Arkivi i lajmeve Korrik - Gusht 2006

Në njëvjetorin e ndarjes nga ne, përkujtohet luftëtari i çështjes kombëtare DYLBER BEKA

Prishtinë 28 gusht 2006
Në njëvjetorin e ndarjes nga ne, u përkujtua luftëtari i çështjes kombëtare Dylber Beka. Me këtë rast, po shkëpusim disa detaje më të rëndësishme nga fjalimi i Organizatës:
Luftëtarët si Dylber Beka, punuan me devotshmëri drejt krijimit të një ushtrie çlirimtare siq ishte UÇK. Lufta e UÇK-së, theu ‘’murin e Berlinit’’ në mes të shqiptarëve, që ishte ngritur për gati një shekull të tërë duke dëshmuar edhe kësaj radhe me gjakun e bijëve dhe bijave më të mira nga të gjitha viset shqiptare duke u betuar para flamurit kombëtar deri në flijim për idealet e larta për çlirimin e atdheut. Pjesë e këtyre vlerave u bë edhe luftëtari të cilin po e përkujtojmë sot, i cili më punën e tij ishte ishte një ndihmesë drejt krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës
Ne veteranët e luftës së UÇK-së jemi të pakënaqur me zhvillimin e ngjarjeve të pasluftës, politika vendore nuk ishte në kontinuitet të punës për të përmbyllur misionin politik që kishte lufta jonë. Administrata e instaluar në Kosovë, UNMIK-u, vazhdimisht e ndjeku të njëjtën politikë që e kishim edhe para luftës, por në forma më të reja dhe më moderne, duke e shfrytëzuar Kosovën si laborator për eksperimente. Kjo po bëhet edhe më e dukshme me fillimin e bisedimeve për statusin politik të Kosovës, bisedime që për ne janë robëri e re për Shqiptarët të cilët jetojnë në trojet e tyre.
Këto projekte antishqiptare po përkrahen fuqimisht nga Politika vendore, politikë e cila po bën përpjekje që të shkatërrojë vlerat tona kombëtare, të arritura me mund e me gjak, duke na kthyer në kohën e principatave me qëllim të ndërrimit të identitetit tonë kombëtar. Këto përpjekje janë bërë vazhdimisht nga pushtuesit tanë por çdo herë kanë dështuar.
Politikën ndërkombëtare për Kosovën janë duke e mbështetur të gjithë faktorët politik shqiptar anekënd trojeve tona. Kjo politikë po i servohet popullit tonë nga të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Po i servohet nga Parlamenti dhe Qeveria si qendrore ashtu edhe komunale. Po i servohet me një demagogji sikur politikanët shqiptar nuk negociojnë për pavarësinë por vetëm se janë të obliguar që të plotësojnë kërkesat e miqëve tanë që kërkojnë nga ne fleksibilitet. Populli pra ndodhet përballë një terrori të tmerrshëm psikologjik nga të gjitha drejtimet. Me një fjalë politika ndërkombëtare ka lëshuar në veprim të gjithë mekanizmat me qëllim që të përmbyllë këtë fazë me sa më pak kundërshtime. Politikanët e nënshtruar e kanë pranuar zgjidhjen e pavarësisë së kushtëzuar edhe pse në retorikën e tyre flasin për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se për të ndikuar në ndryshimin e gjendjes duhet të kemi një organizim shumë të përsosur dhe kjo kërkon kohën e vet. Forca jonë organizative nuk është sot në gjendje të pengoj rrjedhat e politikës ndërkombëtare për Kosovën. Mirëpo duke qenë të bindur se e vërteta qëndron në anën tonë dhe jo në anën e negociatorëve të lirisë jemi të bindur që do të shkurtojmë kohën dhe të arrijmë të organizojmë popullin drejt rrugës për liri, së bashku me forca tjera që kanë të njëjtën bindje. Pikërisht këtu është edhe baza e kundërshtimit të politikës sonë me politikën e negociatorëve të lirisë. Ata mendojnë se populli ynë nuk ka fuqi të kundërshtoj bashkësinë ndërkombëtare, prandaj duhet tu bindemi kërkesave të tyre. Ne mendojmë se një popull i organizuar mirë dhe i vendosur në qëllimin e vet mund ta realizoj atë në çdo rrethanë dhe aq më tepër në rrethanat aktuale. Nëse jemi të aftë të shprehim fuqishëm vullnetin tonë për liri duke demonstruar vullnet dhe vitalitet të pathyeshëm, ne mund të detyrojmë aktorët e negociimit të lirisë sonë të ndërrojnë mendim. Sikur populli ynë të mobilizohej për të shprehur fuqishëm dëshirën e vet për liri të panegociushme atëherë gjërat do të merrnin drejtim tjetër. Shfaqja e gjithë energjisë kundërshtuese popullore përballë faktorëve që sot kundërshtojnë lirinë është një argument mbi të cilin fitohet legjitimiteti për të gjitha mjetet tjera.
Të nderuar të pranishëm
Ne luftëtarët e UÇK-së, duke e ndjekur me vendosmëri shembullin e të parëve tanë, jemi të vendosur, që deri në fund, ta vazhdojmë rrugën e heronjëve dhe dëshmorëve të kombit, rrugën e shenjtë për çlirimin e trojeve tona.



Inagurohet faza e parë e Memorialit të Dëshmorëve të Kombit në Kleçkë

Kleçkë 25 gusht 2006
Me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 121 Kumanova, që përkon me rënien e dëshmorit Ismet Jashari – Komandant Kumanova, të premten me 25 gusht 2006 në Kleçkë, në ora 13: 00 do të mbahet manifestim përkujtimor kushtuar dëshmorëve të Brigadës. Gjithashtu do të inagurohet faza e parë e projektit të Memorialit të Dëshmorëve të Kombit. Kompleksi ka filluar të ndërtohet nga viti i kaluar, me iniciativën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndërsa faza e parë është mbështetur nga Kuvendi Komunal Lypjan.



Shënohet përvjetori i rënies së Komandant Petritit

Prizren 15 gusht 2006
Në tetëvjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit Remzi Ademaj – Komandant Petriti, komandant i parë i ZO të Pashtrikut, OVL të UÇK-së në Prizren, organizoi akademi përkujtimore. Në akademi morën pjesë bashkluftëtarë të Petritit, si dhe përfaqësues të TMK-së, SHPK-së dhe jetës politike.
Historikun në emër të OVL të UÇK-së Prizren, para të pranishmëve e lexoi Nexhat Çoçaj, ndërsa të pranishmëve iu drejtuan edhe Jakup Krasniqi ish zëshënës i UÇK-së, Zafir Berisha, Bedri Ajazaj dhe prof. Agim Zogaj.
Në emër të Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Faton Klinaku sekretar i Organizatës nder të tjerash theksoi se : “ Sot, në këtë përjvetor që shënon rënien e dëshmorit të kombit Remzi Ademaj – Komandant Petriti, po kujtojmë përpjekjet e parreshtura në luftërat për liri, të cilat pa përjashtim kanë brenda vetes atë më sublimen-gjakun e të rënëve-jetërat e atyre që i dhanë dritë kombit tonë. Këto kujtime na mbushin krenari. Krenohemi që jemi dhe që patëm me se të jemi.
Komandant Petriti dhe shumë shokë të tij u angazhuan në luftën çlirimitare të pjesëve të pushtuara të Shqipërisë, atëherë kur atdheu e kërkoi këtë. Ata kushtrimit për liri iu përgjigjën duke u bërë ushtarët e çlirimit të atdheut.
Heroizmi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij në marsin e vitit 1998 mobilizoi tërë popullin shqiptar në trojet e tij etnike por edhe në tërë globin ku do që ndodheshin, duke i dhënë luftës sonë karakter gjithëkombëtar.
Ishte vazhdimësia e përmbushjes së vendimeve që mori Kuvendi i Vlorës më 28 nëntor 1912, në krye me Ismail Qemalin, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, që përfshinte edhe Kosovën dhe pjesët tjera të shqipërisë, të pushtuara nga sllavët dhe grekët e që akoma po mbahen të pushtuara.
Këtë përcaktim të tyre e dëshmon betimi që dhanë për të cilin u angazhuan deri në flijim.
E nderuara familje Ademaj, ju mbetët pa të dashurin tuaj Komandant Petritin, ne pa një bashkëluftëtar, por kombit ju shtua një dëshmor. Komandant Petriti, hyri në radhën e vargut të gjatë të të pavdekshmëve, mori statusin e përjetësisë. E ndau të njëjtin fat me Adem Jasharin e Indrit Carën, Tahir Sinanin e Zahir Pajazitin, Skerdilajd Lagamin e Luan Haradinajn, Ismet Jasharin e Xhevat Berishën e mijëra bijë dhe bijave të rënë në fusha të nderit në luftërat e parreshtura me pushtuesit tanë .
Të nderuar vëllezër dhe motra, përkujtimi që po bëjmë sot është edhe një dëshmi që Petriti mbeti, realisht ne do të shkojmë, Petriti do të jetoj përjetë dhe mot.
Bashkëluftëtarëve të dëshmorëve, sidomos, të gjithë pasuesve të tyre u takon barra historike që amanetin e të rënëve ta bëjnë realitet.
Komandant Petritit dhe të gjithë trimave tjerë, të rënë fushave të nderit lavdi, përjetë lavdi”

Në fund në emër të familjes Ademaj përshendeti Hamit Ademaj vëllau i Dëshmorit.



Kur gjyqet i dikton Politika Kriminale

Prishtinë 11 gusht 2006
Ne, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, edhe një herë ngrisin zërin dhe shprehin indinjatë të thellë, rreth aktgjykimit tërësisht të montuar kundër Gjen. Selim Krasniqit, Kolonel Bedri Zyberajt dhe Agron Krasniqit.
Lojërat politike të UNMIK-ut, me dirigjime të Beogradit, janë të pakufishme dhe me pasoja të mëdha për bartësit e luftës çlirimtare dhe për vet popullin tonë dhe të ardhmen e tij. E tërë kjo luftë politike, e zhvilluar kundër vlerave të popullit tonë, ka një qëllim të vetëm: Mohimin e vlerave, vlera këto të arritura me çmim shumë të lartë, me gjakun e mijëra dëshmorëve në luftën e parreshtur për lirinë e popullit tonë kundër pushtuesit serbosllav.
Të gjykohen dhe dënohen në emër të popullit, ata që luftuan për lirinë e tij, të gjykohen dhe dënohen me direktiva dhe dosje të përpiluara nga pushtuesi dhe me ligje të tij, ata që luftuan pushtuesin dhe krimin e organizuar nga ai, don të thotë se gjyqet i dikton politika kriminale e pushtuesit serb. Fatkeqësisht me pajtimin e politikës vendore e cila shfaq besimin ndaj këtyre gjykatave.
Ne organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kërkojmë që sa më parë të lirohen të gjithë luftëtarët e UÇK-së nga këto burgje dhe të marr fund një herë e përgjithmonë kjo luftë e turpshme kundër popullit tonë dhe bijëve më të mirë të tij, sepse përndryshe kjo gjendje po bëhet çdo ditë e më shumë e padurueshme dhe përgjegjësia do të bie mbi ata të cilët po e krijojnë.
Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së



AKTGJYKIM POLITIK ANAKRONIK NDAJ GJENERAL SALI VESELIT

Prishtinë 7 gusht 2006
Siguria dhe stabiliteti i një shteti varet nga domosdoshmëria e aplikimit dhe zbatimit të drejtë të drejtësisë dhe eliminimit të politikës në punët dhe vendimet e gjyqësorit. Ky parim në ç’do shtet është i shenjtë, që nga kohërat më të lashta. Aty ku politika ndikohet, apo gjykatat janë nën trysninë e saj nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me zbatimin e normave ligjore – por me krijimin e precedentit juridik që është jo vetëm anakronizëm i zbatimit të drejtësisë dhe ligjeve por kjo krijon një praktikë tepër të fortë të dukurisë së arbitrarizmit dhe subjektivitetit të gjyqësorit.
Shqiptimi i dënimit prej 15 vjetësh, për gjeneral Sali Veselin është një rast eklatant i këtij lloji dhe soji. Se dikush mund të dënohet vetëm në bazë të supozimeve, madje për kinse cytje apo nxitje për kryerje të veprës penale – vrasje, pa prova metariale të bindshme, vetvetiu legjitimon anarkinë juridike të gjyqësorit.
Se mund të ndodh një anomali ekstreme juridike e këtillë, nga ana e trupit gjykues dhe prokurorit ndërkombëtar, të cilët kinse kanë ardhë për të na mësuar drejtësinë, ne Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, jo vetëm që jemi tepër të indinjuar, por dhe një aktgjykim të tillë e konsiderojmë si akt i satanizimit të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së, pos atyre që janë servilë.
Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, veprimin e tillë e konsiderojnë si akt thjeshtë politik e kinse si juridik, i cili pos tjerash bazohet edhe në deklaratat e rrejshme apo të nxjerrura me trysni ose premtime nga organet e drejtësisë ndërkombëtare.
Sërish përsërisim se Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, në asnjë mënyrë nuk pajtohemi me aktgjykimin e këtillë e as aktgjykimet e pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, ngase, prapa këtyre veprimeve po luhen lojëra djallëzore me tendenca të mohimit të luftës së drejtë çlirimtare. Kjo përmes frymës politike, arkaike të drejtësisë në bazë të prostullatit të supozimeve e që është vetëm dyshim e jo provë materiale.
Jemi të vetëdijshëm se me këto veprime në momentin aktual të çështjes së Kosovës, dikush po tenton që të na frigojë neve, familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës, por ne kurrsesi nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, apo të bëhet dukuri e përditshmërisë sonë.
Ne nuk ju kemi friguar armëve shkatërruese e që tani të frigohemi nga “aplikimi” i kinse drejtësisë nga ana e ndërkombëtarëve. Kjo është vetëm një fluskulë politike e çastit.
Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së



Mbahet me sukses Demonstrata kundër negociimit të lirisë

Prishtinë 24 korrik 2006
Rreth një mijë demonstrues që mbanin pankarta ku kundërshtohej negociimi i lirisë së fituar me gjak, demonstruan kundër takimit që po mbahej në Vjenë, në mes të shtetit serb dhe Institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës. Masës së mbledhur i’u drejtuan Xhavit Jashari kryetar i SHFD të UÇK-së, Adem Demaçi, Smajl Latifi kryetar i LKÇK-së, Albin Kurti lider i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe deputetët Xhevat Bislimi (PDK), Emrush Xhemajli (LPK) dhe Gjergj Dedaj (PLK).
Në secilin nga fjalimet u kritikuan institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës dhe u kërkua fuqimisht që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet përmes vetëvendosjes së popullit të Kosovës, si kompromisi i vetëm i mundshëm në rrugën e bashkimit kombëtar.
Mes të tjerash, në emër të Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi: Të gjithë ata që harrojnë, evropianë e shqiptarë, ne ju themi të mos harrojnë se po harruan ne do t’ua kujtojmë edhe sot edhe nesër dhe kurdoherë që të ketë nevojë, se Kosova ka zot, Kosova ka popullin e saj shumicë, Kosova ka luftuar dhe ka derdhur shumë gjak për lirinë e saj.
Pra, u themi atyre që harrojnë, se për çdo gjë mund të flitet dhe të bisedohet, por jo për lirinë, jo për pavarësinë dhe jo për vetvendosjen ngase këto troje janë larë me gjakun e të rinjëve më të mirë të popullit tonë, nëse sërish nuk duan gjak dhe luftë t’i kthehen vetes dhe popullit, sepse liria nuk falet, nuk realizohet as në Londer e Berlin as në Rambuje, Beograd e Vjenë por ajo fitohet dhe ndërtohet në popull dhe bashkë me popullin.

Asnjë incident nuk u shënua gjatë demonstratës e cila filloi në ora 12 dhe zgjati mbi një orë e gjysëm.



Krrokatjet e Ardian Gjinit

Prishtinë 21 korrik 2006
Lidhur me deklarimin e Ministrit Ardian Gjini, në emër të grupit negociator se protestat e organizuara janë diletantizëm dhe pyet se le të tregojnë organizatorët se si duhet zgjidhur statusi politik i Kosovës përveç me negociata, diletantit që flet për diletantizëm po i japim këtë përgjigje:
Kategoritë që përfaqësojmë ne, kanë dëshmuar me luftën çlirimtare dhe me gjakun e derdhur se si fitohet liria e popullit dhe përsëri janë të gatshëm që për popullin ta japin jetën.
Diletantizëm nuk është ta mbrosh atë që fitohet me gjak, por diletantizëm është që ta humbësh atë në bisedat me okupatorin. Edhe vet Parlamenti i Kosovës, ka nxjerrur një Rezolutë se Statusi Politik i Kosovës është i panegociushëm dhe do të vendoset me Referendum.
Për ne statusi politk i Kosovës është vendosur me luftën e armatosur të UÇK-së dhe vulosur me gjakun e mijëra dëshmorëve të kombit.
Parimi i vjetër romak thot: Pronari, për pronën e vet nuk negocion me askënd përveç në rastin kur e qet në Pazar.
Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së



Kryesia e Organizatës, fillon demaskimin dhe përjashtimin e profiterëve të Luftës

Prishtinë 14 korrik 2006
Njoftojmë opinionin e gjerë se në mbledhjen e Kryesisë, të mbajtur më 14.07.2006, kryesia e OVL të UÇK-së mori këtë:

VENDIM

Përjashtohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Z. Nezir Kryeziu –Kryetar i OVL të UÇK-së për komunen e Therandës. Përjashtimi bëhet për shkak të keqpërdorimit të statusit të veteranit të luftës, shkeljes së rëndë të kodit të etikës së luftëtarit dhe për shkak të përfitimeve në emër të luftës së UÇK-së.
Luftëtari i Lirisë, ashtu siç ishte në luftë, edhe në paqe duhet të jetë në shërbim të popullit dhe të mirëqenjes së tij dhe me shembullin e tij në ç’do vend dhe në ç’do kohë të pasqyroi figurën e shenjtë të luftëtarit të lirisë dhe të mbrojë vlerat e lutës dhe gjakut të derdhur.
Asnjë pjesëmarrës i luftës, nuk e ka të drejtën të keqpërdorë apo të përfitoi në emër të luftës.
OVL e UÇK-së do të demaskojë dhe dënojë, në vazhdimësi, të tillët që ka në radhët e saj dhe nuk do të lejojë që dikush, për qëllime personale, të njollosë pastërtinë e luftës çlirimtare.
Kryesia e OVL të UÇK-së
Kryetari Faik Fazliu



OVL të UÇK-së 2000 - 2006