Arkivi i lajmeve Shtator 2006

Dita e Dëshmorëve të Ferizajit

Ferizaj 28 shtator 2006
Mijëra qytetarë ferizajas ishin tubuar për të përkujtuar ata që kontribuan më së shumti për vendin e tyre- Dëshmorët e Kombit. Në këtë ditë të madhe për Ferizajin, mes të tjerëve, masës iu drejtua në emër të Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari kryetar i SHFD të UÇK-së. Mes të tjerash z.Jashari theksoi:
Po bëhen shtatë vjet që nga përfundimi i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku për lirinë e kësaj pjese të tokave shqiptare është derdhur gjaku i djemve dhe vajzave më të mira të këtij vendi, kurse tashti del dikush dhe bisedon me pushtuesin serb, se a duhet të jetojmë të lirë, apo nuk duhet! Se a duhet të jemi zot në shtëpinë tonë, apo duhet të jetë dikush tjetër zot shtëpie, se a duhet të jemi vend i pavarur, apo duhet të lihet Kosova sërish nën Serbinë, thuajse Kosova ka mbetur e shkretë? dhe tashti mund të vendosë për të kujt t’i teket dhe si t’i teket!
… për çdo gjë mund të flitet dhe të bisedohet, por jo për lirinë, jo për pavarësinë dhe jo për vetvendosjen ngase këto troje janë larë me gjakun e të rinjëve më të mirë të popullit tonë, nëse sërish nuk duan gjak dhe luftë ti kthehen vetes dhe popullit, sepse liria nuk falet, nuk realizohet as në Londer e Berlin as në Rambuje, Beograd e Vjenë por ajo fitohet dhe ndërtohet në popull dhe bashkë me popullin.
…Në këto shtatë vjet, ende nuk ka pasur kohë, mundësi dhe guxim qytetar e politik, që organet kukulla të pushtetit fiktiv të Kosovës, të nxjerrin një ligj për vlerën historike e kombëtare të Luftës së UÇK-së. E dihet se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte, ka dhe do të ketë vlerë historike dhe kombëtare në jetën e popullit shqiptar.
Dhe sot kur përkujtojmë Dëshmorët e Kombit kaq kohë pas lufte akoma nuk ka një përkujdesje të merituar nga institucionet për familjet e dëshmorëve, për invalidët dhe veteranët e luftës, e në anën tjetër thonë se punojnë dhe bëjnë politikë për të mirën e popullit, të njerëzve të Kosovës. Për cilin popull, per cilët njerëz, dhe për cilën Kosovë flasin ata, që ndryshe flasin në këtë të ashtuquajturin Parlament i Kosovës, ndryshe flasin me ne-njerëzit e ketij populli, ndryshe me delegacione ndërkombëtare.
Të mos flasim këtu për viktimat e luftës, për të masakruarit, për ata që nuk janë gjetur, për ata që nuk u dihen varret. Kurse në anën tjetër, këta zotërinj evropianë e shqiptarë, sa thonë se nuk do të bisedojnë për Pavarësinë e Kosovës, pas tri ditësh, jo vetëm i hanë fjalët e veta, se kjo është puna më e vogël e tyre, por pa asnjë hezitim dalin e thonë se këtë e bëjnë për të mirën e Kosovës, thuajse ne të tjerët, ish luftëtarët e UÇK-së, invalidët e kësaj lufte, veteranët, njerëzit e këtij populli, nuk dimë se çka është mirë për Kosovën dhe nuk dimë si bëhet Pavarësia. Ju, pushtetarë shqiptarë të Kosovës, bashkë me ata të qendrave evropiane, që kur është fjala për Kosovën dhe për shqiptarët, asnjëherë nuk i harrojnë pazaret e vjetra, që kanë hapur shumë plagë, të cilat ende kullojnë gjak, ndoshta keni guxim dhe shkoni për të biseduar per lirinë e Kosovës, edhe kur i hani fjalët tuaja dhe thoni se liria ështe fituar me Luftën e UÇK-së dhe të popullit të Kosovës.
…Ju, zotërinj të politikës së ditës në Kosovë, ndoshta keni guxim dhe shkoni për të biseduar për vetvendosjen e Kosovës, sado që keni nxjerrë edhe Rezoluta se për këtë nuk bisedohet. Në anën tjetër nguteni të shkoni në bisedime, por mos harroni se këtu edhe varret e dëshmorëve janë ende të pa mbuluara nga bari, se ende ka varre të hapura që presin të gjenden ata që nuk dihet ku i ka varrosur e rivarrosur armiku ynë shekullor serbia dhe pushtetet e saj, se ende ka nuse të reja që presin t’u kthehen burrat nga varrezat masive në Serbi dhe kudo nëpër Kosovë, se ende është i njomë gjaku që është derdhur për këtë tokë! Por, në fund të fundit, ju edhe mund të shkoni, ju zotërinj të politikës së ditës në Kosovë, që thoni aq paturpësisht se keni marrë votat e popullit (sado që ju më së miri e dini si i keni marrë ato vota). Ju edhe mund të bisedoni, me politikanë serbë, edhe për lirinë e Kosovës.
Ju mund të shkoni dhe të bisedoni bashkë me diplomatë evropianë, edhe për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Por, mos harroni këta diplomatë evropianë, ende nuk kanë guxim as qytetar, as intelektual, as politik, të përmendin çështjen e pazgjidhur shqiptare, që e kanë krijuar ata vetë, me këtë Serbi me të cilën ju bisedoni edhe për aktin e vetvendosjes së Kosovës.
Andaj, kush jeni ju, shqiptarë dhe evropianë, që mund të garantoni se ky popull mund të durojë t’i merret sërish liria, tokat, pavarësia dhe akti i vetvendosjes! Sepse, dihet historikisht, një popull që e fiton lirinë me luftë dhe me gjak, duhet luftë dhe gjak për t’ia marrë!



Përkujtohet Dëshmori i Kombit Ahmet Pantina

Prishtinë 25 shtator 2006
Bashkluftëtarë dhe qytetarë të shumtë përkujtuan dëshmorin e kombit Ahmet Pantina. Faton Klinaku sekretar i Organizatës mes të tjerash theksoi:
Nderimi për Ahmetin dhe të gjithë dëshmorët e Kombit, të cilët vazhduan luftën me suksese të mëdha në fushëbeteja me pushtuesit, duke ndjekur rrugën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitit, Mehë Ukës, Luan Haradinajt dhe shumë e shumë dëshmorëve, nuk duhet të lejojmë të jetë diçka krejt rutinore dhe e zakonshme. Në përvjetorët e dëshmorëve duhet të reflektojmë dhe para së gjithash ta shohim realitetin në sy. Të bëjmë matjen e të sotmes me atë për të cilën ranë dëshmorët.
Dëshmorët ranë për të qenë ne. Por, kur kjo rënie ndodhi në mes të një rruge të cilën dëshmorët ishin të gatshëm ta përfundojnë, neve duhet të na shtohet barra e përgjegjësisë. Obligimin ndaj dëshmorëve e bën shumëfish më të madh ky fakt. Duhet të jemi të bindur në rrugën e bërjes realitet të amanetit të tyre. Ndryshe jo vetëm që nuk mund t’i nderojmë ata që ranë për tokën shqiptare, por nuk do të mund të shohim kurrë të nesërmen e ndryshme me këtë që është sot. Nuk jemi të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve të pasluftës, politika vendore nuk ishte në kontinuitet të punës për të përmbyllur misionin politik që kishte lufta jonë. Administrata e instaluar në Kosovë, UNMIK-u, vazhdimisht e ndjeku të njëjtën politikë që e kishim edhe para luftës, por në forma më të reja dhe më moderne, duke e shfrytëzuar Kosovën si laborator për eksperimente. Kjo po bëhet edhe më e dukshme me bisedimet në Vjenë, bisedime që për ne janë robëri e re për Shqiptarët të cilët jetojnë në trojet e tyre. Realiteti i sotëm nuk flet aspak mirë. Janë të mëdha pengesat në rrugën tonë-në rrugën e lirisë. Asnjëherë, as pas luftës nuk kanë pushuar përpjekjet që ne të zbrapsemi nga idealet e dëshmorëve. Sulmohet ajo që është e shenjtë për ne-lufta dhe gjaku ynë. A duhet ta lejojmë ne këtë?. A guxojmë të harrojmë porosinë e madhe dhe unike të dëshmorëve dhe heronjëve të kombit: luftë deri në çlirimin përfundimtar të trojeve tona.



LUFTA JUAJ FITORJA JONË – Përkujtohen Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe dëshmorët e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” dhe përurohet kompleksi memorial

Gradicë 22 shtator 2006
Në prani të shumë bashkluftëtarëve dhe qytetarëve u përkujtuan dëshmorët e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, në përvjetorin e rënies së luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së Fehmi e Xhevë Lladrovci. Afrim Kuleta nënkryetar i Organizatës mes të tjerash theksoi:
Ky është vetëm njëri nga përvjetorët e shumtë të atyre që nuk janë më fizikisht në mesin tonë-dita e dëshmorëve të Brigadës 114 të UÇK-së.. Ndër ta dallohen si kurora emblematike dëshmorët Fehmi e Xhevë Lladrovci të njohur tanimë nga të gjithë me heroizmin, guximin e sakrificën që bënë. Por Xheva e Fehmiu nuk ishin vetëm. Ata qenë trima. Dhe trimat kanë shokë, kanë bashkëluftëtarë me të cilët bashkë shkojnë nëpër beteja dhe bashkë i korrin rezultatet e tyre. Fehmiu e Xheva me shembullin e tyre frymëzuan jo vetëm brezin e vet por edhe brezat që do të vijnë. Lufta e përgjakshme me pushtuesit i çelikosi ata aq sa i bëri të pathyeshëm. Ishte vështirë. Të pakrahasueshëm për nga arsenali ushtarak me pushtuesit, përballja po bëhej e pashembullt. Lufta jonë po bëhej e lavdishme. E lavditë vetëm trimat i krijojnë. Dhe lavdia vetëm atyre u takon. Jeta e Fehmiut e Xhevës është e tëra lavdi. Ata edhe me rënien e tyre u bënë pjesë e rëndësishme e kalasë së luftës për liri. U shndërruan në gurë ta pathyeshëm të saj.
Dhe nderimi që ne po bëjm sot për ta dhe bashkëluftetarët e tyre është nderim i vetë qenies sonë.Sot gjithashtu po behet edhe përurimi i këtij kompleksi memorial në shenjë përkujtimi për të rënët e kësaj brigade. Falenderime për ata që kontribuan në realizimin e kësaj vepre. Është madhështore të nderosh dëshmorët.
Ne kemi akoma nevojë të mësojmë nga rruga në të cilën ecën dëshmorët. Duhet të mësojmë si fitohet liria dhe duhet ta bëjmë realitet atë.
Çmimin e lartë të luftës për liri e paguam dje në beteja me pushtuesit. Por, armiqtë tanë nuk i lëshojnë lehtë këto vatra. Ne duhet të jemi prapë në gjendje t’i detyrojmë ata. Për betimin e dhënë dhe për gjakun e derdhur duhet ta ndryshojmë të sotmen për ta pasur të sigurtë të nesërmen. Të guxojmë! Të mundim! Të fitojmë!



OVL të UÇK-së 2000 - 2006