Arkivi i lajmeve Janar - Mars 2009

Përkujtohet Agim Milaim Elshani


Prishtinë 27 mars 2009
Në një Akademi Përkujtimore, Dega e OVL të UÇK-së Malishevë, përkujtoi në tetëvjetorin e rënies Agim Elshanin Komandant Malisheva. Agimi iu përgjigj thirrjes së Atdheut dhe shkoi në ndihmë vëllezërve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, duke u inkuadruar si pjesëtar i UÇPMB-së.
Akademia përkujtimore u mbajt në Prishtinë, me ç'rast të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe kryetari i OVL të UÇK-së, z.Muharrem Xhemajli.




Përkujtohet Lufta heroike e Përdrinisë


Prizren 26 mars 2009
Me rastin e 10 vjetorit të luftës heroike të Përdrinisë, dega e OVL të UÇK-së në Prizren, nën pratronatin e KK Prizren, ka mbajtur një sërë aktivitetesh. Nga 25 deri 31 mars 1999, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin bërë një rezitencë të madhe ndaj sulmeve të forcave serbe, duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha. Pasiqë nuk mundi ta mposht UÇK-në, armiku sulmoi civilët në disa fshatëra të Përdrinisë, e sidomos në Krushë, Qëndresë dhe Reti, ku masakroi qindra persona, për fatin e shumë prej tyre nuk dihet ende.
Homazhet u bënë në varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve e gjithashtu, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Landovicë, u bë rivarrimi i 18 Dëshmorëve të Kombit.
Akademia përkujtimore u mbajt në Prizren, me ç'rast të pranishmëve iu drejtua kryetari i OVL të UÇK-së, z.Muharrem Xhemajli, i cili në fjalimin e tij citoi një thënie të Gjeneralit Kudusi Lame: Çdo vatër e Kosovës ka një histori, ka një dhembje, ka një krenari, ka një vazhdimësi që do të tregohet për jetë të jetëve". Gjithashtu kryetari Muharrem Xhemajli, përkujtoi Ukshin Hotin i cili ishte pikërisht nga Rajoni i Përdrinisë, e duke folur për hakmarrjen e forcave serbe ndaj civilëve the se Ata po vrisnin mbështetjen e UÇK-së që ishte populli që i lindi, rriti, përkrahu dhe i ushqeu.




OVL të UÇK-së, i drejtohet me një letër të hapur OVL të Serbisë


Prishtinë 26 mars 2009
Kryesia e OVL të UÇK-së, i është drejtuar me një letër të hapur Organizatës së Veteranëve të Luftës së Serbisë. Kjo është letra e parë me të cilën Organizata i drejtohet veteranëve të luftës së Serbisë. Mes të tjerash në letrën e hapur thuhet: "NE jemi kundër një shpërthimi të ri të luftës në Kosovë e trojet tjera etnike shqiptare që Ju po e përgatitni sipas interesave Tuaja false, arkaike dhe anakronike; jemi kundër një lufte të re sepse i kemi parë pasojat, shkatërrimet dhe dëmtimet në njerëz, në pronë, në industri dhe e kemi përjetuar cenimin e lirisë dhe jetës së njeriut, dhe pikërisht për këtë ne nuk duam përsëritjen e një historie makabre. Megjithatë, në rast të ndonjë agresioni në Atdheun tonë, ne ua bëjmë të ditur, se nuk do të kursejmë asgjë për të mbrojtur familjet tona, pronat tona dhe Atdheun tonë. Do të jemi të gatshëm të mbrojmë popullin dhe trojet tona etnike. ". Lexo tekstin e plotë të letrës shqip dhe përkthimin në anglisht.




Në dhjetëvjetorin e rënies, përkujtohet Dëshmori i Kombit Beqir Nebih Meha


Skënderaj 25 mars 2009
Me rastin e dhjetëvjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit Beqir Meha, nën organizim të SHFD të UÇK-së, në Skënderaj u mbajt një akademi përkujtimore. Të pranishmëm në akademi ishin edhe strukturat komunale, përfaqësues të Organizatave të Luftës si dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi. Në fjalën e rastit, mes të tjerash, Nënkryetari i Organizatës Smajl Elezaj tha se "Sot, në dhjetëvjetorin e rënies së Beqirit, edhe një pjesë e Shqipërisë ka filluar të frymojë lirshëm. Angazhimi për liri po vazhdon dhe po bëhet shumë i fuqishëm, falë sakrificës së Beqirit e bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Angazhim që na mbetet obligim ne dhe brezit të ri. ".




Përkujtohen Dëshmorët dhe Martirët e Kotlinës


Kotlinë - Kaçanik 24 mars 2009
Me rastin e dhjetëvjetorit të rënies së Dëshmorëve dhe Martirëve të fshatit Kotlinë të Kaçanikut, Dega e OVL të UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me banorët e fshatit dhe KK të Kaçanikut, ka organizuar manifestim përkujtimor. Në ora 10:30 u bë vizita në vendin e ngjarjes, ndërsa në 11:30, në shkollën e fshatit u mbajt Akademia Përkujtimore dhe programi artistik. Në fjalën e rastit, mes të tjerash, Nënkryetari i Organizatës Smajl Elezaj tha se "qytetarët tanë i dëshmuan botës që ne jemi të fortë dhe të guximshëm; që ne nuk mund të gjunjëzohemi, dhe se gjithmonë do të aspirojmë drejt një të nesërme më të mirë.".




Përkujtohen Dëshmorët e 17 marsit 2004


Kosovë 17 mars 2009
Me rastin e pesëvjetorit të demonstratave gjithëpopullore të 17 marsit, u përkujtuan luftëtarët e UÇK-së që u vranë nga dora gjakatare e milicisë së UNMIK-ut. Në Fierzë, në prani të qindra qytetarëve, u bën homazhe dhe nderime për Dëshmorin e Kombit Esat Tahiraj, anëtar i Kryesisë së Degës së Organizatës në Pejë. Gjithashtu u nderuan edhe vëllezërit Elshani në Drenas, të cilët u vranë poashtu nga UNMIK-u me 17 mars 2004. Në një komunikatë të Degës së Organizatës në Pejë, u dënua fakti se ndaj vrasësve nuk është marrë asnjë masë dhe të njëjtit ende gjenden në liri, sepse nuk u dënuan nga prokurorët ndërkombëtar që merreshin me rastet.
Në vizitën që u bë në familjen Tahiraj, u fol rreth rëndësisë së demonstratave gjithëpopullore të marsit 2004 dhe ndikimit të tyre në prishjen e "status-quo" që mbretëronte asokohë në Kosovë. Në mes tjerash u tha se: "Demonstratat gjithpopullore të Marsit 2004, mobilizuan tërë faktorin e brendshëm dhe zgjuan nga gjumi faktorin ndërkombëtar në Kosovë, i cili filloi të angazhohet konkretisht drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kjo rezultoi edhe me dërgimin e ambasadorit Kai Aide, si dhe me mandatimin e misionit të Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës".




Organizata reagon ndaj proceseve te fundit politike


Prishtinë 16 mars 2009
Në një reagim që i drejtohet Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, OVL të UÇK-së, ka reaguar pas vlimeve politike që po ndodhin kohët e fundit në lëminë e drejtësisë në Kosovë, ku objekt sulmi janë luftëtarët e UÇK-së.
Organizata ka reaguar kundër dënimit të Abdullah Gashit, veteran i UÇK-së që u dënua nga EULEX me 17 vite burg, si dhe ndaj procesit të montuar që po zhvillohet në Pejë kundër veteranit të luftës Gjelosh Krasniqi. Gjithashtu, Organizata reagoi edhe kundër arrestimit në Maqedoni të veteranit të luftës Mahmut Ukshini, të cilin Serbia po tenton ta ekstradojë në Beograd.
Tekstin e plotë i reagimit është në rubrikën e komunikatave.




Përmbyllet "Epopeja e UÇK-së"


Kosovë 6-7 mars 2009
Me 6 mars 2009, OVL të UÇK-së përkujtoi Dëshmorët e Kombit. Kryesia Qendrore e Organizatës bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Gjithashtu u bën homazhe edhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan të Deçanit dhe në Varrezat e Dëshmorëve të komunës së Klinës.
Delegacionet e kryesive të degëve të Organizatës, bën homazhe në të gjitha varrezat e Dëshmorëve të Kombit anekënd vendit, me ç'rast u vizituan edhe shumë familje të Dëshmorëve.
Ndërkaç, manifestimi tradicional Epopeja e UÇK-së, u përmbyll me "Natën e Zjarreve" në Prekaz me 7 mars. Në ora 18:00, në Prekaz dhe në shumë vende në Kosovë, u ndez zjarri që simbolizon përhapjen e luftës së UÇK-së, në tërë Kosovën.




Fillon manifestimi "Epopeja e UÇK-së"


Prishtinë 5 mars 2009
Në ora 12 në Prishtinë, me një koncert në sheshin "Nëna Tereze", filloi Manifestimi Tradicional "Epopeja e UÇK-së". Manifestimin e hapi, Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL të UÇK-së, i cili të pranishmëve iu drejtua edhe me një fjalë rasti.
Fjalimi i z.Muharrem Xhemajlit




Programi i Manifestimit Epopeja e UÇK-së

Kosovë 5 - 7 mars 2009
5 mars
- Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Republikën e Kosovës, ora e parë e mësimit i kushtohet Luftës së UÇK-së dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari
- Ora 12:00 Koncerti solemn në Sheshin "Nëna Tereze" Në Prishtinë. Kryetari i OVL të UÇK-së Muharrem Xhemajli do të mbajë fjalimin e rastit.
6 mars
- Ora 10:00, fillojnë homazhet dhe vizitat në familjet e Dëshmorëve, në Prekaz, për të vazhduar nëpër të gjitha komunat e Kosovës
7 mars
- Ora 18:00, "Nata e Zjarreve". Bëhet ndezja e zjarreve në Prekaz, ku mbahet edhe programi artistik. Zjarret ndezen edhe anekënd Kosovës, në orën e njëjtë.




Adem Demaçi vizitoi Kryesinë e Organizatës


Prishtinë 27 shkurt 2009
Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, ish-përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, vizitoi Selinë Qendrore të OVL të UÇK-së. z.Demaçi përgëzoi Kryesinë e re të Organizatës, dhe njëherësh, shfaqi gadishmërinë e tij, që të jetë nën shërbim të bashkluftëtarëve sa herë e kërkon nevoja.
Në këtë takim të përzemërt, u bisedua për çështje shumë me rëndësi, që lidhen me procesin në të cilin po kalon Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi.




Veteranët, Invalidët dhe Familjet e Dëshmorëve shënojnë 17 shkurtin


Kosovë 17 shkurt 2009
Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së, përveç agjendës shtetërore, e shënuan edhe me aktivitete të veçanta. Kryesia Qendrore e Organizatës, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz. Gjithashtu, delegacionet e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, bën homazhe në varrezat e dëshmorëve anekënd Kosovës.
Kryetari i Organizatës, Muharrem Xhemajli, mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, si dhe në koncertin festiv në Prishtinë. Në mbledhjet solemne të kuvendeve komunale, veteranët kishin fjalën e rastit, ku u shprehën për rëndësinë e 17 shkurtit, si dhe orientimet e mëtutjeshme programore të OVL të UÇK-së.
Kryetari Muharrem Xhemajli, në emër të OVL të UÇK-së ka shprehur urimet më të sinqerta, për të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës, si dhe për gjithë kombin shqiptar në përgjithësi. Kryesia e OVL të UÇK-së, ka ndarë mirënjohjet për kontributin në luftën çlirimtare, për mbi 400 veteranë të vdekur pas luftës.




Komandanti i FSK-së Sylejman Selimi viziton Organizatat e Luftës


Prishtinë 10 shkurt 2009
Komandanti i FSK-së Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi ka vizituar Selinë Qendrore të Organizatave të Luftës ku është takuar me prijësit e Veteranëve, Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Gjeneral Selimi, ka përgëzuar OVL të UÇK-së, për procesin zgjedhor në degë dhe për Kuvendin Qendror që u mbajt në fund të janarit, e njëherësh uroi detyrën kryetarit Muharrem Xhemajli dhe Kryesisë së re.
Në takim mes tjerash u diskutua edhe për trashëgiminë e dokumentacionit të UÇK-së, që menaxhohej nga TMK-ja, ku u shpreh vullneti i dyanshëm që ky arkiv me vlerë, t'i bartet Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Gjithashtu u shpreh shqetësimi rreth risistemimit të ish pjesëtarëve të TMK-së, me ç'rast Gjeneral Selimi, theksoi se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se do të gjindet një zgjidhje e volitshme për të gjithë.
Në takim me mediat kryetari i Organizatës Muharrem Xhemajli u shpreh: Edhe pse s’kemi qenë pjesë e përzgjedhjes së pjesëtarëve të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, na vjen keq për bashkëluftëtarët të cilët kanë mbetur jashtë Forcës së Sigurisë, besojmë se institucionet e Kosovës do ta bëjnë zgjidhjen me të mirë për ta.
Gjenerali dhe përfaqësuesit e Organizatave të Luftës, ranë dakord që të zgjerohet bashkpunimi në çështje me interes për të dyja palët.




Gadishmëri për bashkpunim në mes të OVL të UÇK-së dhe Ministrisë së FSK-së

Prishtinë 5 shkurt 2009
Delegacioni i Kryesisë së OVL të UÇK-së, i kryesuar nga kryetari Muharrem Xhemajli, u takua sot me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës z.Fehmi Mujota. Kryesia e OVL të UÇK-së, përgëzoi ministrin Mujota për ngritje të kapaciteteve dhe për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryesia e OVL të UÇK-së shprehu shqetësimin rreth sistemimit të pjesëtarëve të TMK-së, që nuk janë pranuar në FSK. Gjithashtu, u bisedua rreth trashëgimisë së dokumentacionit arkivor dhe monumenteve të UÇK-së që posedohej nga TMK-ja.
Ministri i FSK-së, shprehu vullnetin dhe gadishmërinë për bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çështjet me rëndësi për të dy palët.




Delegacioni i Kryesisë së Organizatës viziton Gllogjanin


Gllogjan 3 shkurt 2009
Një delegacion i Kryesisë së Organizatës, i përbërë nga kryetari Muharrem Xhemajli, nënkryetarët Smajl Elezaj e Fatmir Shurdhaj dhe antarët e Kryesisë Xhavit Dauti, Nerxhivane Azizi e Abdyl Mushkolaj, kanë vizituar fshatin Gllogjan të Deçanit, ku kanë bërë homazh në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit.
Delegacioni bëri vizitë edhe në familjen Haradinaj ku u pritën nga kryefamiljari Hilmi Haradinaj. Delegacioni përgëzoi bacin Hilmi për lindjen e nipit, duke shtuar se familja Haradinaj gjithnjë ka dhënë ushtarë e dëshmorë për Kosovën. Hilmi Haradinaj, përgëzoi Kryesinë e re dhe iu uroi punë të mbarë, në mbrojtjen e avansimin e vlerave të luftës




Delegacioni i Kryesisë së Organizatës viziton Prekazin


Prekaz 2 shkurt 2009
Në ditën e parë të punës, një delegacion i Kryesisë së re të Organizatës, i përbërë nga kryetari Muharrem Xhemajli, nënkryetarët Smajl Elezaj e Fatmir Shurdhaj dhe sekretari Faton Klinaku, ka bërë homazhe tek varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.
Delegacioni bëri vizitë edhe në familjen Jashari ku u pritën nga Rifat dhe Murat Jashari. Rifat Jashari përgëzoi të gjithë veteranët për zgjedhjen e kryesisë së re dhe apeloi që të gjithë së bashku të punojnë në mbrojtjen dhe avansimin e vlerave kombëtare.




Zgjedhet Kryetari dhe Kryesia e Organizatës


Prishtinë 31 janar 2009
Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbledhjen e e parë pas Kuvendit Zgjedhor, të mbajtur sot më 31.01.2009 zgjodhi Organet Drejtuese të Organizatës, Kryetarin dhe Kryesinë.
Kryetar i Organizatës u zgjodh Muharrem Xhemajli, e gjithashtu u zgjodh edhe Kryesia e re 15 antarëshe.
Kryesia e sapozgjedhur në mbledhjen e parë, bëri konstituimin e saj, duke zgjedhur për nënkryetar Fatmir Shurdhaj (çështjet politike) dhe Smajl Elezaj (çështjet organizative), ndërsa sekretar i Organizatës u rizgjodh Faton Klinaku.
Më detalisht informohuni në rubrikën Organet.




Mbahet Kuvendi i Tretë Zgjedhor i Organizatës

Prishtinë 24 janar 2009
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mbajti me sukses Kuvendin e Tretë Zgjedhor. Në pjesën solemne, para delegatëve, Kuvendin e përshëndetën delegacioni i Veteranëve të Kroacisë, kryesuar nga Tomë Kaçinari. Gjithashtu Kuvendin e përshëndetën, Adem Demaçi, Ramush Haradinaj, Smajl Latifi dhe Fazli Veliu.
Në pjesën e punës, Kuvendi debatoi rreth Raportit të punës dhe raportit financiar, të cilët pas vërejtjeve të delegatëve u miratuan me shumicë votash nga Kuvendi. Më pas, Kuvendi debatoi nen për nen, Statutin e Organizatës, me ç’rast u bën ndryshime në disa nene, si dhe u miratuan amandamentet e propozuara nga Komisioni Statutar. Kuvendi gjithashtu miratoi Programin e ri të Organizatës, dhe e autorizoi Këshillin Drejtues që të bëj ndonjë ndryshim të mundshëm.
Në pjesën e votimit për organet qendrore, në bazë të Statutit, 29 kryetarët e Organizatave nëpër komuna, u miratuan si antarë të Këshillit Drejtues. Gjithashtu me aklamacion, Kuvendi vendosi që në Këshill Drejtues të përfaqësohen edhe 2 femra, si dhe këshilltari juridik i Organizatës.
Më pas, organizatat nga komunat, propozuan mbi 70 kandidatë, për 19 vende në Këshill Drejtues. Procesi i votimit u zhvillua në kabinat e votimit, i mbikëqyrur nga Komisioni Zgjedhor. Në ora 22:30, u shpall rezultati i votimit dhe u bë e ditur përbërja e re e Këshillit Drejtues. Mbledhja konstituive e Këshillit u prolongua për të shtunën me 31 janar 2009.



OVL të UÇK-së 2000 - 2008