Arkivi i lajmeve 2008

Sulmi ndaj kryeministrit Thaçi, akt terrorist dhe i papranueshëm

Prishtinë 7 qershor 2008
Kryesia e OVL të UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj sulmit në shtëpinë e Kryeministrit Thaçi, të premtën mbrëma.
Në tekstin e reagimit thuhet: Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shpreh indinjatë të thellë ndaj sulmit terrorist në familien e Kryeministrit të Kosovës si dhe njeriut që drejtoi dhe udhëhoqi luftën çlirimtare për lirinë popullit tonë. Sulmi ndaj familjes së kryeministrit është sulm ndaj gjithë Kosovës e në veçanti ndaj çdo familje të veteranëve të Luftës së UÇK-së.
I kujtojmë të gjithë ata që përgatisin akte të tilla terroriste se Kosova di te mbrohet ashtu siç diti të çlirohet nga okupatori dhe se sulmet e tilla do të marrin përgjigjien e merituar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon nga organet përgjegjëse për sigurinë e vendit që urgjentisht, akterët e këtij sulmi terrorist të zbulohen dhe të dalin para drejtësisë, gjithashtu edhe organet përgjegjëse të kontrollit të kufinjëve i kujtojmë se ky është momenti i fundit, kur Kosova duhet të ketë kontrollë në tërë territorin e saj.





Festat kombëtare në shtetin e Kosovës “duhet” të festohen ilegalisht!

Prishtinë 20 maj 2008
Kryesia e OVL të UÇK-së, në takimin e mbajtur me 20, maj 2008, reagoi rreth miratimit të projektligjit nga Qeveria e Kosovës, për festat shtetërore.
Qeveria e Kosovës në projektligjin e miratuar për festat shtetërore, ka mohuar vlerat më sublime të popullit të saj. Ky projektligj nuk shpreh nevojat reale të qytetarëve të saj, por i gjason periudhave të kohës së Jugosllavisë që nëpërmes ligjeve mohonte të drejtat e popujve. Në atë kohë populli nuk priste nga qeveritë titiste, por i kujtoi dhe ruajti me fanatizëm ditët e veçanta të tij.
OVL e UÇK-së, kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që ta rishqyrtoi këtë projektligj dhe si festa shtetërore të Kosovës të jenë edhe festat kombëtare duke filluar me 28 nëntorin e Skënderbeut, Ismajl Qemailit, UÇK-së dhe Adem Jasharit, 10 qershorin e Lidhjes së Prizrenit, Ditën e Dëshmorëve të Kombit 5 majin, Ditën e Çlirimit, Epopenë e UÇK-së.




Lirohet Grupi i Kaçanikut


Prishtinë 15 prill 2008
Pas një procesi të gjatë e të montuar që nga tetori i vitit 2003, më në fund lirohen tre luftëtarët e Grupit të Kaçanikut që deri më tani ishin mbajtur padrejtësisht në burgjet e UNMIK-ut.
Ejup Runjeva Komandant ERA, Rrustem Dema dhe Enver Axhami, janë liruar me kusht, disa muaj pasiqë Gjykata Supreme e Kosovës e zbuti dënimin e tyre. Organizatat e Luftës së UÇK-së në vazhdimësi kishin reaguar që gjykimi i tyre dhe akuzat që u bën ndaj tyre, kanë qenë të fabrikuara dhe gjithmonë kishin apeluar për lirimin e tyre të menjëhershëm.
Menjëherë pas lirimit, luftëtarët e UÇK-së dhe shumë familjarë e bashkluftëtarë të tyre, kanë bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Prekaz dhe Kaçanik. Më pas në organizim të OVL të UÇK-së, ju është bërë një pritje madhështore në qytetin e tyre të lindjes.




Kryesia e Organizatës dënon organizimin e fushatës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Prishtinë 5 prill 2008
Lejimi i kriminelëve serbë që të vijnë në Kosovë edhe për të bërë fushatë siç është rasti i ardhjes së Nikoliqit përveç se është shkelje e sovranitetit të Kosovës, do të sjellë edhe pasiguri, sepse këta kriminelë vetëm për këto gjëra mendojnë gjë që edhe ndodhi sot në Mitrovicë me thyerjen e pllakës përkujtimore të dëshmorit të kombit Avni Hajredini. Kërkojmë nga UNMIK-u dhe Institucionet e Kosovës që të ndërpresin provokime të ardhshme siç mund të jetë lejimi i mbajtjeve të zgjedhjeve serbe në Kosovë sepse në të kundërtën do të mbajnë përgjegjësi për eskalim të situatës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me strukturat e saj, do të bëjë përpjekje për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, për ta mbrojtur sovranitetin e vendit meqenëse nuk po e mbrojnë ata që janë kompetentë
thuhet ndër të tjerash në komunikatën e lëshuar nga OVL të UÇK-së.




Lirohet Ramush Haradinaj dhe Idriz Bala, ndërsa Lahi Brahimaj dënohet për shkelje të zakoneve të luftës


Hagë 3 prill 2008
Tribunali Ndërkombëtar i Hagës ka shpallur të pafajshëm në të gjitha akuzat e ngritura ish-komandantin e UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Vendimi vjen pas më shumë se tre vjetësh që kur është shpallur aktpadia kundër zotit Haradinaj. Tribunali ka liruar edhe Idriz Balajn komandant i njësisë “Shqiponjat e Zeza” të Zonës së Dukagjinit, ndërkaq ka dënuar me gjashtë vjet burgim Lahi Brahimajn.
Tribunali ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit kundër tre të akuzuarve. Lahi Brahimaj është dënuar me gjashtë vjetë burgim për shkeljen e zakoneve të luftës. “Akuzat e bëra ndaj meje dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë false”, është shprehur Haradinaj.
Veteranët, Invalidët dhe Familjet e Dëshmorëve të UÇK-së kanë shprehur kënaqësinë e tyre për lirimin e komandantit, duke shprehur keqardhjen e tyre për dënimin e pamerituar të Lahi Brahimajt. Gjithashtu edhe institucionet e Kosovës kanë shprehur keqardhje për dënimin e z.Brahimaj. "Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për dënimin e zotit Lahi Brahimaj, por shpreson në lirimin sa më të shpejtë të tij”, thuhet ne komunikatën për media të qeverisë.




Kryesia e Organizatës dënon dhunën e kriminelëve serb në Mitrovicë

Prishtinë 20 mars 2008
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është e indinjuar me veprimet kriminale të pakicës serbe në Mitrovicë, që ndodhën më 17 mars 2008. Më këtë rast OVL e UÇK-së shpreh keqardhje për këto ngjarje, ku për pasojë gjeti vdekjen polici ukrainas i UNMIK-ut, si dhe u plagosën dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe policë të UNMIK-ut.
Organizata konsideron se qytetarët serbë të Kosovës, do të ishte dashur të ndihen të turpëruar nga veprimet që bënë në Kosovë, bashkëkombasit e tyre, me vuajtjet që ia shkaktuan popullit tonë gjatë luftës, e jo të vazhdojnë me përpjekjet për kthimin e situatave të tilla.
Organizata përkujton qytetarët ser btë Kosovës se veteranët e UÇK-së bënë luftë kundër një okupatori, e cila pasoi me largimin e tij nga Kosova. Lufta e drejtë e UÇK-së mori edhe përkrahjen e të gjitha vendeve demokratike të botës. Kjo luftë duhet t’iu shërbej edhe komunitetit serb në Kosovë si një çlirim nga po ai shtet i cili nuk i lë të qetë asnjë herë dhe luan me fatin e tyre, ashtu siç ka vepruar gjatë gjithë historisë, qysh prej ardhjes së tyre nga karpatet dhe vendosjes në tokat shqiptare. Këto përpjekje të serbëve në Mitrovicë nuk do t’i shërbejnë mirëqenies së tyre në Republikën e Kosovës. Ata duhet të punojnë shumë në funksionimin e shtetit të Kosovës, sepse janë qytetarë të tij.




Përkujtohen Dëshmorët e 17 marsit

Kosovë 17 mars 2008
Në të gjitha varret e Dëshmorëve të 17 marsit 2004, u bën homazhe dhe u vendosën kurora lulesh, në prezencën e shumë qytetarëve. Drejtuesit e Organizatave të Luftës, nëpër vizitat e tyre në familjet e Dëshmorëve, folën për rëndësinë e demonstratave gjithëpopullore të 17 Marsit 2004, rëndësinë politike të tyre dhe kthesën që sollën ato demonstrata në zhvillimet politike në Kosovë. Ata vlerësuan ndikimin e demonstrative të 17 marsit në dinamizimin e procesit politik që dërgoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Manifestimi qendror u zhvillua në Fierzë të Pejës, ku u nderua Dëshmori i Kombit Esat TAHIRAJ, anëtar i Këshillit Drejtues së Organizatës në Pejë, i ekzekutuar nga milicia e UNMIK-ut, derisa po demonstronte së bashku me dhjetëra mijëra qytetarë anekënd Kosovës.




Kryesia e Organizatës debaton DraftKushtetutën e Kosovës

Prishtinë 11 mars 2008
Në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftë së UÇK-së, mbajtur me datën 11 mars 2008, në të cilën u diskutua për gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës, në veçanti u debatua për Draft Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është në diskutim publik.
Në këtë mbledhje Kryesia kërkoi vendosmërisht që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në preambulën e saj, në mënyrë decidive ta përfshijë Luftën e lavdishme të UÇK-së, si dhe sakrificën e gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve të kombit, në saje të të cilëve jemi këtu ku jemi, pra Kosova sot është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.




Shpallet Pavarësia e Kosovës


Prishtinë 17 shkurt 2008
Në seancën e jashtzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kuvendi miratoi deklaratën në bazë të së cilës Kosova shpallet shtet i pavarur dhe Sovran.
Në mbledhjen e Kuvendit morën pjesë edhe Faik Fazliu kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së. Anekënd Kosovës, në festën e Pavarësisë, morën pjesë përfaqësuesit e organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së.
Faik Fazliu kryetar i Organizatës theksoi që aktiviteti i OVL të UÇK-së do të vazhdojë deri në realizimin e aspiratave të dëshmorëve të kombit, bashkimin e shqiptarëve në një shtet.




Organizatat e Luftës apelojnë Tribunalin e Hagës të vërtetojë pafajësinë e Ramush Haradinajt me shokë


Prishtinë 24 janar 2008
Procesi ka vërtetuar se akuzat ndaj Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt, kanë qenë plotësisht të pabaza dhe të motivuara politikisht, prandaj, përsërisim edhe një herë kundërshtimin tonë të fortë ndaj tendencave për njollosjen e luftës dhe barazimin e UÇK-së me kriminelët serbë thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryetarët e organizatave Faik Fazliu dhe Xhavit Jashari.




OVL të UÇK-së 2000 - 2008