg padrejtësisht dhe pa asnjë bazë ligjore të vlefshme.



Kërkohet lirimi i gjeneral Selim Krasniqit dhe bashkluftëtarëve të tij

Prishtinë, 6 dhjetor 2005
Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së, përmes një shkrese drejtuar Jessen Petersenit, Gjeneralit Valotto, shefit të shtyllës së parë të UNMIK-ut, si dhe zyreve amerikane, britanike, gjermane, franceze dhe italiane të akredituara në Kosovë, kërkuan lirimin e Gjeneral Selim Krasniqit me shokë nga burgjet e UNMIK-ut, mbrojtjen e tyre në liri dhe organizimin e një gjyqi të paanshëm dhe objektiv, që nuk bazohet në shpifjet e UDB-së dhe SUP-it të Serbisë.
Përmbajtjen e plotë e keni në rubrikën Komunikata.



Fatmir Limaj dhe Isak Musliu priten solemnisht në Prishtinë

Prishtinë, 1 dhjetor 2005
Në organizim të Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së, pranë Fakultetit Filologjik, u organizua një pritje madhështore, me rastin e lirimit të Komandant Çelikut dhe komandant Çerqizit, nga Tribunali i Hagës. Dhjetëra mijëra qytetarë, nën përcjelljen e tingujve muzikorë të këngëtarëve më të njohur të estradës së Kosovës, nën brohoritjet për lavdinë e luftës çlirimtare, krijuan një atmosferë të paparë më herët në Kosovë.
Në emër të Këshillit Organizativ, Sherif Krasniqi kryetar i Organizatës iu drejtua masës me këto fjalë: Ne sot jemi tubuar këtu që të presim dy bashkëluftëtarët tanë Fatmir Limaj dhe Isak Musliu si dhe të shprehim pakënaqësinë e dënimit të luftëtarit Haradin Balaj, dhe të burgosurve tjerë që po mbahen padrejtësisht në burgje: në Hagë dhe në ato në Kosovë. Bashkëluftëtarët tanë e dëshmuan vetën e tyre gjatë tërë luftës së UÇK-së, por edhe e mbrojtën dënjesisht para Tribunalit të Hagës se lufta jonë ishte e drejtë dhe çlirimtare. Sherif Krasniqi, duke konsideruar se të gjithë luftëtarët e UÇK-së si në Hagë ashtu edhe nëpër burgjet e UNMIK-ut, po mbahen padrejtësisht, përfundoi fjalimin e tij me këto fjalë: Asnje solucion tjeter përveç atij në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar nuk do ta lejojmë ne pjestaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, per çka u derdhë shumë gjakë dhe na obligon amaneti i shokëve te rënë dëshmorë. Ky manifestim i sotëm është pak sa emocional, për popullin shqiptar. Na grisë ndregjegjien fakti se Tribunali i Hagës e dënoi me 13 vjet burg bashkëluftëtarin Haradin Balajn. Na mbanë shpresa se ne ketë vend ,nga kjo tribunë së shpejti do ti broherasim bashkarisht edhe emrit te tij, siç do të brohorasim tani: Rroftë komandant Çeliku dhe mirë se na erdhe ne mesin tonë JU dhe ISAK MUSLIU Masës iu drejtuan edhe komandantët Çeliku dhe Çerqizi, duke thënë se kjo është fitore e përbashkët e jona, fitore e UÇK-së dhe e Kosovës, por fitorja përfundimtare do të vie së shpejti.



Hiqet dhe digjet flamuri personal i I.Rugovës në shumë qytete të Kosovës

Kosovë, 28 nëntor 2005
Në organizim të Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së, në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Besianë dhe anekënd Kosovës u hoqën dhe u djegën pranë selive të kuvendeve komunale, leckat e vendosura pranë flamujve kombëtar, e që në to paraqitej “flamuri” personal i kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugova. Udhëheqësit e Subjekteve të Luftës kanë thënë se vënia e flamurit të kryetarit Ibrahim Rugova është provokim i rëndë nga kuvendet komunale, me bekimin e Velanisë. “Ky ishte një provokim i rëndë,” tha të hënën Faik Fazliu, kryetar i SHIL të UÇK-së, i cili veprimin e tij nuk e konsideron kundërprovokim. “Largimi i flamujve personalë nga ana jonë nuk është provokim, përkundrazi ishte një shpëtim për Komunën, ngase sot do të mund të reagonin vetë qytetarët. Fazliu thotë se është vendim i Subjekteve të Luftës që për festa kombëtare të mos lejohet të valojë asnjë flamur tjetër, përpos atij kombëtar.



Mbahet defilimi “NË PRITJE TË LIRISË”

Prishtinë, 28 nëntor 2005
Në organizim të Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së dhe UPS-së, të hënën në Prishtinë, dhjetra mijëra qyetarë nga mbarë Kosova mbajten defilim paqësor me moton “Në pritje të lirisë”, me kërkesë për lirimin e tre luftëtarëve të lirisë, Fatmir Limaj Komandant ÇELIKU, Haradin Balaj dhe Isak Musliu, para shpalljes së aktgjykimit ndaj tyre nga Tribunali i Hagës. Në defilim u vlerësua se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është politik dhe u kërkua që të lirohen menjëherë.



Mbahet Java e Dëshmorëve në Prizren

Prizren, 23-28 nëntor 2005
Në organizim të Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së në Prizren, u mbajt “Java e Dëshmorëve”, manifestim tradicional që organizohet në Prizren në prag të festave të Nëntorit. Me 23 nëntor u mbajt debat me qytetarë të Prizrenit në TV Opinion, ku morën pjesë edhe përfaqësues të TMK-së dhe Unionit të Studentëve. Me 24 nëntor u mbajt debati në TV Prizren ku morën pjesë përfaqësues të jetës fetare, ndërsa me 25 nëntor në TV Besa, u mbajt debati me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive më relevante të Prizrenit. Të gjitha debatet kishin karakter humanitar mbarëshqipëtar, që të ndikojnë në tubimin e ndihmave për familjet e dëshmorëve.
Me 26 nëntor në TV Prizren debati u mbajt në praninë e përfaqësuesve të Odës Ekonomike si dhe afarist e zejtarë të ndryshëm. Ndërsa me 27 nëntor, në debatin që u zhvillua në TV Besa, morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shoqatave humanitare. Ndërsa në natën finale, në debatin që u zhvillua në TV Opinion, morën pjesë antarët e Këshillit Organizativ të këtij manifestimi.
Gjatë gjithë kohës, ndihma e qytetarëve nuk mungoi, e vlen të ceket edhe solidarizimi me këtë manifestim i shkollave të mesme, studentëve, zejtarëve dhe afaristëve.
Në fund OVL të UÇK-së Prizren ndau dhurata për dhjetë donatorët më të mëdhenjë të manifestimit, nga i cili u mbodhën mbi 15 mijë euro që u shpërndanë nëpër familjet e dëshmorëve.



TMK-ja filloi aktivitetet në kuadër të shënimit të festave të Nëntorit

Pejë, 25 nëntor 2005
Me 25 nëntor 2005, TMK-ja filloi aktivitetet në kuadër të shënimit të festave të Nëntorit, Ditës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe 8 vjetorit të daljes publike të UÇK-së. Në Zonën e Tretë Mbrojtëse në Pejë, u përurua Dhoma Muze, me ç’rast u mbajt një solemnitet. Në mes të tjerash të pranishmëve në emër të Subjekteve të dalura nga Lufta e UÇK-së, në nivel qendror, iu drejtua anëtari i Kryesisë Qendrore të OVL të UÇK-së dhe kryetar i Organizatës për Pejë, Nexhmi Lajçi.
Unë jam sot këtu në mesin tuaj i lumtur, i nderuar, i përmalluar, i shqetësuar dhe i ngarkuar me një peshë të veçantë. Jam i lumtur që po takohem me juve në këtë ditë të madhe që të mund t’i japim festës ngjyrat që i meriton. Jam i nderuar që na keni ftuar ta ndani me neve krenarinë e kësaj dite .Jam i shqetësuar sepse nuk ka në botë shqiptarë normal që nuk është i shqetësuar për fatin e Kosovës , kësaj pjese me plot dhëmbje të atdheut. Dhe jam i obliguar që në emër të Organizatës së Veteranëve, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës, t’ju falënderoj për gjithë kontributin tuaj të madh që po jepni në bartjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdisë se Kombit tonë, sepse jeni e vetmja shpresë për realizimin e amanetit të Dëshmorëve. tha në fillim të fjalës z. Lajçi.
Në qoftë se ndonjë herë nuk kemi ditur siç duhet, ta bëjmë politikën, nuk duhet matematikë e lartë që ta bëjmë llogarinë e interesave themelore të kombit. Ai që guxon ta lajthitë qëllimin tonë final me ose pa “dashje”nga zoti ynë i madh do ta marrë vetëm një epitet – tradhtar i Kombit. Me hapa më të shpejtë ose më të gadalshëm, brezi ynë ose brezi pas nesh, do ta kurorëzojë përpjekjen tonë shekullore për NJË KOMB, NJË ATDHE, NJË GJUHË E NJË FLAMUR dhe do t’i mallkojë për jetë të jetëve ata që na u ndanë gjatë rrugës sonë të shenjtë.
Në fund të fjalës së tij Nexhmi Lajçi uroi:
Të nderuar ushtarë, oficerë dhe nënoficerë të Kosovës do t’iu lë këtu, ashtu siç erdha, i brengosur, por me shpresë që festat e tjera juve do t’ua këtë lakmi mbarë Kombi për gëzimin që do të shfaqni kur të agojë dita jonë e madhe e lirisë së plotë.
GËZUAR DHE UROJ QË TË TAKOHEMI SHUMË SHPEJT PËR T’IA NGRITUR DOLLINË FITORËS SË SHUMË PRITUR!

Teksti i plotë gjendet në rubrikën Komunikata.



Subjektet e Luftës reagojnë ashpër kundër sulmit të KFOR-it në Prekaz

Prishtinë, 14 nëntor 2005
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqata e Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashpër reagojnë kundër sulmit të KFOR-it në Prekaz.
Tekstin e plotë e keni te rubrika Komunikata



Organizata në Pejë kërkon dorëheqjen e dy komandantëve të TMK-së

Pejë, 1 nëntor 2005
Kryesia e OVL të UÇK-së Pejë, ka reaguar kundër pjesëmarrjes nga ana e TMK-së, në një ceremoni varrimi me karrakter partiak. Fjala është për rivarrimin e trimave të Rugovës të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Salih Jaha, Sak Fazlija, Bajram Shari dhe luftëtarit nga Shqipëria Selman Uçi.
Në këtë varrim u përdorë flamuri partiak i LDK-së, me ç’rast Toga e Nderit të Zonës së Tretë Mbrojtëse të TMK-së, bëri nderim pranë këtij flamuri.
Kryesia e OVL të UÇK-së i ka drejtuar një kërkesë gjeneral lejtnant Agim Çekut, për largim nga TMK-ja të nënkolonel Salih Lajçit dhe nënkolonel Rasim Agushit. Arsyetimi për dorëheqje është se këta eprorë, nuk ishin të aftë që të mbrojnë dinjitetin e ushtarakut dhe TMK-së.



OVL të UÇK-së 2000 - 2006