Arkivi i lajmeve Prill - Qershor 2006

Kryesia e OVL të UÇK-së takohet me kryeministrin Çeku

Prishtinë 29 qershor 2006
Delegacioni i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i përbërë nga kryetari Faik Fazliu, nënkryetari Fatmir Mehmeti, sekretari Faton Klinaku dhe anëtari i Kryesisë Abdyl Mushkolaj, u takuan me kryeministrin Agim Çeku. Veteranët me këtë rast kanë njohur kryeministrin me preokupimet dhe problemet e anëtarësisë dhe të familjeve të tyre. Kryeministri Çeku ka përshëndetur zgjedhjen e Fazliut kryetar dhe fillimin e procesit të bashkimit të organizatave në një të vetme. Në takim veçmas u bisedua lidhur me pozitën e luftëtarëve të UÇK-së që aktualisht ndodhen në burgjet e UNMIK-ut dhe Hagës. Në veçanti janë diskutuar rastet e Naser Shatrit, Selim Krasniqit me shokë, rastin e luftëtarëve të akuzuar në procesin “Hajra”, si dhe luftëtarët që mbahen padrejtësisht në Hagë.
Veteranët shprehën kundërshtimin e tyre për vizitën e kriminelit serb Koshtunica në Kosovë si dhe dhunën e SHPK-së ndaj qytetarëve që kundërshtuan këtë vizitë.
Kryeministri Çeku në bisedë me veteranët e luftës ka pohuar se Ligji për Statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës, ndodhet në Zyrën ligjore në Nju Jork dhe pritet së shpejti një përgjigje, pa dhënë ndonjë afat të caktuar.



Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së kundërshtojnë vizitën e kriminelit Koshtunica në Kosovë dhe dënojnë dhunën e SHPK-së ndaj qytetarëve që protestuan kundër vizitës

Prishtinë 27 - 29 qershor 2006
Reagimet i gjeni në rubrikën Komunikata.



Kryesia e Organizatës viziton Zyren e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë

Prishtinë 23 qershor 2006
Kryetari i OVL të UÇK-së Faik Fazliu, vizitën e parë zyrtare, pas zgjedhjes së tij kryetar, i’a bëri Zyres së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Së bashku me nje delegacion nga Kryesia, kryetari Fazliu u takua me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë z. Bujar Muharremi.
Në këtë takim që kishte karakter njohës, u diskutua rreth gjendjes së kategorive të dalura nga lufta si dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë.
U dakordua për bashkpunimin e mëtutjeshëm në mes të Zyres së Republikës së Shqipërisë dhe Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së.



Nderimet e fundit për Selman Kuçin

Gllogjan 18 qershor – Arbanë 21 qershor 2006
Selman Kuçi, ish pjesëtar i Brigadës 131 Jusuf Gërvalla, Invalid i Luftës së UÇK-së, u varros me nderime ushtarake në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ora 18:00.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë bashkluftëtarë dhe përfaqësues të Organizatave të dalura nga Lufta të kryesuar nga kryetari i OVL dhe SHIL të UÇK-së Faik Fazliu. Në emër të bashkluftëtarëve ngushëllimet i shprehu Nexhmi Lajçi kryetar i OVL të UÇK-së në Pejë.

Ndërsa me 21 qershor në fshatin e lindjes së Selmanit, mori pjesë në ngushëllime, delegacioni i të tri Organizatave të Luftës së UÇK-së i përbërë nga dhjetëra veteranë, invalid e familjarë dëshmorësh. Në emër të këtij delegacioni ngushëllimet i shprehu Faik Fazliu kryetar i OVL dhe SHIL të UÇK-së. Shembulli i Selmanit do të jetë përherë në kujtimet tona dhe gjithmonë do të mburremi për aktivitetin e tij dhe do ta trasojmë rrugën e tij dhe Dëshmorëve të Kombit tha mes tjerash Faik Fazliu.



Aksidentalisht humb jetën Invalidi i Luftës së UÇK-së Selman Kuçi

Pejë 18 qershor 2006
Selman Kuçi, ish pjesëtar i Brigadës 131 Jusuf Gërvalla, Invalid i Luftës së UÇK-së, ka humbur jetën në një aksident trafiku. Njoftojmë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve se funerali mortor niset sot me 18 qershor 2006 nga shtëpia e të ndjerit në Arbanë të Pejës, në ora 16 e 30. Ndërsa varrimi do të bëhet në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ora 18:00.
Familjarëve dhe bashkluftëtarëve ju shprehim ngushëllime për këtë humbje të madhe.



Faik Fazliu zgjedhet kryetar i OVL të UÇK-së

Prishtinë 17 qershor 2006
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbajtur më 17 qershor 2006, u miratua dorëheqja e Kryetarit Sherif Krasniqi. Pas miratimit të dorëheqjes, Këshilli Drejtues, me qëllim të unifikimit të Shoqatave të dalura nga Lufta e UÇK-së në një Organizatë të vetme, zgjodhi Kryetar të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Z. Faik Fazliun, Organizatë e cila do të mbrojë vlerat e luftës dhe në përgjithësi vlerat kombëtare.
Në mbledhje u diskutua edhe çështja e sigurisë në Kosovë e sidomos në veriun e Kosovës dhe u kërkua që Kryesia e Veteranëve të takohet me Këshillin për sigurinë e Komuniteteve dhe të kërkoj përgjegjësi nga ata që janë përgjegjës, për gjendjen e nderë të sigurisë në Kosovë.
Këshilli Drejtues unanimisht vendosi që të mos pajtojë me ndryshimet që i janë bërë nga UNMIK-u, ligjit për Familje të Dëshmorëve, Invalidë e Veteranë të Luftës, ligj i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës dhe kërkon nga Institucionet e Kosovës që ta mbrojnë dhe zbatojnë ligjin në fjalë.



Organizatat në Komuna të gatshme për mbrojtjen e Vlerave të Luftës

Kosovë 15 maj– 15 qershor 2006
Në vizitat e deritanishme që krerët e organizatave kanë bërë anekënd Kosovës, nëpër zyret komunale, kanë gjetur gadishmërinë dhe mobilizimin e të gjithë veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, si dhe qytetarëve, në mbrojtjen pa kompromis të vlerave të luftës çlirimtare. Deri më tani janë mbajtur konsultimet në komunat: Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj, Klinë, Burim, Pejë, Gjilan, Viti, Dardanë, Ferizaj, Therandë dhe Lypjan. ndërsa në ditët në vazhdim do të zhvillohen edhe takimet në komunat e tjera.



Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së kundërshtojnë ashpër ndryshimet në ligj

Prishtinë 6 maj 2006
Organizatat e dalura nga Lufta, kundërshtuan ashpër ndryshimet që Zyra Ligjore e OKB-së i bëri në Ligjin për statusin dhe të drejtat e kategorive të dalura nga UÇK-ja, duke konsideruar se ato përbëjnë vazhdimësi të politikës diskriminuese që UNMIK-u po ndjek në Kosovë prej përfundimit të luftës çlirimtare. Sherif Krasniqi kryetar i Organizatës, theksoi se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nuk do të pranojnë kompromis për ndryshim, në asnjë pikë të ligjit, përpos ashtu siç është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, organizatat kërkuan përkrahjen e gjerë të partive politike, duke shprehur gadishmërinë për mbrojtjen e vlerave të luftës, në të gjitha format e mundshme, të cilat do të jenë shumë më të efektshme, nga format që janë përdorur deri më tani.



Nënshkruhet Ligji për statusin dhe të drejtat e veteranëve, invalidëve, dëshmorëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre

Prishtinë 2 maj 2006
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, nënshkroi ligjin për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së UÇK-së ku ishin të pranishëm kryeministri Çeku dhe përfaqësues të Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së. Me këtë ligj ne pranojmë kontributin që kanë dhënë martirët e luftës, për paqe në Kosovë tha Peterseni.
Kryeminstri Çeku tha se përkundër që ligji është dashur të bëhet shumë më herët, është shumë i rëndësishëm pasi tash e tutje këto kategori do të kenë mbrojtje institucionale.
Në anën tjetër, kryetari i OVL të UÇK-së Sherif Krasniqi, mes të tjerash deklaroi se “ky ligj nuk është i përsorur, por synimet dhe përpjekjet tona janë që në vazhdimësi të plotësohet, në mënyrë që ky ligj t’iu përgjigjet në mënyrë adekuate nevojave të tri kategorive të dalura nga Lufta e UÇK-së”.



Fjala përshëndetëse e OVL të UÇK-së në Asamblenë e Konfederatës Evropiane të Veteranëve

Perpignan Spanjë 26 prill 2006

I nderuar kryetar! Të nderuar pjesëmarrës të të gjitha vendeve përfaqësuese! Të nderuar të pranishëm! Përshëndetje për të gjithë.
Unë jam këtu sot në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ndër organizatat me të reja të veteranëve të Evropës, e cila numëron mbi njëzet e pesë mijë luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare, por edhe shtetas nga vende të Evropës, Amerikës dhe Australisë-vullnetarë në luftën tonë çlirimtare, e cila luftë u mbështet edhe nga aleanca e forcave ndërkombëtare të NATO-s. Organizata jonë ka rreth vetes 2400 invalidë të luftës, me shkallë të ndryshme të invaliditetit dhe njëkohësisht përkujdeset për familjet e 2500 dëshmorëve të rënë në beteja të shumta të zhvilluara me pushtuesin serb. Ne veteranët e UÇK-së, pjesëtarë të një populli që njihet për kah trimëria e heroizmi, virtyte këto të cilat vazhdimisht i ka dëshmuar për më shumë se dymijë vite në luftëra me pushtues të shumtë që nga periudha e pushtimit romak, atij bizantin, pesëqind vite në luftë me Perandorinë Osmane e edhe në luftën e fundit me pushtuesin 100 vjeqar serbosllav, është me rëndësi të them para jush se populli ynë nuk ka bërë as edhe një luftë të vetme pushtuese.
Të nderuar pjesëmarrës! Jemi të nderuarë që sot jemi këtu, në radhë të parë se me vete sjellim vlerat tona më të çmuara kombëtare, dhe se për ne është e rëndësishme prania jonë në këtë asamble bashkë me veteranët e vendeve të ndryshme të Evropës, veteranë të luftërave të ndryshme. Ne jemi një organizatë e re por që sjellim me vete një përvojë të bujshme sa të bazuar në traditën e popullit tonë, aq edhe në luftërat që tani së voni, në kohën tonë u zhvilluan.
Të nderuarë pjesmarrës lufta jonë e zhvilluar për çlirimin e vendit ka brenda vetes lavdinë e heroizmin e pashoq të shumë të rinjëve e të rejave të cilët me përpjekje vetëmohuese nuk e ndalën luftën deri në sakrifikimin e vetes. Kjo luftë, ashtu si edhe të gjitha luftërat që zhvilloi populli ynë, u udhëhoq nga qëllimi i shenjtë-ai i çlirimit të trojeve tona stërgjyshore, ajo nuk pati as edhe një element të vetëm terrorizmi, as edhe një element të vetëm poshtërues që do ta ndotëte qëllimin e saj.
Populli ynë i besoi UCK-së si diellit, si dritës, si ajrit,pa të cilët nuk mund të kishte jetë. Filozofia e tijë u bë liria, dhe mjeti i realizimit të sajë UCK-ja. Me pranimin tonë në Konfederatën Europiane të veteranëve të luftës, ne ju jemi shumë mirënjohës, ky fakt na bën të ndihemi mirë, por edhe të obligohemi njëkohësisht. Dihet se luftërat sjellin dëme të mëdha, por suksesi i tyre i kurorëzuar me çlirimin e vendit i bën të arsyeshme këto humbje, edhe kur është fjala për humbjet në njerëz. Ne në Kosovë jemi një popull i vogël, por shumë fisnik, për fatë të keq historia na mësonë se na u imponuanë luftëra të shumta, nga pushtues të ndryshëm, megjithëatë lufta e UCK-së na mësoi sa e vlefshme është liria.
Të nderuar pjesëmarrës! Në parim, ne urojmë që të mos ketë luftëra më askund në botë, se ato janë armik i njerëzimit, por e dimë se megjithatë luftëra do të ketë, përderisa nuk pushojnë se ekzistuari pushtuesit, dhe luftërat pushtuese që i bëjnë ata. Neve na takon, dhe është në esencën e përcaktimit tonë, mirëqenia e njerëzve, pa dallim feje e etnije, zhvillimi dhe perspektiva e tyre.Vetëm pse ishim të udhëhequr nga ky parim, edhe pse ishim të pa barabart me armikun, e fituam mbështetjën ndërkombëtare dhe e fituam edhe luftën. Të duash jetën e të tjerëve do të thotë të jesh i gatshëm të sakrifikosh edhe jetën tënde në përballje me ndalësit e jetës-pushtuesit. Jemi krenarë që vijmë nga një pozitë e tillë. Nuk ke si të mos ndihesh mirë kur bënë gjithfarë që mund të bësh, për lirinë e popullit tënd, duke mos cenuarë lirinë e të tjerëve. Ju falemnderit.
Idriz Mehmeti OVL të UÇK-së



Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pranohet si anëtare me të drejta të barabarta në Konfederatën Evropiane të Veteranëve të Luftës

Perpignan Spanjë 26 prill 2006
Me 26 prill 2006 në Perpignan të Spanjës është mbajtur Asambleja e Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës.
Në këtë Asamble është pranuar zyrtarisht edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së si anëtare e barabartë e KEVL-së.
OVL të UÇK-së në Asamble është përfaqësuar nga Idriz Mehmeti veteran i UÇK-së, i cili ka mbajtur një fjalim që është mirëpritur nga pjesëmarrësit e Asamblesë. OVL të UÇK-së është një prej organizatave me të reja të veteranëve të luftës por edhe si anëtare kësaj Konfederate.
Pranimi i OVL të UÇK-së në këtë konfederatë është i një rëndësie të veçantë e sidomos në avansimin e vlerave të popullit tonë. OVL të UÇK-së është duke bërë përpjekje për t’u bërë anëtare edhe e FMAC (Federatës Botërore të Veteranëve të Luftës), ku edhe në këtë drejtim Organizata ka bërë hapa konkret.



Organizata ndan mirënjohje për Banjën e Kllokotit

Prishtinë 20 prill 2006
Kryetari i Veteranëve Sherif Krasniqi me bashkpunëtorë, vizitoi sot Banjën e Kllokotit, ku shikoi për së afërmi punën që po e bën ky institucion në rehabilitimin e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Kryetarin Krasniqi e priti drejtori i Banjës me bashkpunëtorë, të cilët informuan rreth aktivitetit të Banjës së Kllokotit prej vitit 1999. Zyrtarët e këtij institucioni rehabilitues ofruan edhe më tej bashkpunim me Organizatat e dalura nga Lufta në ndihmë kategorive që këto përfaqësojnë.
Në fund, në emër të Kryesisë së Organizatës, kryetari Sherif Krasniqi ndau mirënjohje për drejtorinë dhe stafin e Banjës së Kllokotit, për kontributin e tyre të dhënë në rehabilitimin e kategorive të luftës së UÇK-së.



Organizatat e dalura nga Lufta presin Kryeministrin Agim Çeku

Prishtinë 13 prill 2006
Kryesitë e Veteranëve, Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmorëve, pritën sot në një vizitë kryeministrin Çeku. Ky është takimi i dytë në mes kryeministrit dhe Organizatave të Luftës.
Në takim u bisedua për situatën politike në Kosovë, bisedimet rreth statusit të ardhshëm, e sidomos u fokusua në çështjen e Mitrovicës.
Nga kryeministri u kërkua që të përkujdeset për gjendjen e kategorive të luftës, në mënyrë institucionale. Gjithashtu u kërkua që Qeveria e Kosovës të ndikojë që Ligji për kategoritë e luftës së UÇK-së, i miratuar më herët, të nënshkruhet sa më parë nga shefi i UNMIK-ut, dhe që sa më parë të fillojë zbatimi i tij.
Kryetari i OVL të UÇK-së Sherif Krasniqi, shprehu shqetësimin e veteranëve të luftës për mënyrën e organizimit të disa akademive përkujtimore, nga matrapazët e pasluftës për qëllime të veta private.
Në fund të takimit, Agim Çekut dhe bashkpuntorëve të tij, iu shpërndanë librezat e antarësisë në OVL të UÇK-së.



Reagim ndaj mënyrës së shënimit të përvjetorit të Betejës së Koshares

Prishtinë 11 prill 2006
Trajtimi i momenteve të rëndësishme kombëtare duhet të bëhet me përgjegjshmëri madhore, duke mos lejuar që të përdoren si instrumente politike për çfarëdo motivi qoftë.
  • Nisur nga fakti që betejat e luftëtarëve të UÇK-së, në kuadër të kësaj edhe beteja e Koshares, janë beteja të UÇK-së dhe janë bërë nga luftëtaret e kësaj ushtrie, ku disa prej tyre kanë rënë dëshmorë, disa kanë lënë gjymtyrët e tyre nëpër beteja siç ishte edhe ajo e Koshares e disa fatmirësisht u kanë shpëtuar këtyre betejave të cilat janë bërë kundër okupatorit dhe për lirinë e popullit.
  • Nisur nga fakti se këto kategori janë të organizuara në jetën institucionale, dhe përfaqësohen nga Organizatat e tyre, Organizata të cilat parim të tyre e kanë: që datat historike dhe përvjetorët që shënojnë gjakimin e kombit tonë për liri, të shënohen mbi parimin e forcimit të unitetit kombëtar e që është ideal i të gjithë dëshmorëve të kombit.

Andaj, organizimi i përvjetorëve të UÇK-së, duke anashkaluar luftëtarët e saj respektivisht Organizatat e tyre, është përpjekje e denigrimit të vlerave të luftës së UÇK-së dhe abuzim i funksionit të Kryetarit të Kosovës. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin tjetër se kjo Akademi Përkujtimore u mbajt pa simbolin e UÇK-së, pa fotografinë e Legjendarit Adem Jashari dhe me prezencën e një simboli privat, atëherë merr karakter tepër privat e partiak dhe ka për qëllim përvetësimin e sakrificës së atyre që u flijuan për lirinë e popullit, për nevojat e matrapazëve të pasluftës. Vlerat e luftës së UÇK-së, janë vlera kombëtare dhe askush nuk mund ti përvetësoj ato.
TMK, me pjesëmarrjen e saj në këtë Akademi, edhe njëherë ra në lajthitje dhe nuk duhet të bjerë viktimë e interesave të ngushta klanore, grupore dhe partiake.
Populli ka nevojë për institucione të qëndrueshme, unifikuese dhe funksionale, e jo për institucione partiake.
Populli shqiptar do të kujdeset edhe në të ardhmen, siç është kujdesur ndër breza, për të ruajtur kujtimin e pavdekshëm dhe frymëzues të dëshmorëve, në format dhe rrugët që do t’i konsideroj të përshtatshme, deri sa të fitojë lirinë dhe për të vendosur vet për vetveten.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së



Delegacion i KFOR-it austriak viziton OVL të UÇK-së

Prishtinë 6 prill 2006
Oficerë të KFOR-it Austriak, vizituan për një takim lamtumirës Organizatën dhe prezentuan oficerët e rinjë në detyrë të batalionit austriak të KFOR-it. Të dyja palët vlerësuan bashkpunimin e deritashëm dhe u zotuan se ky bashkpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu u diskutua për situatën në vend, ku u cek edhe mbajtja e padrejtë e veteranit të luftës Naser Shatri, me fletarrest të Serbisë, në Vjenë.
Në fund, kryetari Sherif Krasniqi dhe delegacioni i KFOR-it shkëmbyen mirënjohje dhe dhurata mes vete.



2 vjetori i vrasjes së luftëtarit të UÇK-së dhe eprorit të TMK-së Shaqir Krasniqi

Prishtinë 6 prill 2006
Në 2 vjetorin e vrasjes së kapiten Shaqir Krasniqit – Komandant Rrapinit, në organizim të Organizatave të Luftës së UÇK-së, u mbajt një Akademi Përkujtimore në Prishtinë. Në akademi u vlerësua lartë kontributi i oficerit të TMK-së Shaqir Krasniqi, i cili gjatë luftës së UÇK-së ishte plagosur në qershor 1998, e menjëherë pas shërimit kishte vazhduar luftën në Brigadën 138 Agim Ramadani.
Shaqiri i cili i shpëtoi plumbave të armikut, u vra tradhëtisht nga mbeturinat e tij që mbetën në Kosovën e pasluftës dhe me çdo kusht po punojnë për kthimin e Kosovës në robëri.
Organizatat e Luftës u zotuan që do të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër të gjithë armiqëve të popullit shqiptarë, drejt realizimit të amanetit të shokëve të rënë.
Në fund kryetari i Organizatës Sherif Krasniqi në emër të Organizatave të Luftës së UÇK-së, i ndau mirënjohje post mortum kapitenit Shaqir Krasniqi, për kontributin e dhënë në luftën për çlirimin e popullit shqiptarë.



OVL të UÇK-së 2000 - 2006